I zhytur në borxhe e fukarallëk, bie në konop

Kronika April 29, 2016 - 07:58

Safet Mangjolli, 43-vjeç nga Mikushnica e Skenderajt, është gjetur i varur në konop, përbrenda një objekti përcjellës të shtëpisë së tij, të mërkurën rreth 19:30. Familjarët thonë se i mbytur në fukarallëk dhe në borxhe të mëdha, nuk kishte gjetur zgjidhje tjetër, përveç të vetëvritet

Kishte mbi tre muaj që nuk i kishte gjetur rehati vetes. Vështirë komunikonte me njerëz, kushërinj e farefis, madje edhe me vëllezërit dhe babanë e tij. Borxhet e mëdha, në të cilat ishte futur, si dhe gjendja e rëndë sociale ia kishin mbyllur të gjitha rrugët. Ai nuk kishte gjetur zgjidhje tjetër, përveç të vetëvritet. Safet Manxholli, 43-vjeç nga Mikushnica e Skenderajt, është gjetur i varur në konop, përbrenda një objekti përcjellës të shtëpisë së tij, të mërkurën rreth 19:30.

Para se ta merrte këtë akt të rëndë, Safeti kishte dërguar gruan dhe fëmijët në Qubrel, të familja e gruas, për të mbetur vetëm në shtëpi. Nuk dihet saktësisht kur, por ai kishte shkuar në një objekt përcjellës dhe kishte vendosur litarin në trarin e betonit, e kishte lidhur rreth qafe dhe i kishte dhënë fund jetës.

Vetëvrasja e Safetit ka tronditur jo vetëm familjen e tij, por gjithë Skenderajn. Safeti njihej si tregtar me shpezë, por përpiqej edhe të gjente punë. Familjarët e tij thonë se për pak kohë kishte punuar në Ulqin, ndërsa në kohë të fundit në Drenas, si punëtor sigurimi.

Babai i Safetit, Gani Manxholli, nuk ka mundur ta nxjerrë asnjë fjalë. Atij i vinte rëndë dhe i dhimbsej edhe më shumë Safeti, edhe për faktin se e kishte me një grua tjetër. Babai i Safetit i ka thënë “Zërit”, se djali i tij ishte ndarë ende pa u martuar, por që siç thotë ai “kur kishte dalë në shtëpi të vet ishte përkujdesur që t’ia gjejë nusen te miqtë e tij, kushërinjtë e gruas tjetër, në Qubrel”. Me keqardhje thotë se ndonëse merrej me tregti, Safeti nuk kishte investuar asgjë në shtëpinë e tij. Sipas tij, Safeti, me tri vajzat dhe djalin jetonte në një ahur të shndërruar në dhomë banimi. Madje për shumë kohë as banjë nuk kishte. “Nuk kemi vërejtur diçka të veçantë te ai, të mërkurën. Si zakonisht ai rrinte vetëm”, thotë babai i tij, Gani Mangjolli.

Ndërkaq, vëllai i tij, Gazmendi, i cili për asnjë çast nuk mund të përmbahej, thotë se ishte ai që e kishte gjetur të varur në litar vëllain e tij.

“Në 2-3 muajt e fundit, Safeti rrinte vetëm, nuk komunikonte shumë as me ne, dukej i mërzitur dhe i pashpresë. Kanë ardhur gruaja me fëmijët dhe e kanë gjetur, se ky vëllai i kishte pas dërguar ata në Qubrel te familja e gruas. Sigurisht ka mendu me qenë vetëm, sepse kishte vendosur t’ia marr vetes jetën. Kam dëgjuar britmat e tyre dhe unë kam vrapuar të shoh se çfarë kanë. Kur hyra në çarranik e pashë Safetin të varur në konop, i ishte zgjatur konopi dhe kishte mbetur shtrembër. Atë konop kurrë nuk e kam pa në shtëpinë e tij, sepse e di krejt çka ka. E kish ble për m’u vjerrë. Menjëherë e kam ftuar policinë. Veç Zoti e di se kur ia ka vënë litarin rreth qafës, kryesore atë e kemi gjetur të varur në 7:30, pasdite”, thoshte Gazmendi.

Ai ka sqaruar se vëllai i tij ka jetuar në skamje, por që edhe ka pasur borxhe.

“Sigurisht është futur në borxhe për me mund me u nxjerr. Ai e ka shitë edhe do tokë këtu, 62 ari, i ka marrë do pare prej asaj toke, por nuk ka bërë kurrgjë me to. Kur e pyetshim se çka ka ba me pare që nuk po punon kurrgjë, ai na thoshte se kjo nuk është punë për ne”, shton Gazmendi.

Edhe vëllezërit e gruas së Safetit, thonë se ishin munduar ta ndihmojnë Safetin, duke e ditur se ai i kishte punët keq.

“Ka pas borxhe, ne e kemi ndihmu sa kemi mundur. Bile e ka shti në kredi edhe motrën (gruan e tij). Keq i ka pasur punët, por jo aq keq për me ia marrë shpirtin vetes”, thotë Blerim Gjeloshaj, vëllai i gruas së Safetit, i cili shton se Safeti derisa ka qenë pa martuar, por edhe kur është martuar për disa kohë ka jetuar në tendë.

Se Safeti u ka pasur njerëzve borxh, thonë edhe kushërinjtë e tij, të afërmit, por edhe të gjithë ata që e kanë njohur. Vetë babai i tij, Ganiu, thotë se Safeti u ka pasur borxh njerëzve, jo vetëm të komunës së Skenderajt, por edhe të Istogut, e vendeve tjera përreth Skenderaj.

Sipas fjalëve të tyre, Safeti kishte borxhe mbi 20 mijë euro, të cilat nuk kishte arritur t’i kthente.

Në këtë situatë, siç thonë të afërmit e tij, Safeti nuk kishte gjetur rrugë tjetër, përveç të vetëvritet. Ai disa herë kishte kërkuar edhe ndihmën e Komunës, për t’ia ndërtuar një shtëpi.

Në anën tjetër, në Komunën e Skenderajt, i kanë thënë gazetës, se mjetet kanë qenë të siguruara për ta ndërtuar shtëpinë e Safetit, por vetëm pritej që të përmirësohej koha.

Arben Veliu, koordinator i QRP-së, tha se me iniciativën e qendrës ishin gjetur donatorët, një bashkatdhetar nga Llausha që punon në Gjermani, një qytetar gjerman, si dhe Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale dhe se vetëm pritej koha që të niste ndërtimi i shtëpisë së Safetit.

“Mjetet kanë qenë të siguruara, ne kemi qenë dhe ia kemi parë gjendjen. Patëm vendosur t’ia ndërtojmë shtëpinë, por ja që tani ndodhi kjo. Por, pavarësisht se Safeti është vetëvrarë, ne do ta mbajmë premtimin dhe atë familje do ta bëjmë me shtëpi”, ka thënë sigurt Veliu.