Grupi kriminal i kryesuar nga Azem Syla

Kronika April 27, 2016 - 15:07

EULEX-i dhe Policia e Kosovës sot gjatë ditës kanë kryer një operacion kërkimi dhe arrestimi në kuadër të një hetimi pena.

EULEX  përmes një komunikate për medie kanë thënë se sot rreth 350 policë kanë bastisur rreth 42 lokacione, që lidhen me 40 të dyshuar të një hetimi penal që është duke vazhduar. Gjashtë  persona janë arrestuar gjatë operacionit dhe ata do të paraqiten sot më vonë para Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Kjo është komunikata e plotë:

Sot, me 27 prill 2016, u krye një operacion kërkimi dhe arrestimi ne kuadër të një hetimi penal, në vijim e sipër të PSRK-së, duke e zbatuar urdhrin e një gjyqtari të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Prishtinës, të lëshuar më 26 prill2016.

Operacioni është kryer në bashkëpunim në mes të Policisë së EULEX-it dhe Policisë së Kosovës.

Rreth 350 policë kanë bastisur rreth 42 lokacione, që lidhen me 40 të dyshuar të një hetimi penal që është duke vazhduar. Gjashtë (6) persona janë arrestuar gjatë operacionit dhe ata do të paraqiten sot më vonë para Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Hetimi ka të bëjë me një grup të madh të organizuar kriminal, i cili ka qenë aktiv nga viti 2006 e deri më sot, i përbërë nga qytetarë nga Kosova  dhe nga Serbia , i kryesuar nga Azem Syla.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar, secili me një rol të veçantë, për të privuar Kosovën nga pronat shoqërore në një vlerë përafërsisht prej 30 milionë eurosh, nëpërmjet veprimtarive kriminale, përfshirë falsifikimin e dokumenteve zyrtare dhe dhënien e ryshfetit për zyrtarët publikë. Të dëmtuarit janë buxheti i shtetit të Kosovës dhe familjet serbe te Kosovës, autorizimi i  të cilëve për të dhënë parcelat e tokave me qira është keqpërdorur nga grupi i organizuar kriminal.

Një pjesë e konsiderueshme e parcelave të tokës të përfshira janë sekuestruar përkohësisht me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Prishtinës më 26 prill 2016. Në radhë të parë,  ky proces ka për qëllim  ta rikthejë tokën në pronësi të pronarëve të ligjshëm publik.

Rasti përfshin veprat penale të krimit të organizuar; Pastrim parash; keqpërdorim i pozitës zyrtare; falsifikim i dokumenteve zyrtare dhe dhënie  dhe marrje  e ryshfetit.

Disa të pandehur në hetim janë qytetarë serbë, që jetojnë në Serbi. Gjatë hetimit ka pasur një bashkëpunim efektiv me Zyrën e Lartë të Prokurorit për Krimi  të Organizuar në Beograd.

 Urdhërat për arrest në lidhje me disa të pandehur nuk janë ekzekutuar, pasi që këta të pandehur janë arratisur  ose janë jashtë vendit.

Udhëheqësi i grupit, Azem Syla, deputet i Parlamentit, është në arrati në këtë moment. Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të Policisë së Kosovës gjatë dhjetë ditëve të fundit për ta përcaktuar vendndodhjen e Azem Sylës, ai nuk është gjetur dhe i ka ikur administratës.