​Rrahje në një kafiteri në Vushtrri, dy persona përfundojnë në spital

Kronika February 12, 2016 - 18:46

Policia e Kosovës në rajonin e Vushtrrisë njofton se njësitet policore të kësaj komune rreth orës 02:20 të datës 12. shkurt 2016, i janë përgjigjur me urgjencë një thirrjeje telefonike për një përleshje mes disa personave në një kafiteri në Vushtrri.

“Me të arritur në vendin e ngjarjes njësitet policore arrijnë që situatën ta vënë nën kontroll, ku mësohet se dy persona kishin pësuar lëndime nga përleshja dhe të njëjtit ishin dërguar për tretman mjekësor në QKMF Vushtrri”, thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, në vendin e ngjarjes policia ka identifikuar dhe arrestuar katër persona të dyshuar për pjesëmarrje në përleshje.

“ Të arrestuarit janë B.S. 51 vjeç, F.S. 29 vjeç, F.I. 40 vjeç, S.M 50 vjeç, të gjithë të përkatësisë etnike shqiptarë, banorë të Vushtrrisë”, thuhet tutje.

Nga hetimet e para të zhvilluara, përleshjes dyshohet t’i ketë paraprirë një mosmarrëveshje ndërmjet të dyshuarve dhe dy viktimave, B.H. 23 vjeç dhe Q.G. 24 vjeç, ku gjatë përleshjes ishin përdorur mjete të forta, si dhe dyshohet të jetë përdorur një sprej.

“Katër personat e dyshuar u janë nënshtruar procedurave intervistuese mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme për pjesëmarrje në përleshje, me vendim të prokurorit të çështjes katër të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policorë. Lënda është iniciuar dhe po hetohet lëndim i lehtë trupor”, thuhet në fund.