Kalon në Gjykatën e Apelit rasti i të arrestuarve te Manastiri i Deçanit

Kronika February 12, 2016 - 12:58

Javë më parë Policia e Kosovës kishte arrestuar katër persona në afërsi të Manastirit të Deçanit, nën dyshimin për përfshirje në grupe terroriste.

Për të arrestuarit ende nuk është ngritur aktakuzë që lidhet me terrorizëm, mirëpo atyre u janë konfiskuar sasi e madhe e armatimit, transmeton Indeksonline. Katër të arrestuarit pas dy ditësh u paraqiten në gjykatën e Pejës, mirëpo seanca e tyre ishte ndërprerë.

 Më pas Gjykata Themelore e Pejës u caktoi atyre masën e paraburgimit prej një muaji.

 E kontaktuar nga Indeksonline zëdhënësja e Gjykatës së Qarkut në Pejë, Selvane Bukleta ka thënë se tashmë rasti ka kaluar në Gjykatën e Apelit.

“Rasti ka kaluar me ankesë në Gjykatën e Apelit dhe është ende në fazën hetimore”, ka thënë Bukleta.

Indeksonline ka provuar të marrë edhe një qëndrim nga gjykatësja e procedurës parapake mirëpo ajo nuk ka pranuar të deklarohet me arsyetimin se nuk e ka të lejuar nga ana e prokurorit të flasë.

Arrestimi i këtyre personave në afërsi të Manastirit të Deçanit ka nxitur reagime të shumta të përfaqësuesve të Kishës Ortodokse Serbe dhe autoriteteve të Serbisë.

Të arrestuarve policia u kishte gjetur dhe konfiskuar një AK/47 me 20 copë fishekë, si dhe një pistoletë me 16 copë fishekë të kalibrit 9 mm.