Dënuan ministrin, u suspenduan policët (VIDEO)

Kronika February 12, 2016 - 07:48

Dy policë nga rajoni i Prizrenit ia shqiptuan dënimin shoferit të ministrit pa portofol të Qeverisë së Kosovës, Rasim Demiri, për vendparkim të gabuar të veturës. Por, kjo tiketë u kushtoi shtrenjtë policëve, Nazmi Jahiri dhe Enver Sejfullahu, të cilët u suspenduan më pas nga puna

Policët, Nazmi Jahiri dhe Enver Sejfullahu, po bënin punën e tyre të zakonshme kur me 13 korrik të vitit të kaluar kishin vendosur të shqiptonin një gjobë për një person që kishte parkuar veturën në vendin e ndaluar, në qytetin e Prizrenit. Vendimi për ta ndëshkuar shkelësin për ta “doli të ishte i gabuar”.

Personi që ngiste veturën zyrtare ishte shoferi i ministrit pa portofol në Qeverinë e Kosovës, Rasim Demiri, i cili me t’u afruar tek vetura iu kishte rekomanduar policëve që të mos shqiptonin dënimin, ndërkohë që ua kishte bërë me dije atyre se është ministër.
Por, fakti se në atë veturë po futej një ministër nuk u la fare përshtypje të dy policëve, të cilët thonë se në atë moment vetëm po e kryenin detyrën sipas ligjit.
Menjëherë pas këtij veprimi, ministri Demiri kishte ushtruar autoritetin e tij duke bërë kërkesë për suspendimin e policëve.

Përveçse kishte bërë ankesë, vetë ministri ishte përkujdesur që ta shfrytëzonte fuqinë që ka në rajonin e Prizrenit dhe menjëherë kishte ndodhur suspendimi i policëve. Atyre iu morën armët dhe kartelat zyrtare.

Në njoftimin zyrtar të Drejtorisë së Standardeve brenda Policisë së Kosovës, një kopje të së cilës e posedon edhe gazeta “Zëri”, ishte arsyetuar veprimi i ministrit, Rasim Demiri, e për më shumë në këtë dokument thuhej se të dy policët kishin bërë shkelje të rënda disiplinore dhe se për këtë po fillonin hetimet.

Polici paralizohet pas suspendimit  

“Dyshohet se më datën 13.07.2015 gjersa keni qenë në detyrë zyrtare keni kryer shkelje të rëndë disiplinore”, thuhet në vendim të Drejtorisë së Standardeve Profesionale.

Rasti kishte shkuar edhe në Inspektoratin Policor të Kosovës, institucion ky që kishte konstatuar se veprimi i policëve nuk përbën vepër penale.

Ndërkohë, të kontaktuar nga gazeta Policia e Kosovës nuk ka dashur assesi të deklarohet për këtë çështje.

Zyra për Informim e PK-së ka bërë të ditur se “Drejtoria e Standardeve Profesionale ka zhvilluar hetime disiplinore ndaj policëve në fjalë, ku ka dalë me raport dhe rekomandim për Komisionin e Brendshëm Disiplinor që policët Jahiri dhe Sejfullahu shpallen të pafajshëm”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Vendimi për suspendim përpos që u ka shkaktuar dëme materiale dhe morale policëve, njëri nga ta e ka pësuar edhe më keq. Nazmi Jahiri, i cili ka punuar polic për afro 30 vjet, me të marrë vendimin për suspendim, për diçka që e ka quajtur absurde, ka marrë një sëmundje shëndetësore që e bën të paaftë për punë, duke u paralizuar.

“Ministri pa portofol na ka ofenduar dhe na ka denigruar në çdo aspekt me fjalë të pavërteta, ku i ka bindur hierarkinë e Policisë se ne kemi bërë një shkelje serioze dhe e ka përdorur autoritetin zyrtar. Ne nuk kemi bërë kurrfarë shkelje, ishim duke e kryer detyrën zyrtare, nuk e kemi ofenduar, nuk e kemi nënçmuar, ne kemi respekt ndaj çdo qytetar e posaçërisht ndaj personave zyrtarë, por personi zyrtar nuk duhet të sillet ashtu sikur është silluar ai. Ne u suspenduam dhe si pasojë e gjithë kësaj unë kam pësuar lëndimet e mia jetësore, unë u paralizova krejt shkaku i këtij rasti”, ka thënë polici Nazmi Jahiri.

Ai posedon edhe raportin mjekësor në të cilin përshkruhet gjendja e tij shëndetësore. Në raport vërtetohet fakti se Nazmi Jahiri ishte shtruar në spital, si pasojë e pengesave në të folur dhe dobësimit të anës së djathë të trupit.

“Pacienti pranohet në repart nga emergjenca e Spitalit për shkak të pengesave në të folur dhe dobësim të anës së djathtë të trupit, pengesat e lartpërmendura paraqiten në mënyrë akute”, thuhet në raportin mjekësor.

Ndërsa polici tjetër i suspenduar, Enver Sejfullahu, ka treguar atë së çfarë ka ndodhur. Pasi ata kishin marrë dokumentet e veturës është afruar një person, i cili iu ka drejtuar policëve me ton të lartë.

Policët shpallen të pafajshëm

“Me të marrë dokumentet e veturës, ne kemi filluar ta shqiptojmë gjobën ndaj makinës, e cila ishte parkuar duke e bllokuar lëvizjen e lirë të komunikacionit, është afruar një person i panjohur, i cili na është drejtuar me një ton të lartë në gjuhën boshnjake, duke thënë se shikoni çfarë veprimi jeni duke bërë. Unë kam dalë nga vetura dhe e kam pyetur kush jeni ju? Ai mu ka drejtuar se unë jam njëfarë lloj ministri dhe vozitësi im është në atë veturë”, deklaroi ai.

Sipas Sejfullahut, me të shkuar në stacionin policor “ALFA” në Prizren, janë njoftuar se janë suspenduar për 48 orë nga puna, për shkak të një ankese të një qytetari. “Na u mor edhe arma, edhe kartela zyrtare mua dhe kolegut, ende pa e marrë vendimin për suspendim”, tha ai.

Pastaj prej aty vazhdojmë rrugën drejt Drejtorisë Rajonale të Policisë, konkretisht të drejtori, Nexhmi Krasniqi, i cili pa asnjë sqarim na lëshoi vendimin se jemi të suspenduar për 48 orë pa ndonjë arsye. Pas kësaj mase, ai thotë se iu vazhdua suspendimi edhe për tre muaj të tjerë me pagesë 50 për qind, derisa janë shpallur të pafajshëm.

Gazeta ka siguruar edhe vendimin e Komisionit të Brendshëm Disiplinor ku policët, Nazmi Jahiri dhe Enver Sejfullahu, u shpallën të pafajshëm.
“I akuzuari Nazmi Jahiri, punonjës i Policisë së Kosovës në Stacionin Policor në Prizren, në bazë të administrimit të provave materiale është shpallur i pafajshëm. Është argumentuar se më datën 13.07.2015, në rrugën “Adem Jashari” në Prizren i akuzuari Naim Jahiri, derisa kishte qenë në detyrë zyrtare së bashku me zyrtarin Enver Sejfullahu nuk kishte treguar sjellje të pahijshme ndaj ankuesit Rasim Demri”, thuhet në vendimin e Komisionit të Brendshëm Disiplinor të Policisë së Kosovës.

“Zëri” ka kontaktuar me ministrin pa portofol, Rasim Demiri, dhe i cili ishte shprehur i gatshëm që të fliste për këtë rast dhe akuzat që i ngarkojnë të dy policët. Megjithatë, ministri Demiri nuk është lajmëruar më në telefon.

Ndryshe, vendimin për kthim në punë e ka “gëzuar” vetëm Enver Sejfullahu, pasi ish-polici Jahiri ka mbetur i paralizuar dhe më nuk është kthyer kurrë në punë.