Dorëzohet i shumëkërkuari për rastin “Medicus” Kenan Demirkol

Kronika February 09, 2016 - 17:48

Është dorëzuar i shumëkërkuari prej drejtësisë kosovare mjeku turk Kenan Demirkol si i dyshuar për përfshirje në transplantimin e organeve i njohur prej rastit “Medicus”. Dorëzimi i tij është bërë më 25 janar të këtij viti, pas negociatave që kishte zhvilluar Demirkol me drejtësinë kosovare përmes avokatit të tij Ismet Shufta.

Ky i fundit për “Betimin për Drejtësi” ka thënë se mjeku Demirkol është dorëzuar vullnetarisht dhe ka shfaqur gatishmërinë e tij që të përballet me hetimet në çdo fazë. 

“Mjeku më ka kontaktuar vet dhe më ka kërkuar që të dorëzohet në mënyrë që të hiqet fletë arresti ndërkombëtar ndaj tij, pasi ishtë në kërkim nga Interpol”, tha avokati Shufta. Më pas, ai thotë se kishte drejtuar një shkresë në organet gjyqësore, duke shprehur gatishmërinë e klienti të tij që me disa kushte të ofrohej për drejtësinë në Kosovë.

“Në shkresë kam treguar se mjeku Demirkol dëshiron të jap deklaratë, por kushti i tij ka qenë që hiqet fletë arresti dhe mos të ndiqet nga organet e ndjekjes”, tha Shufta për “Betimin për Drejtësi”.

Bazuar në shkresat e lëndës së rastit “Medicus”, rezulton se pas shpalljes së aktgjykimit për  rastin e njohur si “Medicus 1”, ishin zgjeruar hetimet ndaj 9 personave, në mesin e të cilëve ishte edhe mjeku turk Kenan Demirkol. Avokati Shufta thotë se hetimet për këtë rast ishin pezulluar gjatë vitit 2014, për shkak se kishte persona të paarritshëm për drejtësinë kosovare.