Hoteli 'Amsterdam' në Gjakovë në flakë (Video)

Kronika February 07, 2016 - 18:06

Një pjesë e hotelit “Amsterdam” që gjendet rrugës për Prishtinë dhe një pjesë e një fabrike tekstili që është ngjitur me të është përfshirë nga një zjarr i madh, i cili ende nuk është shuar.

Një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer në hotelin “Amsterdam” në Gjakovë. Vatra e zjarrit është në kulmin e objektit që është pesëkatësh.

Komandanti i Policisë në Gjakovë, Kristë Gjokaj, ka treguar për KALLXO.com se rreth orës 16:30 kanë pranuar një informacion për një zjarr që ka shpërthyer në këtë hotel, që gjendet në periferi të qytetit, rrugës për Prishtinë. Sipas tij, nuk është raportuar për ndonjë person të lënduar.

Ekipet e Policisë menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Komandanti Gjokaj ka thënë se ende nuk dihen shkaqet e zjarrit, por dyshohet të jetë shkaktuar nga rryma.

LEXO EDHEGjini: Kam dëshirë të përballem me Mimoza Kusarin në Gjakovë (VIDEO)

Kristë Gjokaj ka treguar po ashtu se zjarri ka kapluar një pjesë të hotelit dhe një pjesë të një fabrike të tekstilit, ngjitur me hotel.

Në vendin e ngjarjes përveç njësive të Policisë kanë dalë edhe ekipet e KEDS-it, si dhe të Zjarrfikësve, të cilët po bëjnë gjithçka për ta shuar zjarrin edhe në këto momente.

Zjarrfikësve të Gjakovës në ndihmë u kanë ardhur edhe kolegët nga Peja.

Më 24 janar, një tjetër objekt hotelier është bërë shkrumb nga zjarri. Restoranti “Kalaja”, që gjendet vetëm rreth 100 metra larg hotelit “Amsterdam”, është shndërruar në gërmadhë nga zjarri që sipas pronarit është shkaktuar nga energjia elektrike.