14 policė tė dyshuar pėr seks me tė miturat
Foto: Laura Hasani

14 policė tė dyshuar pėr seks me tė miturat

SHPËRNDARJE

Selvije Bajrami • 27 Korrik 2015 • 08:27 •

Numri i policëve të dyshuar në aferën e seksit me të mitura, në Suharekë, nga nëntë është rritur në katërmbëdhjetë.

Numri i të dyshuarve është shtuar nga hetimet e Inspektoratit Policor të Kosovës për rastin e ngjarë më 9 qershor të këtij viti në Suharekë, ku një vajzë 14-vjeçare dhe një tjetër 15 ishin raportuar si të zhdukura, ndërsa gjatë asaj periudhe ato kishin pasur marrëdhënie seksuale me rreshterin e Policisë së Kosovës në Suharekë, SH.S.

Ky i fundit tash e më se një muaj po mbahet në paraburgim, ndërsa gjatë javëve sa ai ka qenë në paraburgim, IPK-ja e ka rritur numrin e policëve të dyshuar, të cilët në një formë apo tjetrë kanë ndikuar në këtë rast.

“Pesë policët e dyshuar së fundmi, njëri nga të cilët është rreshter, dyshohet se e kanë vizituar policin SH.S. gjatë kohës sa ka qenë në ndalim policor, përkatësisht e kanë mundësuar vizitën. Tre nga ta dyshohen se e kanë mundësuar vizitën, ndërsa dy nga ta dyshohet se e kanë vizituar. Ata dyshohet se të dyshuarit kryesorë gjatë vizitës në Stacion ia kanë marrë kartelën telefonike me qëllim të zhdukjes së provave”, ka thënë një burim i gazetës i afërt me rastin.

Por, zgjerimin e hetimeve e ka konfirmuar edhe vetë Inspektorati Policor i Kosovës.

“Si vazhdimësi e hetimeve lidhur me rastin e Suharekës, më date 10.07.2015, me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës e me vendim të drejtorit rajonal të Policisë - Prizren, janë suspenduar për 48 orë një (1) rreshter dhe katër (4) zyrtarë policorë, rreshteri dhe një zyrtar policor janë të punësuar në Stacionin Policor - Suharekë, ndërsa tre policët tjerë janë të punësuar në Stacionin Policor - Prizren”, ka njoftuar Arbër Beka, zëdhënës i Inspektoratit Policor të Kosovës.

Rreshteri dhe polici nga Suhareka, sipas Bekës, janë kthyer në punë pas 48 orëve të suspendimit, derisa tre policëve nga Prizreni iu është vazhduar suspendimi deri në përfundim të hetimeve.

Pavarësisht se dy nga ta janë kthyer në punë, të gjithë janë të dyshuar dhe atë për kryerjen e veprës penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Me pesë zyrtarët policorë, që së fundmi janë si të dyshuar, numri i të dyshuarve ka arritur në gjithsej 14 policë.

Gazeta “Zëri” pati raportuar më shumë se një muaj se dy vajza të mitura dyshohet se po abuzoheshin seksualisht nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës në kohën kur familjet kishin kërkuar nga Policia që t’i gjente ato, pasi i kishin raportuar për të zhdukura.

E tërë ngjarja ka nisur më 9 qershor, kur Nita (emri i ndryshuar nga Redaksia), 14 vjeçe, me prejardhje nga një fshat malor i komunës së Suharekës, ishte raportuar si e zhdukur nga gjyshja e saj. 58 vjeçes i kishte ardhur mbesa nga Italia për pushime dhe e njëjta për një javë nuk ishte kthyer në shtëpi.

Nita është gjetur gati pas një jave pas lajmërimit të Policisë për zhdukjen e saj. Saktësisht, më 16 qershor e mitura është gjetur në motel “Flamuri”, në Grejkoc të Suharekës.

Në momentin e gjetjes ajo kishte qenë e shoqëruar nga një mashkull nga po i njëjti fshat. Vajza ishte marrë në pyetje nga Policia dhe kishte treguar për “aktivitetet” e asaj jave.

Ajo kishte treguar se ka pasur marrëdhënie seksuale me disa persona, në mesin e të cilëve edhe me rreshterin e Policisë së Kosovës, SH.S., 38-vjeçar.

Nita kishte treguar se gjatë aktiviteteve të saj kishte pasur edhe “shoqe”. Në mesin e tyre kishte qenë edhe një 15 vjeçe nga një fshat tjetër, gjithashtu i komunës së Suharekës. Edhe kjo është gjetur nga Policia ditën e njëjtë në vila “Aroma”, që gjendet në Reshtan.

Dy të miturat kanë dhënë ndaras deklarata në Polici, ndërsa e përbashkëta e deklaratës së tyre është një person - rreshteri SH.S. Që të dyja, të marra në pyetje në prani edhe të punonjësve socialë, kanë treguar se kanë pasur marrëdhënie seksuale me rreshterin policor, i cili njëherazi edhe po e menaxhonte diskotekën “Meti” në Suharekë.

Duke u njoftuar për implikimin e zyrtarëve policorë në këtë rast të dyshuar të “Abuzimit seksual me të mitura”, Inspektorati Policor i Kosovës i ka nisur hetimet dhe më datën 19 qershor ka arrestuar rreshterin SH.S.

Këtë dhe detaje të tjera i pati konfirmuar për “Zërin”, zyrtarë nga IPK-ja dhe nga Prokuroria Themelore në Prizren, të cilët po hetojnë rastin.

“Për fshehje të veprës penale të kolegut”, më datën 24 qershor është arrestuar edhe një polic tjetër, i cili është liruar pas qëndrimit prej 48 orësh nën masën e ndalimit policor.

Më datën 23 dhe 24 qershor, në cilësinë e të dyshuarve janë intervistuar edhe gjashtë pjesëtarë të tjerë të Policisë së Kosovës, në mesin e të cilëve është edhe shefi i Hetimeve të Policisë në Suharekë.