Policia e Kosovës beson se ishte e gatshme për INTERPOL

Kronika November 20, 2018 - 16:47
Lexo detajet

Autoritetet në Kosovë besojnë se mospranimi në INTERPOL, ishte një padrejtësi që i është bërë Kosovës dhe një dëm i krijuar në përpjekjet për përfshirjen e shtetit më të ri evropian në luftën globale kundër krimit, korrupsionit, trafikimeve dhe terrorizmit.

Përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Kosovës e pranuan me zhgënjim rezultatin e votimit në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it që u mbajt në Dubai.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj e ka cilësuar rezultatin e votimit në Dubai, si vendim politik.

“Ajo që ndodhi në Asamble, ju siguroj që s’ka të bëjë asgjë më fushën e policisë, por me politikën. Shumica e delegacioneve kanë thënë që ende nuk kemi qëndrim politik. Vendimet do duhej të ishin policore, por fatkeqësisht ndodhi ajo që ndodhi”, ka thënë Qalaj.

Në Policinë e Kosovës thonë se kjo forcë ka strukturë të qëndrueshme organizative dhe është e organizuar në pesë departamente kryesore: i operativës, i hetimeve, i kufirit, i burimeve njerëzore dhe i shërbimeve mbështetëse.

LEXO EDHE: Histeria e delegacionit serb kur e kuptojnë që Kosova nuk u pranua në INTERPOL

Lufta kundër krimit trans-nacional edhe më parë ka qenë një nga objektivat e Policisë së Kosovës.

Zëdhënësi i saj, Daut Hoxha, thotë për Radion Evropa e Lirë që kjo polici në vazhdimësi ka qenë e gatshme për bashkëpunim ndërkombëtar.

“Mund të themi që, gjithnjë, Policia e Kosovës ka pasur një bashkëpunim të mirë me të gjitha organizatat vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë. Në këtë aspekt, janë realizuar edhe operacione të suksesshme policore që tejkalojnë kufijtë”, theksoi Hoxha.

Fatmir Xhelili, anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë, që Policia e Kosovës është dëshmuar për bashkëpunim korrekt dhe të drejtpërdrejtë ndërkombëtar në drejtim të ndjekjes së krimit trans-nacional.

“Besoj që Policia e Kosovës është ndër më të mirat në rajon. Nuk është se e them unë sipas vlerësimit tim personal, por e thonë edhe vlerësuesit e policive të Evropës Juglindore”, ka thënë Xhelili.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Hoxha, ka theksuar se aktualisht kapacitete e Policisë së Kosovës përfshijnë burimet njerëzore dhe materiale.

“Rol krucial ka shfrytëzimi dhe përdorimi efikas dhe efektiv i këtyre kapaciteteve, në funksion të menaxhimit të sigurisë, garantimit të rendit dhe sigurisë publike në përgjithësi. Policia e Kosovës tani numëron mbi 8 mijë e 500 pjesëtarë nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Në kuadër të tyre, rreth 1 mijë janë staf civil”, theksoi Hoxha.

Organizimi i Policisë së Kosovës ka dy nivele, atë qendror dhe lokal.

Niveli qendror nënkupton Drejtorinë e Përgjithshme e Policisë, e cila është përgjegjëse për tërë Republikën e Kosovës. Niveli lokal përfshinë 8 drejtori rajonale të Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës i ka vënë themelet e saj më 6 shtator të vitit 1999, kur Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE), në pajtim me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, pati hapur Shkollën e Policisë dhe kishte filluar trajnimin e gjeneratës së parë të Policisë së Kosovës, e cila nën administratën e UNMIK-ut ishte emërtuar si Shërbimi Policor i Kosovës.

Gjenerata e parë që kishte nxjerrë kjo shkollë, numëronte 176 pjesëtarë të cilët kishin përfunduar trajnimet dhe më pas kishin nisur ushtrimin e detyrës policore në gjithë territorin e Kosovës.

Aktualisht, sipas zyrtarëve të Policisë së Kosovës, detyrat dhe autorizimet e përgjithshme të policisë janë të qarta dhe të përcaktuara me Ligjin për policinë.