Një muaj paraburgim për gardianin e Burgut të Dubravës

Kronika November 20, 2018 - 15:28
Lexo Detajet

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.A., përshkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së dhe veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga nenin 428 paragrafi 2 të KPK-së.

Të pandehurit M.A., iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri M.A., në muajin mars të vitit 2018, në cilësinë e personit zyrtar Oficer Korrektues në Burgun e Dubravës, kishte keqpërdorë detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, ashtu që me dashje në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare kishte pranuar ryshfet prej 2 000 € nga i pandehuri A.L, me qëllim të lirimit të parakohshëm nga burgu të personit SH.H., i cili ishte në vuajtje të dënimit në burgun e Dubravës.

Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.A., është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.