Ministria konfirmon arrestimin e zyrtarit të FSK-së

Kronika November 19, 2018 - 16:52
Lexo Detajet

Një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës është arrestuar mbrëmë nga policia për armëmbajtje pa leje dhe posedim të narkotikëve.

Rastin për kallxo.com e ka konfirmuar edhe Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Ne konfirmojmë rastin në fjalë, se  personi është pjesëtar i FSK-së. Rasti i tij është në procedim nga Policia e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MFSK-së.

MFSK ka thënë  se rasti do të procedohet sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi për FSK-në.

“Për masat që do të ndërmerren do të njoftoheni me kohë”, thuhet në përgjigjen e MFSK-së.

Policia në raportin 24 orësh ka njoftuar se i dyshuari është arrestuar në fshatin Polac të Skenderajt, mbrëmë pas mesnatës.

Tutje, policia ka sqaruar se tek i dyshuari, pjesëtar i FSK-së është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me shtatë fishekë, një sasi e vogël e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë, letër mbështjellëse e cigares dhe një kuti e cila shërben për grirjen e kësaj bime.