Arrestohen dy zyrtarë të Ministrisë së shëndetësisë

Kronika November 19, 2018 - 16:24
Lexo Detajet

 

Dy  persona janë arrestuar në Prishtinë nën dyshimin për përfshirjen në veprat penale ‘përvetësim në detyrë’ dhe ‘keqpërdorim i pozitës zyrtare’.

Përmes një komunikate për media, është bërë e ditur se i dyshuari Sh. S. viti i lindjes 1981, m/k/sh, në cilësinë e inspektorit farmaceutik në Ministrinë e Shëndetësisë ka vepruar në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, pasi dyshohet se ka bërë zotime të mjeteve për avance për zyrtarët e AKPM-së.

“Nga viti 2015 deri në vitin 2018, janë bërë zotime në kundërshtim me ligjin, pa pasur aprovimet paraprake dhe nuk ka fare dokumentacion që arsyetojnë zotimin e mjeteve. Shuma e këtyre avanceve është: 1,127,499.00 € (një milion e njëqind e njëzetë e shtatë mijë e katërqind e nëntëdhjetë e nëntë)”, bëhet e ditur në komunukatë.

Ndërsa e dyshuara N. (Sh.) F. viti i lindjes 1981, f/k/sh, në pozitën e u.d. shef i Personelit në Qendrën Kombëtare për Transfuzionin e Gjakut, në cilësinë e zyrtares zotuese alternative për AKPPM-në, nga data 28.03.2014 deri 17.12.2014 ka kryer zotimet e mjeteve në shumën 99,415.00 € (nëntëdhjetë e nëntë mijë e katërqind e pesëmbëdhjetë). Për zotimet e realizuara nga e dyshuara gjithashtu mungojnë aprovimet paraprake dhe nuk ka fare dokumentacion që e arsyeton zotimin e këtyre mjeteve.

Këto mjete të zotuara nga të dyshuarit më pas i ka tërhequr nga banka i dyshuari M. S., i arrestuar nga Policia e Kosovë më 28.03.2018.

“Pas intervistimit personat e dyshuar me aktvendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore-Prishtinë dërgohen në ndalim për 48 orë”, përfundohet në komunikatë.