Ja sa paguhet për ditë një i burgosur në Kosovë

Kronika November 19, 2018 - 12:18
Lexo detajet!

Të burgosurit paguhen për punën që kryejnë brenda. Paga e tyre është e përcaktuar në bazë të rregulloreve të Drejtorisë së Burgjeve. Dita për punën që kryejnë atyre u paguhet në vlerë 1 euro. Drejtoria e burgut pretendon se kjo pagë është e mirë krahasuar me vendet e rajonit, shkruan "Zëri". 

“Paga e një të burgosuri është një (1) euro dita, kështu që të burgosurit kanë mundësi që brenda muajit të paguhen për punën që bëjnë. Nuk jemi keq me rajon, sepse në kemi vizituar edhe shtetet tjera, ku paga e një të burgosuri është 20 centë ose 50 centë dita, kurse ne momentalisht jemi mirë.  Një (1) euro paga ditore nuk është diçka e mirë, por për shkak se institucioni ofron ushqimin, fjetjen, ndriçimin dhe ujin, ndërsa atë pagë i burgosuri e shfrytëzon për mundësi të tij në fund të muajit për t’i blerë gjërat e nevojshme çka i duhen”, ka thënë Kelmendi për "Zërin".

Në bazë të rregullave evropiane janë të caktuara edhe kriteret e dhomave, ndërsa në Burgun e Sigurisë së Lartë është një privilegj që dhoma e një të burgosuri është 9.5 metra hapësirë që plotëson çdo standard.

Secili i burgosur e shfrytëzon i vetëm dhomën. Në këtë burg janë të gjitha kushtet çka i takon një të burgosuri për ta zhvilluar një jetë normale.

Secila dhomë është e pajisur me nga një televizor, frigorifer, një ibrik për vlimin e ujit, si dhe hapësira që i mjafton një të burgosuri të ndihet më i qetë.

Po ashtu secili i  burgosur i ka tavolinat në dhomë, si dhe mjetet që pranojnë ushqimin, e cila u shërbehet nga stafi i kuzhinës.

Këtu nuk ka ndonjë kuzhinë të përcaktuar që të burgosurit mund të ushqehen, pasi Burgu i Sigurisë së Lartë është i dizajnuar që ushqimi të shërbehet nëpër dhoma, pasi të burgosurit i kanë të gjitha elementet që  të shërbehen në dhomë.

Shkollimi i të burgosurve këtu nuk është i mundur aktualisht, pasi ka mungesë të kuadrove, edhe pse sipas drejtorit të këtij burgu është një lloj marrëveshjeje me Ministrinë e Arsimit dhe me Komunën e Podujevës që ata të ofrojnë kuadro.

Ai pohon se hapësirë për shkollim brenda këtij burgu ka, mirëpo arsimimi i të burgosurve varet nga Komuna dhe nga Ministria e Arsimit.

Megjithatë, stafi i burgut dhe bashkëpunëtorët kanë në plan që vitin e ardhshëm të mundësojnë ndonjë trajnim profesional të të burgosurve.

“Për aftësim profesional mbetet që ne me forcat tona të zgjedhim një trajner që në të ardhmen t’i trajnojë të burgosurit në lëmenj të caktuar. Jemi të interesuar në lëmin e elektricistit, ujëinstalues, saldues ose murator, që në këta tre lëmenj t’i trajnojmë të burgosurit që në të ardhmen edhe ata kur të dalin në liri të kenë një mundësi punësimi”, shprehet Kelmendi. /Zëri