Brenda burgut me 160 të dënuar mbi 15 vjet

Kronika November 19, 2018 - 07:58
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Është një ndër burgjet me sigurinë më të lartë në vend, ashtu siç e ka edhe emrin. Burgu i Sigurisë së Lartë në Gërdoc të Podujevës është hapur në maj të vitit 2014, kur ka filluar edhe pranimin e të dënuarve të kategorizuar me rrezikshmëri të lartë dhe shumë të lartë, që janë të përcaktuar për ta vuajtur dënimin në këtë burg. Aktualisht në këtë burg janë duke e vuajtur dënimin rreth 160 të burgosur, secili prej tyre i dënuar me mbi 15 vjet heqje lirie, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Numri i të burgosurve këtu dallon nga vendimet e gjykatave dhe të dënimeve që përcaktohen. Kapaciteti i Burgut të Sigurisë së Lartë arrin deri në 390 të burgosur. Të dënuar për “Vrasje”, “Vrasje të rëndë”, “Terrorizëm”, “Rrëmbime”, “Grabitje” e shumë vepra të tjera nga më të rëndat të burgosurit këtu kanë kushtet dhe të drejtat pothuajse të njëjta me të burgosurit në Bashkimin Evropian.

LEX EDHE: Nesër vendimi i INTERPOL-it për Kosovën

Ky burg ndahet në tri pavijone, në pavijonin numër një (1) vendosen të burgosurit me rrezikshmërinë më të lartë në vend.

Edhe pse ka nivelin më të lartë të sigurisë, këtu të burgosurit një kohë shumë të mirë të tyre mund ta shfrytëzojnë jashtë dhomës.

Ky burg është i pajisur me sistemin e kamerave, i cili është shumë i avancuar, telat censurues, të cilët japin sinjalin kur çdo person i paautorizuar afrohet në zonën e palejuar.

Pasi hanë mëngjesin, i cili shërbehet nëpër dhomat e tyre, ku në secilën dhomë është i vendosur nga një i burgosur, nga ora 8:00 deri në orën 11:00 ata kanë të drejtë të dalin jashtë dhomës të argëtohen me aktivitete të ndryshme, duke përfshirë fitnesin, shahun dhe aktivitete tjera sportive që i ofron ky burg.

">http://

Pas orës 11:00 vjen koha e mbylljes, ku stafi i burgut bën shpërndarjen e drekës, pastaj nga ora 13:00 deri  në orën 16:00  të burgosurit janë sërish të lirë përsëri për t’i shfrytëzuar sallat e rekreacionit, për të vazhduar pastaj me kohën e darkës.

Gjatë secilit vakt të burgosurit shërbehen me desert, ku përfshihen pemë të ndryshme dhe ëmbëlsira.

Mungesa e stafit në Burgun e Sigurisë së Lartë

Megjithatë Drejtoria e këtij burgu ka nevojë për rritje të stafit. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Burgut të Sigurisë së Lartë, Ilir Kelmendi, pohon se momentalisht në këtë institucion ka mungesë të stafit.

Ai thotë se janë në pritje të rekrutimit të stafit, procedurë kjo e cila tashmë ka nisur.

“Ka nevojë për më shumë staf. Kërkesa jonë ka qenë një numër pak më i lartë, mirëpo në bazë të konkursit që është hapur tash do të na ofrohen 60 oficerë që jemi të kënaqur. Po shpresojmë që procedura, procesi pak ka për të zgjatur, mirëpo, sido që të jetë do të na i mbulojë shumë vende të zbrazëta” shprehet ai.

Kelmendi shpreson se me përzgjedhjen e oficerëve të  rinj  që do të kyçen në këtë institucion do të rritet edhe mundësia të punohet me kapacitet të plotë.

Drejtori i këtij institucioni tregon mënyrën e sistematizimi të të burgosurve brenda këtij burgu.

“Me pranimin e të burgosurit ne së pari e vendosim në regjimin themelor ku bëhet vlerësimi i tij, aty kufizimi e lëvizjet janë pak më të kufizuara derisa të bëhet një vlerësim i tij. Pas një muaji komisioni i brendshëm e bën vlerësimin se në cilin regjim përcakton, do të thotë prej regjimit themelor shkon në regjimin standard e deri te regjimi i avancuar”, tregon ai.

Një i burgosur pasi ta kryejë gjysmën e dënimit, sipas Kelmendit, vendoset në pavijonin numër dy (2), që janë të burgosurit e tipit më të privilegjuar, ku kanë të drejtë edhe të kyçen nëpër vende të punës të cilat i ofron Drejtoria e këtij burgu aktualisht.

“Në përgjithësi të burgosurit janë të përcaktuar në kuzhinë, lavanteri, pjesa më e madhe në pastrim të perimetrit të jashtëm edhe të brendshëm. Kemi edhe një pjesë të të burgosurve që ekipi e vlerëson rrezikshmërinë e tyre dhe kur është rrezikshmëria e ulët atëherë ata i vendosim për të punuar edhe jashtë perimetrit, ku mbajnë pastërtinë, kositin barin gjatë sezonit të verës, gjatë dimrit heqin borën, janë këto vende që momentalisht mundemi t’i ofrojmë”, shprehet Kelmendi.

1 euro dita e një të burgosuri të punësuar

Të burgosurit paguhen për punën që kryejnë brenda. Paga e tyre është e përcaktuar në bazë të rregulloreve të Drejtorisë së Burgjeve. Dita për punën që kryejnë atyre u paguhet në vlerë 1 euro. Drejtoria e burgut pretendon se kjo pagë është e mirë krahasuar me vendet e rajonit.

“Paga e një të burgosuri është një (1) euro dita, kështu që të burgosurit kanë mundësi që brenda muajit të paguhen për punën që bëjnë. Nuk jemi keq me rajon, sepse në kemi vizituar edhe shtetet tjera, ku paga e një të burgosuri është 20 centë ose 50 centë dita, kurse ne momentalisht jemi mirë.  Një (1) euro paga ditore nuk është diçka e mirë, por për shkak se institucioni ofron ushqimin, fjetjen, ndriçimin dhe ujin, ndërsa atë pagë i burgosuri e shfrytëzon për mundësi të tij në fund të muajit për t’i blerë gjërat e nevojshme çka i duhen”, pohon Kelmendi.

Në bazë të rregullave evropiane janë të caktuara edhe kriteret e dhomave, ndërsa në Burgun e Sigurisë së Lartë është një privilegj që dhoma e një të burgosuri është 9.5 metra hapësirë që plotëson çdo standard.

Secili i burgosur e shfrytëzon i vetëm dhomën. Në këtë burg janë të gjitha kushtet çka i takon një të burgosuri për ta zhvilluar një jetë normale.

Secila dhomë është e pajisur me nga një televizor, frigorifer, një ibrik për vlimin e ujit, si dhe hapësira që i mjafton një të burgosuri të ndihet më i qetë. Po ashtu secili i  burgosur i ka tavolinat në dhomë, si dhe mjetet që pranojnë ushqimin, e cila u shërbehet nga stafi i kuzhinës.

Këtu nuk ka ndonjë kuzhinë të përcaktuar që të burgosurit mund të ushqehen, pasi Burgu i Sigurisë së Lartë është i dizajnuar që ushqimi të shërbehet nëpër dhoma, pasi të burgosurit i kanë të gjitha elementet që  të shërbehen në dhomë.

Shkollimi i të burgosurve këtu nuk është i mundur aktualisht, pasi ka mungesë të kuadrove, edhe pse sipas drejtorit të këtij burgu është një lloj marrëveshjeje me Ministrinë e Arsimit dhe me Komunën e Podujevës që ata të ofrojnë kuadro.

Ai pohon se hapësirë për shkollim brenda këtij burgu ka, mirëpo arsimimi i të burgosurve varet nga Komuna dhe nga Ministria e Arsimit.

Megjithatë, stafi i burgut dhe bashkëpunëtorët kanë në plan që vitin e ardhshëm të mundësojnë ndonjë trajnim profesional të të burgosurve.

“Për aftësim profesional mbetet që ne me forcat tona të zgjedhim një trajner që në të ardhmen t’i trajnojë të burgosurit në lëmenj të caktuar. Jemi të interesuar në lëmin e elektricistit, ujëinstalues, saldues ose murator, që në këta tre lëmenj t’i trajnojmë të burgosurit që në të ardhmen edhe ata kur të dalin në liri të kenë një mundësi punësimi”, shprehet Kelmendi.

Shërbimi shëndetësor në Burgun e Sigurisë së Lartë është i mbuluar 24 orë. Mjeku kujdestar është në dispozicion çdo ditë nga ora 8:00 deri në orën 16:00, janë edhe ekspertët tjerë që vizitojnë të burgosurit gjatë javës në bazë të planit që ata kanë.

Ata që vuajnë dënimet në këtë qendër korrektuese mund të vizitohen te psikiatri, te psikologu dhe kohëve të fundit është edhe një kirurg i cili  një herë në javë i kontrollon të burgosurit sipas nevojës. Këtu nuk mungon as dentisti, i cili vjen gjatë një dite të caktuar, mirëpo orarin e tyre e përcakton Ministria e Shëndetësisë (MSH).

Vizitat e familjarëve te të burgosurit në Burgun e Sigurisë së Lartë

Vizitat për të burgosurit janë të lejuara nga e hëna deri në të premten. Vizitat janë të përcaktuar sipas kategorive të të burgosurve, kjo për shkak se këtu ka edhe të burgosur joshqiptarë.

“Janë ditët e ndara nga e hëna deri në të premten, duke filluar nga ora 8:00 deri në orën 16:00 janë vizita të rregullta. E kemi një ditë të përcaktuar kur janë edhe vizitat në lokale të veçanta dhe ajo ditë është e ndarë vetëm për personat që i plotësojnë kriteret dhe u takojnë 3 orë vizitat me familje në lokale të veçanta që u lejohet me ligj”, tregon Kelmendi.

Tentim-arratisja e Bedri Krasniqit

Drejtoria e Burgut të Sigurisë së Lartë ka informacione të shpeshta për plane të arratisjes së të burgosurve.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Burgut të Sigurisë së Lartë, Ilir Kelmendi, thotë se këto informata gjithmonë janë të rëndësishme dhe merren seriozisht nga Drejtoria.

Informatat për plane të arratisjes Drejtoria më shumë i merr nga jashtë nga organet e Hetuesisë.

Pas informimit për një plan të tillë, Kelmendi pohon se masat e sigurisë  kalojnë nga plani “A” në planin “B.” Rreziku i arratisjes është më i madh gjatë transportimit të tyre në seanca ose në vizita mjekësore jashtë burgut.

“Çdoherë jemi të vetëdijshëm se në çfarë vendi të punës jemi dhe çdoherë jemi syhapur sepse ky vend ka një kategori të të burgosurve, jo vetëm Bedri Krasniqi, por edhe të tjerë që janë çdoherë potencialë për t’u arratisur, mirëpo ne jemi duke u munduar ta kryejmë punën tonë aq sa mundemi dhe aq sa kemi fuqi. Kemi informata për shumë raste, sidomos kur këta të burgosur kanë përcjellje jashtë institucionit, pasi aty është rreziku më i madh gjatë përcjelljes nëpër seanca ose nëpër spitale kur kanë termin të caktuar, atëherë ne ngremë masat e sigurisë”, tregon ai.

Pavarësisht gjithë kësaj sigurie, futja e telefonave dhe e gjësendeve të ndaluara në këtë burg është e pamundur të ndalohet. Avancimi i teknologjisë ka arritur në atë nivel saqë është shumë e pamundur të parandalohet futja e tyre.

Mirëpo në Burgun e Sigurisë së Lartë është mjeti i cili bllokon valët, përmes të cilit zvogëlohen gjasat e kontaktimit të burgosurve me jashtë edhe nëse posedojnë telefon.

“Ne posedojmë bllokuesin e valëve, që është një mjet i cili së paku e bllokon që edhe të burgosurit të tentojnë të fusin telefonin, mirëpo ka pasur tentime, janë parandaluar. Kemi pasur informata që ka brenda, kemi reaguar, por këto raste janë të pakta. E tyre është të tentojnë dhe jona ta parandalojmë”, shprehet Kelmendi.

20 të burgosur, pjesë e deradikalizimit në këtë burg

Një pjesë e madhe e të burgosurve, që do t’i nënshtrohen procesit të deradikalizimit, janë në këtë qendër korrektuese dhe në Dubravë.

Personat të cilët po i nënshtrohen këtij procesi, sipas Kelmendit, janë pak të veçuar prej të burgosurve të tjerë dhe janë të ndarë që të mos mundin të ndikojnë te të burgosurit tjerë.

“Tek ne nuk është numri i madh i tyre, janë rreth 20 të burgosur, një pjesë e tyre pritet të lirohen vitin e ardhshëm, pasi kanë arritur te përfundimi i dënimit. Është një panel i brendshëm i institucionit, i cili po merret me një program të tyre, i cili quhet ‘Kujdesi i tyre pas lirimit’. Këtu krejt qëllimi është që pas lirimit të tyre ata t’i kthehen shoqërisë, rrethit dhe të jenë qytetarë të ndershëm dhe të mos paraqesin rrezik për rrethin”, pohon i pari i Drejtorisë së këtij burgu.

Ai thotë se është përcaktuar imami në bashkëpunim me Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK), i cili në një ditë të caktuar gjatë javës u mban ligjërata jo vetëm këtyre personave, por të gjithë të burgosurve që janë të interesuar.

 Drejtoria e këtij burgu ka insistuar që përveç hoxhës, edhe prifti i Kishës Ortodokse nga Graçanica të ligjërojë për të burgosurit serbë që vuajnë dënimin këtu.

Pasi prifti nga Kisha Ortodokse ka lënë termin që në ditë të caktuara të mbajë predikime fetare dhe imami ka caktuar ditët e ligjëratave Drejtoria e këtij burgu është duke shqyrtuar mundësinë dhe është në kontakt që në të ardhmen edhe prifti i Kishës Katolike të  ligjërojë për të burgosurit që i përkasin kësaj feje. Krejt kjo me qëllim që asnjë nga burgosurit të mos ndihen të harruar.