Cena ia kishte kërkuar 30 mijë euro ryshfet pronarit të kompanisë 'Bylmeti KS'

Kronika November 17, 2018 - 18:50
Lexo detajet!

Zëvendësministri Musa Cena dhe shefi i Drejtorisë së Bujqësisë në Rahovec Nusret Shala dyshohet se duke bashkëvepruar kanë kryer veprat penale “Marrje e ryshfetit”, “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe “Ushtrim i ndikimit”, ndërsa pronari i kompanisë, Hazër Shehu, akuzohet për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të marrjes së ryshfetit” dhe “Keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar”, shkruan "Zëri". 

Lajmin për gazetën “Zëri” e ka bërë të ditur zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha.

Pasi i dyshuari Hazër Shehu kishte përgatitur planin e biznesit për kompaninë “Bylmeti KS” kishte shkuar te pronari i kësaj kompanie dhe i kishte treguar për ofertën që ia kishte bërë zëvendësministri Musa Cena. “Më është ofruar një person, i cili mund të të ndihmojë në përfitimin e grantit, mirëpo që për këtë ai ka kërkuar 15 për qind të vlerës së grantit”, i kishte thënë Afrim Berishës i dyshuari Hazër Shehu, thuhet në kallëzimin penal të Policisë.

Më vonë, në shtator të këtij viti, tre të dyshuarit ishin takuar në kafenenë “Toska” në Rahovec, gjatë bisedës njëri nga të dyshuarit, në këtë rast zëvendësministri Cena, i kishte thënë të dyshuarit tjetër Hazër Shalës se nga tash e tutje për punën e grantit ta ketë si kontakt personin që e quante Plator Shala e që në fakt ishte i dyshuarit i tretë Nusret Shala.

Ky i fundit kishte kërkuar nga i dyshuari tjetër Hazër Shehu që sa më shpejt t’ia dorëzojë paratë, pasi në të kundërtën do t’i refuzohej granti kompanisë “Bylmeti KS”.

Dy të dyshuarit, zëvendësministri Musa Cena dhe shefi i Drejtorisë së Bujqësisë në Rahovec Nusret Shala, kishin bërë presion të vazhdueshëm tek i dyshuari tjetër Hazër Shehu, pronar i kompanisë konsulente “Gentle Research”, që të marrë paratë nga i dëmtuari Afrim Berisha, pronar i kompanisë “Bylmeti KS”.

Kështu nën presionin e zëvendësministrit Cena dhe të dyshuarit tjetër Nusret Shala i dyshuari i tretë Hazër Shehu ishte takuar me të dëmtuarin Afrim Berisha, ku i kishte treguar për vlerën të cilën po kërkonin Cena dhe Shala. Mirëpo pronari i kompanisë “Bylmeti KS” kishte deklaruar se kjo shumë ishte e madhe dhe kjo i ishte përcjellë Cenës dhe Shalës përmes të dyshuarit Hazër Shehu. /ZERI