Ngrihet aktakuzë ndaj zëvendësministrit Cena dhe dy të tjerëve

Kronika November 17, 2018 - 08:20
Lexo tjera detaje
Image

Një muaj pas arrestimit të tyre Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj zëvendësministrit të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal Musa Cena, shefit të Drejtorisë së Bujqësisë në Rahovec Nusret Shala, si dhe ndaj pronarit të kompanisë konsulente “Gentle Research” Hazër Shehu. Tre të pandehurit tashmë kanë pranuar fajësinë dhe gjykimi pritet të përfundojë shpejt, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Zëvendësministri Musa Cena dhe shefi i Drejtorisë së Bujqësisë në Rahovec Nusret Shala dyshohet se duke bashkëvepruar kanë kryer veprat penale “Marrje e ryshfetit”, “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe “Ushtrim i ndikimit”, ndërsa pronari i kompanisë, Hazër Shehu, akuzohet për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të marrjes së ryshfetit” dhe “Keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar”. Lajmin për gazetën “Zëri” e ka bërë të ditur zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha.

Berisha ka pohuar se tre të pandehurit kanë pranuar fajësinë dhe gjykimi ndaj tyre pritet të përfundojë shumë shpejt. “Aktakuza është dorëzuar këto ditë në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Me mundësi të negocimit për pranimin e fajësisë është arritur marrëveshja për pranimin e fajësisë nga të pandehurit dhe së shpejti do të përfundojë edhe gjykimi”, është shprehur zëvendëskryeprokurori Berisha.

Ndërkohë, ish-zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal Musa Cena, shefi i Drejtorisë së Bujqësisë në Rahovec Nusret Shala, si dhe pronari i kompanisë konsulente “Gentle Research” Hazër Shehu ishin arrestuar më 20 tetor të këtij viti nga Policia e Kosovës.

Ndryshe, gazeta “Zëri” pas arrestimit të tre të dyshuarve kishte siguruar kallëzimin penal të Policisë, në të cilin përshkruhet në detaje e gjithë ngjarja.

Kallëzimi penal i Policisë së Kosovës

Sipas këtij kallëzimi, zëvendësministri Musa Cena dhe shefi i Drejtorisë së Bujqësisë në Rahovec Nusret Shala dyshohen se duke vepruar në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Marrje e ryshfetit”, “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe “Ushtrim i ndikimit”, ndërsa pronari i kompanisë, Hazër Shehu, dyshohet për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të marrjes së ryshfetit” dhe “Keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar”.

Për tre të dyshuarit duke vepruar në bashkëkryerje dyshohej nga Policia se kanë kërkuar ryshfet nga i dëmtuari Afrim Berisha, pronar i kompanisë “Bylmeti KS” me rastin e aplikimit për grant në Agresionin për Zhvillimin e Bujqësisë.

I dëmtuari Afrim Berisha duke vepruar sipas procedurave për aplikim në procesin e granteve ka kontaktuar me kompaninë konsulente “Gentle Research”, me tashmë të dyshuarin Hazër Shehu, pronar i kësaj kompanie, i cili ia kishte përpiluar të dëmtuarit planin e biznesit në vlerë prej 400 mijë eurosh, ku për 50 për qind të kësaj vlere ishte kërkuar mbështetje nga Agjencia për Zhvillim të Bujqësisë (AZHB).

Në fazën kur kompania e të dëmtuarit (Afrim Berisha) ishte shpallur në listën e fituesit potencial të grantit në vlerë prej 200 mijë eurosh i dyshuari Hazër Shehu, pronar i kompanisë konsulente “Gentle Research”, ka kërkuar nga i dëmtuari pagesën prej 15 për qind të vlerës së grantit, me arsyetim se këto para po i kërkojnë zyrtarë të Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë (AZHB).

Më tutje në këtë kallëzim thuhet se i dyshuari Hazër Shehu kërkesën për ryshfet e kishte bërë më 12 tetor 2018, rreth orës 10:30, në takimin që kishin pasur me të dëmtuarin Afrim Berisha në kafenenë “Mrika” në Fushë Kosovë.

Lajmërimi i rastit nga i dëmtuari në Njësitin Kundërkorrupsion të Policisë së Kosovës ishte bërë tri ditë më vonë, më 15 tetor. Pas këtij lajmërimi Policia kishte nisur veprimet hetimore, duke përfshirë këtu masat e fshehta dhe teknikën e hetimit.

Nga hetimet ishte zbuluar se në kërkim të ryshfetit ishin të përfshirë pronari i kompanisë konsulente “Gentle Research” Hazër Shehu, shefi i Drejtorisë së Bujqësisë në Rahovec Nusret Shala, si dhe zëvendësministri në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal Musa Cena.

Nga përgjimet e bëra Policia në kallëzimin penal pretendonte që i dyshuari Hazër Shehu i kishte thënë tashmë të dëmtuarit Afrim Berisha se vetë zëvendësministri Cena i kishte kërkuar atij të gjejë një person që ka aplikuar për ndonjë grant më të madh, në mënyrë që t’i ndihmonte, por në kompensim të kësaj atyre t’u jepej 15 për qind e grantit të fituar.  “Zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal duke qenë edhe bashkëvendës imi pas takimit që ka pasur në korrik të këtij viti në kafenenë “Monaco” ka kërkuar prej tij (Hazër Shehut) që ta gjejë një person që ka aplikuar për ndonjë grant të madh, në mënyrë që t’i ndihmojë në përfitimin e këtij granti, mirëpo që për këtë duhet të paguhet 15 për qind e grantit të fituar”, thuhej në kallëzim penal të Policisë së Kosovës.

Cena ia kishte kërkuar 30 mijë euro ryshfet pronarit të kompanisë “Bylmeti KS”

Pasi i dyshuari Hazër Shehu kishte përgatitur planin e biznesit për kompaninë “Bylmeti KS” kishte shkuar te pronari i kësaj kompanie dhe i kishte treguar për ofertën që ia kishte bërë zëvendësministri Musa Cena. “Më është ofruar një person, i cili mund të të ndihmojë në përfitimin e grantit, mirëpo që për këtë ai ka kërkuar 15 për qind të vlerës së grantit”, i kishte thënë Afrim Berishës i dyshuari Hazër Shehu, thuhet në kallëzimin penal të Policisë.

Më vonë, në shtator të këtij viti, tre të dyshuarit ishin takuar në kafenenë “Toska” në Rahovec, gjatë bisedës njëri nga të dyshuarit, në këtë rast zëvendësministri Cena, i kishte thënë të dyshuarit tjetër Hazër Shalës se nga tash e tutje për punën e grantit ta ketë si kontakt personin që e quante Plator Shala e që në fakt ishte i dyshuarit i tretë Nusret Shala.

Ky i fundit kishte kërkuar nga i dyshuari tjetër Hazër Shehu që sa më shpejt t’ia dorëzojë paratë, pasi në të kundërtën do t’i refuzohej granti kompanisë “Bylmeti KS”.

Dy të dyshuarit, zëvendësministri Musa Cena dhe shefi i Drejtorisë së Bujqësisë në Rahovec Nusret Shala, kishin bërë presion të vazhdueshëm tek i dyshuari tjetër Hazër Shehu, pronar i kompanisë konsulente “Gentle Research”, që të marrë paratë nga i dëmtuari Afrim Berisha, pronar i kompanisë “Bylmeti KS”.

Kështu nën presionin e zëvendësministrit Cena dhe të dyshuarit tjetër Nusret Shala i dyshuari i tretë Hazër Shehu ishte takuar me të dëmtuarin Afrim Berisha, ku i kishte treguar për vlerën të cilën po kërkonin Cena dhe Shala. Mirëpo pronari i kompanisë “Bylmeti KS” kishte deklaruar se kjo shumë ishte e madhe dhe kjo i ishte përcjellë Cenës dhe Shalës përmes të dyshuarit Hazër Shehu.

Zëvendësministri kishte pranuar që ryshfeti t’i paguhej me këste

Takimi mes të dyshuarve kishte vazhduar prapë, por tash në “Herta Center” në Fushë Kosovë, ku Nusret Shala i kishte thënë Hazër Shehut se pranon të zbresë shumën e ryshfetit nga 30 mijë në 25 mijë euro. Madje kjo pagesë ishte mundësuar të bëhej me dy këste, kësti i parë në vlerë prej 15 mijë eurosh ishte caktuar të bëhej deri më 18 tetor të këtij viti, ndërsa shuma prej 10 mijë eurosh do të bëhej pasi të nënshkruhej kontrata.

Më 20 tetor (e shtunë) Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Policës së Kosovës, duke vepruar sipas urdhëresave të Prokurorisë dhe gjyqtarit të procedurës paraprake, si urdhëresa për përgjim të telekomunikimeve, urdhëresa për videoincizim në vende publike dhe private, ishte zhvilluar një operacion policor, ku ankuesi Afrim Berisha duke vepruar nën monitorimin e Policisë ia kishte dorëzuar Hazër Shehut paratë në vlerë prej 15 mijë eurosh.

Para se të fillonte takimi mes të dyshuarit Hazër Shehut dhe të dëmtuarit Afrim Berishës, dy të dyshuarit tjerë, Nusret Shala dhe zëvendësministri Musa Cena, e kishin telefonuar të dyshuarin Hazër Shehu, duke e pyetur nëse pagesa në vlerë prej 15 mijë eurosh do të bëhej atë ditë (20.10.2018).

Takimi mes të dyshuarit Hazër Shehu dhe pronarit të kompanisë “Bylmeti KS” ishte bërë në kafenenë “Kafeneja Jonë” në Prishtinë nën monitorimin e Policisë.

Por gjatë këtij takimi i dyshuari Shehu i kishte kërkuar të dëmtuarit Afrim Berisha që paratë t’ia dorëzonte në zyrën e tij.

Pasi paratë i ishin dorëzuar në zyrën e tij kishte intervenuar Policia, ku gjatë kontrollit në zyrën e Hazër Shehut ishin gjetur 15 mijë euro.

Pas arrestimit nga Policia i dyshuari Shehu kishte pranuar të bashkëpunojë me Policinë, duke treguar se paratë në vlerë prej 15 mijë eurosh kishte për qëllim t’ia dorëzonte të dyshuarit tjetër Nusret Shalës dhe me këtë rast ai kishte pranuar që nën mbikëqyren e Policisë t’ia dorëzonte paratë Nusret Shalës.