Me kaq vjet burg mund të dënohet 'Burdushi' për mashtrim

Kronika November 16, 2018 - 14:23
Detajet

Para dy ditësh, Prokuroria Themelore e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj mjekut popullor, Hysni Peqanit, i njohur si Burdushi për mashtrim. Por, Burdushi sot u arrestua nga policia e Kosovës për shkak të deklaratave të dhëna në Televizionin 7, në emisionin Frontal Live. Me sa vjet burg mund të dënohet Burdushi sipas veprës që tashmë është ngritur aktakuzë?.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore e Prizrenit kishte të bënte me një mashtrim për 2,000 euro që akuzohet se i ka marrë një klienti për ta shëruar nga depresioni.

Pas kësaj, ai është ftuar në emisionin Frontal Live në T7, ku ka dhënë disa deklarata të fuqishme.

Ai kishte thënë se ka material që nëse publikohet "bëhet tërmet". Burdushi duke folur për personin që i ka ardhur si pacient që vuante nga depresioni, ka treguar se si në shtëpi i ka shkuar edhe një ministër për ta shëruar gruan e tij.

Pas këtyre deklaratave, sot në mëngjes Policia dhe Prokuroria kanë marrë rrugën drejt shtëpisë së Burdushit, ku kanë kryer bastisje. Gazeta Express ka siguruar pamjet nga shtëpia e Burdushit, ku shihet ekipi policor që ia ka bastisur shtëpinë atij sot në mëngjes. Aty Policia ka gjetur armë, plumba, para, CD, telefona mobilë dhe vula. Se në shtëpinë e Burdushit është kryer bastisje e ka konfirmuar për Gazetën Express edhe prokurori Petrit Kryeziu.

Por, aktakuza e prokurorisë e ngritur për mashtrim ndaj Burdushit, ka mashtruar një person që vuante nga depresioni, se do ta shërojë nëse kjo i kompensohet në shumën prej 2 mijë eurove.

Anëtarët e personit që vuante nga depresioni sipas prokurorisë kanë paguar këtë shumë të parave por që pas kalimit të një kohe pacienti nuk ka shfaqur shenja shërimi.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, vepra për “mashtrim” neni 335, parasheh burgim deri në 3 vjet për Burdushin.

Hysni Peqani i njohur si “Burdushi”, mund të dënohet me burgim nga 3 muaj deri në 3 vjet, nëse vërtetohet se ka kryer veprën penale – mashtrim, për të cilën është akuzuar nga Prokuroria Themelore e Prizrenit.