Rasti 'Pronto', të akuzuarit deklarohen të pafajshëm

Kronika November 15, 2018 - 10:14
Lexo tjera detaje

Njëmbëdhjetë të akuzuarit e rastit “Pronto” kanë mohuar akuzat që rëndojnë mbi ta dhe janë deklaruar të pafajshëm.               

Në seancën e shqyrtimit fillestar në këtë rast, 11 të akuzuarit, përfshirë ish-shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci,ministrin e  Inovacionit e Ndërmarrësisë, Besim Beqaj,Zenun Pajaziti, Arbenita Pajaziti, Njazi Kryeziu, Fatmir Shurdhaj, Sedat Gashi, Ilhami Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe  Rexhë Abazit.

Pas prezantimit të palëve kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti kërkoj nga palët të dije nëse duan të lexohet aktakuza, apo të konsiderohet si e lexuar.

Të akuzuarit u pajtuan që aktakuza të konsiderohet e lexuar, mirëpo me këtë nuk u pajtua prokurorja e Prokurorisë Speciale, Deita Hajdari.

Ajo kërkoi që aktakuza të lexohet.

“ Edhe unë jam palë në këtë procedurë dhe kërkoj të lexohet aktakuza”, u shpreh Hajdari. Megjithatë kryetari i trupit gjykues mori vendim që aktakuza të konsiderohet e lexuar, raporton "Zëri.Info".

Të gjithë të akuzuarit thanë që ndjehen të pafajshëm.

“Aspak s’e ndjej veten fajtor”, u shpreh Gravovci.  Njëjtë si Grabovci u deklaruan edhe 10 ta akuzuarit tjerë.

Gjatë seancës njëri nga të akuzuarit, Xhavit Dakaj pohoi se asnjëherë nuk ishte intervistuar nga prokurorja dhe se nuk e kupton si ka mund të ngrihet aktakuza ndaj tij.

“Për mua është e paqartë se si është ngritur aktakuza ndaj meje, kur unë nuk jam ftuar në intervistë nga prokurorja”,u shpreh Daka.

Aktakuza e prokurores së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për veprën penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”, përpos Grabovcit, Pajaziti e Beqajt, ngarkon edhe ish-kryesuesin e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziun, aktualisht këshilltar i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ish-shefen e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, ish-sekretarin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, ish-zëvendësministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj e ish-këshilltarin politik në MPB, Sedat Gashi.

Ndryshe, sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.

Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.

Kjo vepër për të cilën akuzohen këta zyrtarë dhe ish-zyrtarë, sipas nenit 193, paragrafit 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, është e dënueshme prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim.

Ky rast ishte publikuar nga mediat publike, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës.

Protagonisti kryesor i asaj që është quajtur si “Afera Pronto”, ka qenë ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabvoci. Në vitin 2011, për herë të parë ishin publikuar në media bisedat nga disa përgjime të EULEX-it, e ku Grabovci dëgjohej duke biseduar ndër të tjerash edhe me presidentin aktual

Hashim Thaçin, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe persona të tjerë të politikës, kryesisht të PDK-së.

Grabovci në atë kohë ishte duke u hetuar nga ana e EULEX-it për vepra korruptive në cilësinë e zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, mirëpo këto hetime ndaj tij ishin mbyllur në mungesë të provave./ZËRI

Image

Image