Prokurorisë mund t'i duhet mbi 1 muaj kohë për ta ndryshuar aktakuzën ndaj 'veteranëve të rrejshëm'

Kronika November 14, 2018 - 17:52
Lexo Detajet

Prokurorisë Speciale të Kosovës nuk i mjaftoi një muaj kohë, aq sa ia cakton ligji, për t’i bërë ndryshimet në aktakuzën e veteranëve. Ndryshime këto, të cilat ia kërkoi Gjykata Themelore në Prishtinë. Andaj kjo e fundit ka afat që deri në fund të nëntorit që t’ia përcjellë aktakuzën e kompletuar gjyqtares Afërdita Bytyçit.

Aktakuza për listat me veteranët e rrejshëm, e bërë gati nga prokurori i dorëhequr Elez Blakaj, u ngritë gjatë muajit tetor të këtij viti. Lënda e ish-Prokurorit Special i Republikës së Kosovës, e cila konsiderohet si njëra ndër lëndët me voluminoze që nga paslufta në Kosovë gjatë muajit shtator u dorëzua si e tillë në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Por nuk vonoi shumë dhe kjo e fundit e riktheu lëndën në Prokurorinë Speciale të Kosovës duke ia bashkangjitur së njëjtës disa kërkesa të veçanta.

Siç kishte njoftuar Gjykata Themelore e Prishtinës, “Arsyeja e kthimit të aktakuzës sipas kryetares së Trupit Gjykues bie për shkak se dispozitivi i aktakuzës në pjesën e përshkrimit faktik të veprës penale është konfuz dhe si i tillë nuk lejon mundësimin e procedimit të drejtë pa zvarritje e pengesa të shumta të këtij procesi.

Por, Prokurorisë Speciale të Kosovës, siç duket nuk po i mjafton afati prej një muaji për t’i bërë ndryshimet e kërkuara nga trupi gjykues i Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Do të duhet edhe një muaj kohë që prokurorët kosovarë t’i bëjnë këto ndryshime. Kështu  tha të mërkurën prokurori special, Sylë Hoxha, shkruan Express.

“Ne ende jemi duke punuar për këtë lëndë. Kemi kërkuar edhe disa kohë në mënyrë që të kompletohet e gjithë lënda”, ka thënë Hoxha, duke deklaruar se do t’i përmbahen të gjitha afateve ligjore rreth kësaj aktakuze.

E në kërkesën e prokurorisë do të jetë edhe një propozim i veçantë. Aty nga ana e prokurorëve do të propozohet një aktakuzë, e cila do t'i dërgohet gjykatës që veteranëve "mashtrues” t’u ndërpriten pagat.

Ndërkohë, aktakuza e veteranëve e cila u bë gati nga ish-prokurori Elez Blakaj, i cili dha dorëheqje pa e dërguar atë në gjykatë. Blakaj akuzonte pikërisht eprorin e tij, Reshat Millakun, se e ka "tradhtuar" gjatë përgatitjes së kësaj lënde.

Në letrën publike të shkruar nga Blakaj thuhej se ai dhe Millaku ishin dakorduar që për hetimet rreth listave të veteranëve të mos e informojnë kryeprokurorin e Shtetit, Aleksander Lumezi.

Blakaj akuzonte Lumezin se e ka penguar në punën e tij kur ka marrë në pyetje politikanë rreth aferës “Pronto”, por edhe gjatë hetimeve në rastin e veteranëve të rrejshëm.

Tutje, sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, për shtatë muajt e parë të këtij viti për këtë kategori janë ndarë më shumë se 44 milionë euro.