Policia tregon detaje për gjuajtjen me armë ndaj hajnave në Gjakovë

Kronika November 14, 2018 - 10:26
Lexo detajet!

Në mesnatë në qytetin e Gjakovës policia është përfshirë në një përleshje me katër persona me maska gjatë kohës kur këta të fundit kishin thyer një dyqan.

Një nga ta pas përleshjes me armë me policinë është arrestuar, ndërkaq, tre të tjerë janë ende në arrati.

LEXO EDHE: Përleshje me armë ndërmjet policisë dhe hajnave në Gjakovë

Gjatë orës 02:00 të mesnatës, në Gjakovë katër persona me maska kanë thyer një dyqan në qendër të qytetit. Policia e Kosovës gjatë patrullimit në rrugën “Konferenca e Bunjajt” ka vërejtur këtë vjedhje nga ku kanë vepruar menjëherë.

Policia, gjatë ndjekjes ka bllokuar rrugën, ndërsa, të dyshuarit kanë aksidentuar veturën e policisë dhe kanë filluar të ikin.

“Zyrtarët policorë në vetëmbrojtje dhe në realizim të detyrave dhe përgjegjësive ligjore, iu janë kundërpërgjigjur sulmeve me armë zjarri dhe njëkohësisht kanë vazhduar ndjekjen e personave të dyshuar. Në ndjekje e sipër në rrethana mjaft të rrezikshme zyrtarët policorë pas dy kilometrash kanë arritur ta ndalojnë dhe njëherit kanë arrestuar njërin nga të dyshuarit (M.R. kosovar/shqiptar i lindur 1991), ndërsa tre persona tjerë të dyshuar gjenden në arrati dhe në kërkim policor”, thuhet në komunikatën e policisë.

Vetura është konfiskuar nga policia së bashku me prova materiale. Me urdhër të prokurorit të shtetit personi i arrestuar është ndaluar, përderisa hetimet  po vazhdojnë në kërkim të të dyshuarve tjerë.

Sipas komunikatës policët e lënduar tek pas përfundimit të aksionit policor kanë marrë trajtimin mjekësor. /Express