Rrëfimi unik i hetuesit të huaj të krimeve të luftës në Kosovë

Kronika November 11, 2018 - 23:09
Lexo Detajet

Dihet se policët shpesh përballen me skena të tmerrshme krimesh, por një oficer i pensionuar kanadez ka parë më shumë se që mund të imagjinojë dikush.

Brian Honeybourn, rreshter i pensionuar i policisë në Vankuver, ka treguar se çfarë ka përjetuar si hetues i krimeve të luftës, 20 vjet më parë.

Honeybourn ka punuar 33 vjet në policinë e Vankuverit, dhe ka qenë një prej anëtarëve themelues të njësitit të krimeve të pazbardhura, raporton Langley Times.

Më 1999, Honeybourn kishte shkuar në Kosovë, për të hetuar krimet që kishin ndodhur këtu gjatë luftës, transmeton Gazeta Express.

“Më 1999, Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) pushtoi Kosovën, në bazë të një mandati të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, dhe kur trupat u futën brenda, zbuluan edhe varre masive. Natyrisht, trupat e NATO’s nuk ishin të përgatitura për t’u ballafaquar me diçka të tillë, prandaj vendeve të NATO’s iu çuan fjalë se duhet të dislokojnë një ekip mjekësh ligjorë në Kosovë”.

Pasi Kanadaja ishte kontaktuar, Honeybournit i kishin kërkuar të nisej drejt Kosovës, për të zhvilluar hetime për dy muaj.

“Më njoftuan dhe më kërkuan të vendosja brenda natës. Shkova në shtëpi, bisedova me gruan dhe me nënën time, dhe thash: ‘Do të shkoj’”.

Brenda disa ditësh, Honeybourn do të shkonte në Kosovë, si hetues në kuadër të ekipit, dhe si menaxher i logjistikës.

“Shkoja në vendet e krimeve, për të parë nëse mund të merreshim me to, me pajisjet që kishim”.

Honeybourn dhe ekipi i tij kanë qëndruar bashkë me trupat kanadeze gjatë hetimeve.

Gjatë kohës së tij në Kosovë, Honeybourn ka ndihmuar që të gjenden dhe të identifikohen kufoma në varreza masive.

“Në botë ndodhin shumë gjëra që s’raportohen fare”, thotë Honeybourn.

“Në javën e parë, në 10 ditët e para, kemi jetuar bashkë me trupat kanadeze në tendat e tyre, dhe kemi fjetur në shtretërit e tyre, dhe nuk e di se si mundet dikush kështu. Kemi dëgjuar të shtëna me armë gjatë natës – breshëri automatikësh, të shtëna sporadike. Ishte e vështirë të bëje një sy gjumë”.

Honeybourn thotë se një prej sfidave më të mëdha gjatë hetimeve ka qenë kryerja e autopsive në terren.

“Viktima jonë më e re ishte rreth dyvjeçare, ndërsa më e vjetra 105-vjeçare. Kam pasur për detyrë të vërtetoj se viktimat nuk ishin luftëtarë”.

Një sfidë tjetër, tregon ai, ka qenë kthimi i gjësendeve të viktimave, siç janë orët e dorës dhe unazat, tek anëtarët e familjeve të tyre.

Ai kujton edhe një rast: kur Vlora, një vajzë shtatëvjeçare në fshatin Llashticë, ishte qëlluar me plumb në fytyrë - dhe kishte shpëtuar.

“Zoti do të ketë qenë me të, sepse plumbi ose s’ka pasur fuqi të mjaftueshme, ose ka dalë nga një tytë e prishur e kallashnikovit. Në vend se të kalonte nëpër dorën e saj, të cilën e kishte para fytyrës, dhe ta vriste atë, ai ka humbur fuqinë, ka goditur gishtërinjtë e saj, dhe ia ka prekur fytyrën. Disa njerëz e kanë të vështirë ta besojnë këtë, por unë kam fotografi të kësaj vajze”.