Negociatat e anëtarësimit në BE, “screening” për kapitullin e drejtësisë, luftës ndaj krimit dhe trafikimit

Kronika November 11, 2018 - 12:47
Detajet

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka ftuar subjektet e interesuara për të paraqitur komentet e tyre, mbi projektvendimin e Qeverisë për krijimin dhe funksionimin e strukturës shtetërore, përgjegjëse për zhvillimin e negociatave të anëtarësimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Ky projektvendim po i nënshtrohet konsultimit ndërinstitucional, si dhe me shoqërinë civile e aktorë të tjerë, të interesuar në procesin e integrimit europian.

“Prek jetën e qytetarëve sa u përket normave për standardet ushqimore, për mbrojtjen e konsumatorit, për mbrojtjen e mjedisit. Prek interesat e grupeve të interesit të biznesit, sepse normat e BE-së do të rregullojnë në një masë të madhe mjedisin në të cilin zhvillohet biznesi, por edhe politikat fiskale”, tha Sokol Dedja, drejtor për BE-në në MEPJ.

Drejtori për Bashkimin Europian në këtë ministri tregon se, ndërkohë vazhdon puna teknike me Komisionin Europian për analizimin e legjislacionit të BE-së përmjet takimeve të “screening”-ut.

“Një takim të tillë e kemi duke filluar nga dita e hënë e për tri ditë, për një kapitull shumë të rëndësishëm si ai 24, që ka të bëjë me drejtësinë, lirinë dhe sigurinë. Një kapitull që ka të bëjë me luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër trafiqeve”, tha më tej Dedja.

Dialogu me institucionet europiane vijon edhe në nivel politik, me takimin e përvitshëm të Këshilit të Stabilizim-Asociimit që do të mbahet javën e ardhshme.

“Është një takim në nivel të lartë. Pala e BE-së përfaqësohet nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme, Mogherini, dhe Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn. Delegacioni ynë kryesohet nga ministri për Europën dhe Punët e Jashtme”, deklaroi Sokol Dedja.

Në këtë takim pritet të bëhet edhe një bilanc i punës së Shqipërisë, mbi kushtet për hapjen e negociatave./TCH