Plani i gardianit për arratisjen e malazezit ishte zbuluar nga Drejtoria e Burgut

Kronika November 09, 2018 - 08:08
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Drejtoria e Burgut të Sigurisë së Lartë rreth një muaj më parë kishte vërejtur lëvizjet e dyshimta dhe përqendrimin e madh të gardianit Stefan Veliçkoviq te malazezi i paraburgosur Mario Milosheviq, i cili ishte arrestuar në korrik të këtij viti nën dyshimin për “Armëmbajtje pa leje” e “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të substancave narkotike”, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

LEXO EDHE: Haradinaj e Hoxha, optimistë për liberalizimin e vizave

Këto dyshime sipas burimeve të gazetës “Zëri”, që ishin vërejtur edhe nga kamerat e burgut, kishin bërë që gardianit Veliçkoviq t’i ndalohet kontakti në pavionin në të cilin gjendet i paraburgosur malazezi Milosheviq.

Duke u bazuar në faktin se Drejtoria e Burgut të Sigurisë së Lartë nuk mund të përcillte lëvizjet e tij jashtë institucionit, dyshimet e saj ia kishte treguar Policisë së Kosovës, e cila menjëherë kishte nisur hetimet ndaj gardianit Stefan Veliçkoviq, shkruan më tutje "Zëri". 

Mirëpo derisa punonte në pavionin ku është i paraburgosur Mario Milosheviq, oficeri korrektues kishte bërë marrëveshje që në këmbim të 3000 eurove në qelinë e Milosheviqit të fuste mjete të palejuara, të cilat do të mundësonin arratisjen e tij nga burgu.

Mirëpo, në këtë plan oficeri korrektues i nacionalitetit serb Stefan Veliçkoviq nuk ishte i vetëm. Në bashkëpunim kishte edhe zyrtarin e Ministrisë së Diasporës, Petrit Mustafa.

I gjithë skenari i Veliçkoviqit dhe Mustafës për të ndihmuar malazezin Mario Milosheviq ishte zbuluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe të Korrupsionit të Policisë së Kosovës, e cila të mërkurën ka arrestuar dy të dyshuarit nën dyshimin se të njëjtit në bashkëpunim kanë kryer veprat penale “Marrje ryshfeti”, Neni 428, “Dhënie ryshfeti”, Neni 429 dhe “Përvetësim në detyrë”, Neni 425.

Sipas Policisë, dy të dyshuarit, duke shkëmbyer dhënien e parave në shumën prej 3.000.00 (tre mijë eurove) para të gatshme me qëllim që t’i mundësohet posedimi i telefonit një të paraburgosuri të nacionalitetit serb, i cili gjendet në Burgun e Sigurisë së Lartë.

Policia ka bërë të ditur se pas intervistimit dhe kompletimit të procedurave policore, me aktvendim të prokurorit, ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se pas arrestimit ka pezulluar nga puna oficerin korrektues Stefan Veliçkoviqin, i cili sipas SHKK-së ishte me vendpunim në Burgun e Sigurisë së Lartë.

“Pezullimi i tij është bërë pas një hetimi që ka rezultuar me tentimfutje të kontrabandës në këtë institucion të sigurisë së lartë. Zyrtari në fjalë pas hetimeve është arrestuar nga Policia e Kosovës”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

Prokuroria kërkon paraburgim për zyrtarin e Qeverisë dhe oficerin korrektues

Prokuroria ka bërë kërkesën për paraburgimin e dy të dyshuarve.

Zëvëndëskryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha, i ka thënë gazetës “Zëri” se Prokuroria ka marrë vendim për fillimin e hetimeve ndaj oficerit Stefan Veliçkoviq dhe zyrtarit të Ministrisë së Diasporës Petrit Mustafës për “Dhënie dhe marrje të ryshfetit”.

“Sot unë kam marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj Stefan Veliçkoviq dhe Petrit Mustafës në drejtim të veprës penale të ‘Dhënies së ryshfetit dhe marrjes së ryshfetit’ për të arratisur një person nga Burgu i Sigurisë së Lartë në Dyz”, është shprehur zëvendëskryeprokurori Berisha.

Sipas tij, zyrtari i Qeverisë Petrit Mustafa është i dyshuar për “Dhënie të ryshfetit” ndaj gardianit Stefan Veliçkoviq për ta arratisur të paraburgosurin malazez Mario Milosheviq. Berisha i ka thënë “Zërit” se veçse e ka dorëzuar kërkesën e tij për caktimin e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve.

“Unë kam bërë kërkesë për caktim të paraburgimit ndaj tyre dhe nesër (e premte) Gjykata vendos rreth kësaj kërkese”, ka thënë ai.

Dy malazezët, Mario Milosheviq i ashtuquajtur Mirosllav Kostiq dhe Gjorgje Paviqeviq, shtetasi serb Strahinja Dankoviq, si dhe kosovarja Laureta Zyba ishin arrestuar më 18 korrik të këtij viti nga Policia e Kosovës.

Arrestimi i tyre ishte bërë gjatë një operacioni policor të zhvilluar në dy lokacione në Prishtinë dhe gjatë kontrollit te të dyshuarit janë gjetur dhe janë sekuestruar dy armë, sasi e narkotikëve, një veturë, dokumente, që dyshohet se janë të falsifikuara, sasi e parave dhe gjëra të tjera.

Ndërkohë, vlen të theksohet se ditë më parë prokurori i rastit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Armend Hamiti, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka bërë të ditur se është në përfundim të hetimeve dhe shumë shpejt pritet të ngrihet aktakuza ndaj dy malazezëve, Mario Milosheviq i ashtuquajtur Mirosllav Kostiq dhe Gjorgje Paviqeviq, si dhe shtetasit serb Strahinja Dankoviq e kosovares Laureta Zyba.

Milosheviq ishte intervistuar edhe nga Prokuroria Speciale e Kosovës

Mario Milosheviq është intervistuar edhe nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) në kuadër të grumbullimit të provave lidhur me rastin e vrasjes së kreut të Iniciativës Qytetare Serbe (SDP) Oliver Ivanoviq në janar të këtij viti.

Milosheviq nga Prokuroria është intervistuar në cilësinë e dëshmitarit, mirëpo intervistimi i tij nuk ka ndihmuar në identifikimin e vrasësit ose zbardhjen e këtij rasti.

Ndaj Milosheviqit ka urdhërarrest ndërkombëtar në INTERPOL nga shteti i Malit të Zi nën dyshimet për kryerjen e veprës penale të shkallës së parë “Vrasje”.

Ndërsa malazezi tjetër i dyshuar, Gjorgje Paviqeviq, kërkohet nga shteti malazez për shkak të arratisjes nga Spitali Special Psikiatrik në Kotorr, ku ai po vuan një dënim me burg për veprën penale të “Rrëmbimit” në bashkëveprim me veprën penale të “Tentimzhvatjes”.