Kronika

Vrasja në natën e Shën Valentinit në Lipjan, dalin dëshmi të reja

Vrasja në natën e Shën Valentinit në Lipjan, dalin dëshmi të reja
08 nëntor 2018 • 18 : 14

Lexo Detajet

Një xhaketë e kaltër që e kishte të veshur viktima në momentin kur u qëllua për vdekje u bë objekt dyshimi në seancën e sotme gjyqësore që u mbajt në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Vëllezërit Besnik e Bajram Bedrolli akuzohen për vrasje të rëndë dhe armë mbajtje pa leje. Kjo vrasje ka ndodhur pikërisht më 14 shkurt të 2015’ës, kur viktima thuhet se kishte dalë me shoqëri të festojë lindjen e vajzës, por vdekja e gjeti në restorantin e vëllezërve Bedrolli në Lipjan.

Xhaketa e kaltër të cilën e kishte të veshur tani i ndjeri Urim Dushullovci, u bë objekt kryesor diskutues në seancën e sotme gjyqësore që u mbajt në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Gazeta Express ka përcjellë këtë gjykim edhe vitin e kaluar, kur kishte dëshmuar para trupit gjykues edhe vëllai i të ndjerit, Admiri. Sipas dëshmisë së tij të dhënë në vitin 2017, Urimi kishte dalë të festonte me shoqëri lindjen e vajzës së tij. Por, ai nuk u kthye më gjallë në shtëpi.

Të enjten, para trupit gjykues për të dhënë dëshmi dolën vëllezërit e akuzuar Besnik e Bajram Bedrolli, që në atë kohë, ishin bashkëpronar të një restoranti në Lipjan, në vendin ku u vra Urim Dushullovci.

Dëshmi dhe analiza dha sot në pjesën e parë të seancës edhe shefi i Divizionit për Dokumente, Dorëshkrime, Eksplozive, Zjarrvënie dhe Grimca të Barutit, Milazim Tahirukaj nga Agjencia Kosovare e Forenzikës.

Eksperti ishte thirrur në Gjykatë të dëshmojë lidhur me raportin e nxjerrë për çështjen e xhaketës së kaltër, që të veshur e ka pasur viktima atë natë.

Megjithatë, eksperti nuk pati kompetencë që të konstatojë se xhaketën e kishte të veshur viktima, konstatimin e këtij fakti më pas e bëri trupi gjykues në bazë të analizave dhe raportit të Balistikës të nxjerrë kohë më parë, por krejt çka e kishte për detyrë Tahirukaj të tregonte, ishte se a kishte mbetje të barutit në xhaketën e kaltër që ishte marrë në vendin e ngjarjes.

Sipas mbledhjeve të dëshmive dhe ekzaminimeve, Tahirukaj i tregoi trupit gjykues se xhaketa e kaltër, përmbante nitrite dhe nitrate, por nuk mundi të tregojë se këto lëndë a ishin në pjesën e brendshme apo të jashtme në xhaketës.

“Ne nuk bëjmë evidentimin se nitritet dhe nitratet a kanë qenë brenda xhaketës apo jashtë saj. Nuk mund të përcaktojmë se në cilën pjesë, por ne e kemi ekzaminuar në tërësi si xhaketë”, tha disa herë dëshmitari lidhur me këtë detaj të ekzaminimit, sepse atij kjo pyetje iu parashtrua nga të gjithë; trupi gjykues, avokatët mbrojtës të të akuzuarve dhe prokurori i rastit.

Në raportin e ekspertizës nga forenzika, ishte e konstatuar se prania e nitriteve dhe nitrateve tregon se xhaketa ka pasur mbetje të qitjes me armë zjarri, me prejardhje nga baruti.

E për ta sqaruar edhe më shumë se si ndahen llojet e barutit, pa e përfshirë edhe rastin në fjalë, ekspertit iu kërkua të tregojë në gjykatë se cilat janë bazat e barutit, sipas literaturës dhe sipas përvojës së tij.

Ai tregoi se baruti ndahet në tri baza. Baza e parë; nitroceluloza, baza e dyte; nitroceluloza dhe nitroglicerina, dhe baza e tretë; nitroceluloza, nitroglicerina dhe nitroguanibina.

E sa i përket nitriteve dhe nitrateve, eksperti sqaroi disa herë se këto dy lëndë gjenden në të tria llojet e barutit.

Kjo xhaketë e kaltër, pothuajse deri në përfundim të seancën nuk u mor vesh se a ishte e shpuar apo e shqyer. Këtë nuk e kishte për detyrë ta tregonte eksperti i forenzikës, mirëpo, ky fakt, më vonë u paraqit në gjykatë nga raporti i balistikës, të cilin e posedonin trupi gjykues, prokurori dhe dy mbrojtësit e të akuzuarve.

Nga mbrojtësi i të akuzuarit Bajram Bedrolli, avokati Nik Shala, u kërkua që të sillet në seancën e ardhshme po kjo xhaketë e kaltër dhe të shihet me sytë e trupit gjykues se a ishte e shpuar apo e shqyer.

Krejt dilema e këtyre dy pyetjeve lindë atëherë kur edhe të akuzuarit fillojnë të japin dëshminë e tyre rreth ngjarjes.

Të dy, vëllezërit, thonë se viktima Urim Dushullovci, kishte shtënë me armë zjarri, që e kishte në xhepin e djathtë të asaj xhakete.

“Një herë ka gjujt derisa e ka pasur armën në xhep dhe e shtëna e dytë ka ardh pasi e ka nxjerr armën prej xhepit”, tha Besniku.

Për shkak të dëshmive të tilla, mbrojtja kërkoi që xhaketa të sillet dhe të shihet me sy se a ishte e shpuar nga plumbat apo ishte në ndonjë formë tjetër e dëmtuar. Këtë konstatim e kanë dhënë më herët edhe ekspertët e balistikës dhe mjekësisë ligjore, por nuk u mjaftoi mbrojtjes me një raport ta dinë të vërtetën e gjendjes së xhaketës.

Por, krejt rasti nisi kur Urim Dushullovci bashkë me 5-6 shokët e tij, kishin shkuar në restorantin e të dy vëllezërve, kishin pirë dhe kishin filluar të thyejnë gota dhe shishe. Kështu të paktën dëshmuan sot të akuzuarit se ndodhi ngjarja.

Madje, Bajrami tha se kishte shkuar me mirësjellje t’iu kërkojë që ta lirojnë lokalin sepse po i traumatizojnë mysafirët e tjerë që ishin aty. Por, me t’u larguar nga lokali, Urimi ia kishte bërë me shenjë Bajramit që të dalë jashtë dhe aty kishin filluar edhe të shtënat me armë zjarri.

Besnik Bedrolli, i akuzuar për vrasje, pranoi para trupit gjykues aktin që e ka kryer mbrëmjen 14 shkurtit të vitit 2015. Ai tha se ka gjuajtur në drejtim të Urim Dushullovcit, për shkak se ky i fundit ka shtënë dy herë me armë zjarri dhe ishte frikësuar se e kishte vrarë vëllain e tij Bajram Bedrolli, i cili gjendej afër Urimit.

“Bajrami u kan t'u dasht me shku me ia kapë armën, ai ka gjujtë prej xhepit, qaty ku e ka pas armën. Nje herë ka gjujt prej xhepit e tani e ka nxjerr armën ka gjujt apet. Unë kom mëndu që e ka rrokë Bajramin edhe e ka vra, edhe jom tut mos po don edhe mu me më vra. Unë tani e kom gjujtë 3-4 herë me armë, nuk e di saktë”, rrëfeu Besnik Bedrolli derisa tha se i vije shumë keq për rastin që ka ndodhur dhe se nuk ka dashur ta vrasë askënd, por këtë e bëri për t’u vetëmbrojtur.

“Nëse i ndjeri nuk e kishte përdorë armën, unë nuk e kisha përdorë timen”.

Dëshmi të njëjtë më pas dha edhe Bajram Bedrolli, mirëpo ky tha se ka tentuar t’ia kapë dorën Urimit dhe ta ndalojë, edhe pse nuk e ka ditur sigurt se çfarë arme ka në xhepin e xhaketës, por e ka ditur se Urimi po nxjerr një armë nga xhepi.

“Pasi e ka shti dorën në xhep i ndjeri, shkrepja e parë me armë ka qenë e menjëhershme. Plumbi ka kalu në afërsi të dorës time të djathtë, nën dorë. Unë pastaj kam tentu t’ia heq armën nga dora të ndjerit, por ai e ka nxjerr armën dhe ka shtënë për herën e dytë”, tregoi Bajram Bedrolli para gjykatës.

Sipas dëshmive të të dy vëllezërve, pas dy të shtënave që i bëri Urim Dushullovci, ndodhi edhe vrasja e tij nga dora e Besnik Bedrollit.

“Pas kësaj, unë kam dëgju krisma të tjera të armës. Nuk e kom ditë kush ka gjujtë, por e kam ditë që nuk ishin të Urimit, pasi unë kisha të kapur atë për dorën time. Kjo ka ndodhur brenda pak sekondave”, ka dëshmuar Bajram Bedrolli.

Ai, ishte kthyer më pas mbrapa dhe ka parë Besnikun, për të cilin thotë se ishte në gjendje të keqe emocionale për aktin që kishte pak sekonda që ndodhi.

Besnik Bedrolli natën kritike, pas vrasjes kishte ikur nga vendi i ngjarjes, për t’u dorëzuar të nesërmen në polici. Të nesërmen, më 15 shkurt 2015, ishte arrestuar edhe Bajram Bedrolli.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, më 14 shkurt 2015 rreth orës 02:00 në fshatin Banullë të Komunës së Lipjanit Urim Dushullovci kishte dalë për të festuar me shokët e tij në një lokal.

Pas një mosmarrëveshjeje mes Besnik e Bajram Bedrollit dhe Urim Dushullovcit te dera e lokalit në fillim ndodh fjalosja, e pastaj Urim Dushullovci, por edhe të dëmtuarit Eroll Qyqalla e Skender Ademi sulmohen me mjete të forta dhe me kondak të revoles.

Në aktakuzë thuhet se kur Urim Dushullovci përdor armën e tij për të evituar sulmin, i pandehuri Besnik Bedrolli me revolen e tij në afërsi prej rreth një metri kishte shtënë katër herë në drejtim të Dushulllovcit, i cili nga plagët e marra vdes në vendin e ngjarjes.

Mediumi më 5 tetor të 2017’s ka përcjellë gjykimin ndaj dy të akuzuarve Bedrolli dhe ka publikuar dëshminë e vëllait të viktimës, dhe dy dëshmitarëve të tjerë të cilët treguar se si ka ndodhur kjo vrasje 2 vite më parë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Shtetit, pas një mosmarrëveshje mes Besnik e Bajram Bedrollit dhe Urim Dushullovcit te dera e lokalit në fillim ndodh fjalosja, e pastaj Urim Dushullovci por edhe të dëmtuarit e tjerë, Eroll Qyqalla e Skender Ademi sulmohen me mjete të forta dhe me kondak të revoles.

Duke përshkruar zhvillimin e mëtejshëm të incidentit, në aktakuzë pretendohet se kur Urim Dushullovci përdor armën e tij për të evituar sulmin, i pandehuri Besnik Bedrolli me revolen e tij në afërsi prej rreth një metri shtie katër herë në drejtim të Dushullovcit, i cili nga plagët e marra vdes në vendin e ngjarjes.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i plagosur me lëndime të rënda mbetet edhe i dëmtuari Agim Selmani, ndërsa të pandehurit ikin nga vendi i ngjarjes. Për plagosjen e personavë të tjerë, vëllezërit Bedrolli nuk u deklaruan, pasi thanë se në përleshjën që ndodhi të dera e lokalit, nuk ka pasur përsona të tjerë të përfshirë, përpos tyre dhe Urim Dushullovcit.

© zëri.info