Dy vite nga vdekja e Astrit Deharit, homazhe pranë varrit të tij

Kronika November 05, 2018 - 12:05
Lajmet e fundit nga vendi

Sot bëhen dy vite prej vdekjes së aktivistit të lëvizjes “Vetëvendosje”, Astrit Dehari. Në 2-vjetorin e vdekjes së tij VV-ja ka bërë homazhe pranë varrit të tij, e ku i pranishëm ishte edhe Albin Kurti, raporton “Zëri.info”.

Në fjalën e tij Kurti ka thënë që Deharin e kanë vrarë në burg dhe se deri më tani nuk është zbardhur asgjë nga drejtësia

‘’Në shtetin e kapur, burgjet janë fronte. Aty na e mbytën Astritin. Dy vjet më vonë ne kemi dhembje, sepse nuk e kemi Astritin dhe sepse nuk e kemi drejtësinë. Kur njeriu i drejtë e për drejtësi mbytet, krimi bëhet i pamatshëm. Ky krim nuk mund të falet sepse nuk mund të harrohet, nuk mund të harrohet sepse nuk mund të falet. Drejtësia për Astritin është liria në Republikë, për qytetarin aktiv, pa të cilën nuk ka republikë dhe as qytetari. Prangat në duart e Astritit dje, sot janë zinxhir i policisë e i prokurorisë, i gjyqësisë e i qeverisë, në duart dhe këmbët e qytetarit. Drejtësia për Astritin në Kosovë është vetë liria për qytetarin në Republikë. Astrit ishte i Lëvizjes, tash ne jemi të tij. Të fuqishëm si asnjëherë tjetër, sepse me një popull që na do si askush tjetër’’, tha Albin Kurti. /ZËRI