Sërish refuzohet lirimi me kusht i Sylejman Selimit

Kronika October 26, 2018 - 08:21
Image

Paneli për Lirim me Kusht të enjten ka aprovuar kërkesën për lirim me kusht të Jahir Demakut, ndërsa ka refuzuar atë të ish-gjeneralit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sylejman Selimi. Në vendimin e këtij paneli thuhet se Selimi nuk ka të drejtë të kërkojë lirim me kusht deri në shkurt 2018. Ndërkohë, brenda kësaj jave Gjykata Supreme pritet të marrë vendimin rreth kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë së Selimit dhe Demakut. Kështu ka bërë të ditur për “Zërin” kreu i kësaj gjykate, Enver Peci, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ish-gjenerali i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sylejman Selimi, nuk do të ketë të drejtë të kërkojë lirim me kusht të paktën deri në shkurt të vitit të ardhshëm. Kështu është vendosur nga Paneli për Lirim me Kusht, i cili të enjten refuzoi kërkesën për lirim me kusht të Selimit, ndërsa pas rishqyrtimit të kërkesës së Jahir Demakut e aprovoi lirimin e tij me kusht, kërkesë të cilën tre muaj më parë pikërisht ky panel e kishte refuzuar.

LEXO EDHE: Uzurpatorët frikësojnë investitorët

Koordinatori i Panelit për Lirim me Kusht Bedri Duraku, duke iu referuar vendimit të Panelit, i ka thënë gazetës “Zëri” se arsyet e refuzimit të lirimit me kusht të Sylejman Selimit janë pesha e veprës dhe koha e mbetur.

“Pas tre muajve ka të drejtë të aplikojë sërish për lirim me kusht, ose si fazë e rishqyrtimit vjen në mënyrë automatike pas tre muajve, para këtyre tre muajve nuk ka të drejtë. Pesha e veprës dhe koha e mbetur janë motivet e refuzimit të kërkesës për lirim me kusht të Selimit”, është shprehur Duraku.

Në anën tjetër, për ish-gjeneral Sylejman Selimin ka edhe një shpresë, pasi Gjykata Supreme e Kosovës gjatë kësaj jave pritet të marrë vendimin për kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë ndaj tij. Kështu të paktën ka deklaruar kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci.

Peci: Brenda kësaj jave pritet vendimi për kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë

Peci, i kontaktuar nga gazeta “Zëri”, ka pohuar se brenda javës pritet që kolegji i kësaj gjykate të vendosë për kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë ndaj Sylejman Selimit.

“Shumë shpejt, besoj brenda kësaj jave, do të kryhet. Nuk jam në Kosovë, por kështu i kam informatat prej Gjykatës, që brenda kësaj jave do të merret vendimi”, është shprehur kreu i Supremes, Enver Peci, për “Zërin”.

Gashi: Nuk pati vullnet politik të atyre që thirren në drejtësi

Vendimi i Panelit për Lirim me Kusht nuk është pritur aspak mirë nga mbrojtësi i Sylejman Selimit, avokati Tomë Gashi, i cili përmes faqes së tij në “Facebook” ka bërë të ditur këtë vendim. Gashi ka pohuar se edhe tentimi për lirim me kusht të Selimit ka dështuar, kjo sipas tij për shkak të mosvullnetit politik.

“As sot nuk lirohet gjenerali i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi. Qartas në mënyrë të kundërligjshme dhe pa vendim gjyqësor për 136 ditë Gjykata Supreme e Kosovës po e mban në burg Sylejman Selimin. Edhe tentimi i sotëm për ta liruar me kusht dështoi, pasi që nuk pati vullnet politik të atyre që thirren në drejtësi”, është shprehur ai.

Avokati Gashi më tutje ka thënë se janë bërë 136 ditë qëkur Selimi po mbahet padrejtësisht në burg, pavarësisht se Gjykata Supreme që nga qershori ka kthyer në rigjykim rastin e tij.

“Që të kemi sistem të këtillë juridik, që ta mbajnë mbi 5 vjet në burg me prova të montuara. Dhe për 136 ditë pa asnjë vendim gjyqësor ta mbajnë në burg komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, gjeneral Sylejman Selimin. Nuk besoj se keni luftuar për kësi sistemi të korruptuar juridik deri në palcë. Paneli për Lirim me kusht sot e liroi Jahir Demakun, por jo Sylejman Selimin... a thua pse?!”, është shprehur  Gashi.

Ndryshe, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Sylejman Selimi, dikur edhe komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ambasador i Kosovës në Shqipëri, ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Mitrovicë në rastin “Drenica 1” dhe “Drenica 2” me gjithsej 14 vjet burgim në maj të vitit 2015 për një vepër penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile. Sipas aktakuzës, Selimi në cilësinë e pjesëtarit të UÇK-së, në bashkëkryerje me një pjesëtar tjetër të UÇK-së të panjohur, “ka cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e një personi të paidentifikuar nga fshati Gllanasellë, i ndaluar në Qendrën e Ndalimit në Likovc, duke e rrahur shumë teksa ai po e pastronte dyshemenë e burgut.

Pas ankesave të avokatëve mbrojtës të bëra në vitin 2016 Gjykata e Apelit kishte zbritur vendimin nga 14 në 10 vjet burgim. Një vit më vonë, në korrik të vitit 2017, Gjykata Supreme e Kosovës kishte vendosur që ta zbresë dënimin nga 10 në 8 vjet burgim për ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Supremja e kishte modifikuar vendimin e mëhershëm të Apelit, duke i shqiptuar Selimit dënim të përgjithshëm prej 8 vjetësh burgim, duke ia llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim që nga viti 2014 e më tutje. Ndërkaq në qershor të këtij viti Gjykata Supreme e Kosovës ka kthyer në rigjykim rastin “Drenica 1”, pjesë e të cilit rast ishin Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku. /ZERI