Prokurorja që e mbylli një rast me drogë e heton rastin e djalit të shefit të AKI-së

Kronika October 24, 2018 - 08:00
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Prokurorja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Arbëresha Shala-Raqa, është caktuar që ta hetojë rastin e djalit të shefit të AKI-së, Shpend Maxhuni, i cili javë më parë ishte zënë nga Policia e Kosovës me armë pa leje në veturë dhe me substancë narkotike. Në prill të këtij viti ishte raportuar se e njëjta prokurore kishte mbyllur rastin për “Narkotik” të djalit të kolegut të saj prokuror, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Prokuroria Themelore e Prishtinës të martën ka caktuar prokuroren Arëbresha Shala-Raqa ta hetojë rastin e Shpëtim dhe Rinor Maxhunit, të cilët mbrëmjen e 12 tetorit të këtij viti u kapën nga Policia e Kosovës me armë pa leje e substanca narkotike në veturë, pronë e Enver Maxhunit, babait të kreut të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), Shpend Maxhuni.

LEXO EDHE: Shtatë vjet pa konsensus

Kështu ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” zëvendëskryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha, i cili ka pohuar se kallëzimi penal ndaj Shpëtim Maxhunit dhe Rinor Maxhunit ka arritur në Prokurori më 19 tetor 2018.

Shpëtim dhe Rinor Maxhuni, sipas prokurorit Berisha, ngarkohen për “Armëmbajtje pa leje”.

“Prokuror i këtij rasti është caktuar prokurorja Arëbresha Shala-Raqa. Ekziston dyshimi i bazuar se Shpëtim Maxhuni ka kryer vepër penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve’.

I njëjti dyshim është edhe ndaj Rinor Maxhunit, i cili është kushërini ose djali i vëllait të Shpend Maxhunit. Edhe pse Rinori ka thënë se është arma e tij, mirëpo Shpëtimit i është zënë arma në xhaketën e tij në automjet. Të dy këta janë të ngarkuar për ‘Armëmbajtje pa leje’”, është shprehur zëvendëskryeprokurori Berisha.

Rasti i “Narkotikëve” s’ka shkuar në Prokurori

Sipas tij, çështja e narkotikëve është në duar të Policisë së Kosovës dhe jo në të Prokurorisë. “Rasti për

‘Narkotik’ është një rast tjetër që ne nuk e kemi. Momentalisht nuk është në këtë kallëzim penal, ne e kemi rastin vetëm për ‘Armëmbajtje’ momentalisht. Çështjen e narkotikëve e ka marrë Njësiti për Narkotik që është në kuadër të Drejtorisë Policore të Kosovës”, ka thënë ai.

Raportimet se rasti i djalit të kryespiunit të Kosovës, Shpend Maxhuni,  ishte tentuar të fshihej, sipas Berishës nuk çojnë peshë, pasi para ligjit të gjithë janë të barabartë, pasi kallëzimi penal është në duar të Prokurorisë dhe rasti është hapur e procedohet tutje.

 Vetëvendosja kërkoi shkarkimin e Maxhunit

Në anën tjetër gjatë ditës së martë Komisioni për Mbikëqyrje të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI)  është mbledhur për të diskutuar skandalin e fundit në të cilin është përfshirë kreu i kësaj Agjencie.

Zëvendëskryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu, pas takimit ka pohuar se ishin anëtarë e këtij Komisioni që vijnë nga Vetëvendosja të cilët kërkuan  shkarkimin e kreut të AKI-së, Shpend Maxhuni.

“Sot kishte zëra të ndryshëm nga partitë opozitare, me theks të veçantë nga Lëvizja Vetëvendosje. Ishte një kërkesë për shkarkimin e drejtorit të AKI-së Shpend Maxhunit, por, megjithatë Komisioni me shumicë vlerësoi se fillimisht duhet të informohemi në vijë zyrtare për krejt çfarë ka ndodhur lidhur me rastin, se sa ka qenë ligjërisht i përfshirë drejtori i AKI-së në këtë rast, a ka pasur ndonjë ndërhyrje në rast dhe pastaj do të përgjigjemi në takimin e radhës”, ka thënë Musliu.

Mirëpo Musliu pohoi se anëtarët e Komisionit u pajtuan që të kërkohet nga Policia e Kosovës sqarimi në detaje e gjithë rrjedhës së kësaj ngjarjeje.

Pas shqyrtimit të raportit, ajo u shpreh se do të kërkohet sqarim pse është ndryshuar raporti dhe pse ka dilema ose dyshime nëse ka pasur tendencë për t’u ndryshuar.

“Në momentin që unë si kryesuese e këtij Komisioni do ta marrë përgjigjen nga institucioni përgjegjës, do ta ftojë Komisionin dhe bashkërisht do ta shqyrtojmë e do të marrim vendim për hapat e mëtutjeshëm. Nëse evidentohet se drejtori i  AKI-së Shpend Maxhuni ka bërë ndërhyrje ose ka tentuar të bëjë ndërhyrje në këtë rast, atëherë ne do ta thërrasim në përgjegjësi para Komisionit”, është shprehur ajo.

Sipas saj, menjëherë pas mbledhjes Komisioni do t’i drejtojë shkresë Policisë së Kosovës, ku do t’i kërkojë që në afatin më të shpejtë të kthejë përgjigjen.

Musliu u bëri thirrje organeve të drejtësisë që të kenë zero tolerancë për fëmijët ose për familjarët e përgjegjësve institucionalë.

AKI-ja është prekur edhe nga një skandal tjetër në fillim të muajit shtator të këtij viti, kur Isa Sejdiu punëtor në bufenë e kësaj Agjencie, ishte privuar nga jeta në vendin e tij të punës pasi ishte qëlluar me armë zjarri nga zyrtari i sigurimit të brendshëm të po kësaj Agjencie, Valon Ibërdemaj. Madje arma me të cilën ishte qëlluar Sejdiu ishte pa leje.

Ende janë misterioze motivet që kanë shtyrë të dyshuarin të qëllojë drejt kolegut të tij.

Në anën tjetër Gjykata Themelore në Prishtinë kishte caktuar 30 ditë paraburgim për të të dyshuarin Valon Iberdemaj.