Policia e Kosovës konfirmon sulmin ndaj pelegrinëve serbë në Istog

Kronika October 21, 2018 - 21:49
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Policia e Kosovës ka konfirmuar sulmin e sotëm ndaj dy autobusëve me pelegrinëve serbë në fshatin Studenicë të Istogut.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Xhevat Ibraj e ka konfirmuar për "Zëri.info" se gjatë ditës së sotme në fshatin Studenicë të Istogut janë sulmuar autobusët me pelegrinë serbë.

Bëhet e ditur se dy autobusët po bartnin rreth 170 pelegrinë serbë që ishin nisur për vizitën në Studenicë.

Ibraj ka sqaruar se sulmi ka ndodhur sot rreth orës 15:15 dhe jo në mëngjes siç kanë raportuar mediat serbe.

“Vizitorët diku rreth orës 13:15 sipas kërkesës që e kanë parashutuar për vizitë e një grupi rreth 170 persona që kanë bërë vizita në monumentet e kultit të tyre. Diku rreth orës 14:00 ata kanë arritur në fshatin Studenicë dhe e kanë kryer të gjithë ceremoninë fetare në këtë fshat në Manastirin e Studenicës dhe pas një kohe aty kur janë përgatit për nisje dhe dikush i ka gjuajtur me gurë dhe ia kanë dëmtuar disa xhama të autobusit. Sipas informacioneve që ne kemi, autobusët kanë qenë me targa të Beogradit. Njërit autobus i janë dëmtuar tre xhama derisa në autobusin tjetër është dëmtuar xhami i përparmë. Fatmirësisht nuk ka pasur asnjë të lënduar”, ka treguar Ibraj për lajmi.net.

Ibraj ka thënë se ky rast është nën hetim dhe se kryesit e këtij sulmi janë në kërkim të Policisë.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme ka reagur edhe drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq duke i quajtur sulmuesit ekstremistë fetarë.