Gjykata serbe: 'Šiptar' është fjalë fyese

Kronika October 21, 2018 - 21:01
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Nuk kalon asnjë javë që të mos hasësh në mediat serbe, sidomos ato bulevardeske, shpifëse dhe ultranacionaliste fjalën «šiptar».

Është një fjalë fyese, një fjalë me të cilën gazetarët dhe politikanët serbë, jo vetëm ata nacionalistë, duan t’i nënçmojnë shqiptarët, t’i përshkruajnë si «racë e ulët». «Šiptari» janë fajtorë për gjithçka, «šiptari» bëjnë plane për t’i shpallur luftë Serbisë, «šiptari» blejnë pronat e serbëve, «šiptari» duan të përndjekin serbët nga Kosova, «šiptari» pothuaj çdo ditë përgatisin diçka të keqe kundër Serbisë. 

Kjo retorikë nxitëse dominon titujt e gazetave si «Informer» apo «Kurir» dhe webfaqe të nëntokës parapolitike serbe.

Shumica e këtyre mediave janë nën kontrollin e regjimit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili në vitet ’90 ka qenë ministër për Informata i Sllobodan Millosheviqit. Tani Gjykata e Lartë në Beograd ka marrë një vendim të rëndësishëm kundër përdorimit të fjalës «šiptar».

Në fillim të vitit 2017 gazeta «Informer» kishte sulmuar rëndë disa aktivistë serbë të Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.

Ata u quajtën fashistë dhe armiq të Serbisë, të cilët përkrahin «šiptari», shqiptarët e Kosovës. Njëra nga aktivistet dorëzoi padi kundër fletushkës serbe.

Në vendimin e Gjykatës së Lartë, mes tjerash, thuhet se shprehja «šiptar» konsiderohet politikisht jokorrekte dhe me përmbajtje fyese në gjuhën serbe për pjesëtarët e nacionalitetit shqiptar të cilët jetojnë në Kosovë.

Gjykata po ashtu thekson ta quash një serb «šiptar» është e njëjtë sikur kur e etiketon dikë se po lufton kundër interesave nacionale serbe.

Gjykata e ka dënuar gazetën «Informer» për shkak të gjuhës së urrejtjes dhe shkeljes së nderit të aktivistes Anit Mitiq. «Informer» është ngarkuar nga gjykata t’i paguajë paditëses Mitiq një dëmshpërblim prej 100 mijë dinarë (rreth 840 euro) dhe 71 mijë dinarë (595 euro) për kompensimin e shpenzimeve të procesit gjyqësor. V

endimi i Gjykatës së Lartë në Beograd është i pari i drejtësisë serbe që merret me fjalën «šiptar» dhe e kualifikon atë si fyese. /Dialogplus.ch