Pezullohet shqyrtimi i kërkesave për lirimin e Sylejman Selimit dhe Jahir Demakut

Kronika October 20, 2018 - 08:28
Lexo tjera detaje
Image

Ka dështuar seanca për shqyrtimin e kërkesave për lirim me kusht të ish-gjeneralit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) Sylejman Selimit dhe të Jahir Demakut, e caktuar të mbahej të martën e kaluar nga Paneli për Lirim me Kusht. Derisa Gjykata Supreme e Kosovës të vendosë lidhur me  epilogun e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë Selimi dhe Demaku do të vazhdojnë të mbeten në burg, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Paneli për Lirim me Kusht nuk ka mundur t’i shqyrtojë kërkesat për lirim me kusht të ish-komandantit të  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) njëherësh të ish-ambasadorit të Kosovës në Shqipëri Sylejman Selimit dhe të Jahir Demakut.

Seanca e paraparë të mbahej të martën e kaluar (17 tetor) është pezulluar, pasi Gjykata Supreme e Kosovës ende nuk ka vendosur rreth kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë rreth lirimit të tyre nga burgu.

Koordinatori i Panelit për Lirim me Kusht, Bedri Duraku, i ka thënë gazetës “Zëri” se ky panel e ka pezulluar seancën për shqyrtimin e këtyre kërkesave deri në vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës rreth kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të bërë nga Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku.

“Paneli për Lirim me Kusht e ka pezulluar shqyrtimin e kërkesës së të dënuarve Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku, për arsye se në Gjykatën Supreme të Kosovës është parashtruar një kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë pikërisht për çështjen të cilën Paneli e ka pasur në trajtim në seancën e datës 17 tetor 2018. Prandaj çështja është pezulluar për të marrë informacione lidhur me epilogun e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë”, është shprehur Duraku.

Sipas tij, ky vendim i është dërguar Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK).

Ndërkohë zyrtarë të Gjykatës Supreme të Kosovës i kanë thënë gazetës “Zëri” se vendimi rreth kësaj kërkese pritet të merret shumë shpejt. 

Zëdhënësja e Gjykatës Supreme të Kosovës, Antigona Uka, ka sqaruar se kjo kërkesë tashmë është në procedurë dhe brenda pak kohësh Gjykata pritet të japë vendimin e saj. “Ju njoftoj se në Gjykatën Supreme është në procedurë kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë, lidhur me rastin PAKR, Nr. 456/2015 dhe se shumë shpejt pritet të merret një vendim”, ka thënë Uka.

Në fund të muajit të kaluar (shtator) ish-bashkëluftëtarët e Sylejman Selimit dhe të Jahir Demakut kishin mbajtur një protestë para Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë, duke kërkuar lirimin sa më të shpejtë të tyre. 

Organizatorët e protestës patën paralajmëruan se nëse nuk lirohen Selimi dhe Demaku protestat do të vazhdojnë me bllokimin e të gjitha institucioneve të Kosovës.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi, dikur edhe komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, edhe ambasador i Kosovës në Shqipëri ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Mitrovicë në rastin “Drenica 1”  dhe “Drenica 2” me gjithsej 14 vjet burgim në maj të vitit 2015 për një vepër penale “Të krimeve të luftës kundër popullatës civile”.

Sipas aktakuzës, Selimi në cilësinë e pjesëtarit të UÇK-së, në bashkëkryerje me një pjesëtar tjetër të UÇK-së të panjohur “ka cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e një personi të paidentifikuar nga fshati Gllanaselle, i ndaluar në Qendrën e Ndalimit në Likovc, duke e rrahur shumë teksa ai po e pastronte dyshemenë e burgut”.

Pas ankesave të avokatëve mbrojtës të bërë në vitin 2016, Gjykata e Apelit kishte zbritur vendimin nga 14 në 10 vjet burgim.

Një vit më vonë,  në korrik të vitit 2017, Gjykata Supreme e Kosovës kishte vendosur që ta zbresë dënimin nga 10 në 8 vjet burgim për ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Supremja e kishte modifikuar vendimin e mëhershëm të Apelit, duke i shqiptuar Selimit dënim të përgjithshëm prej 8 vjet burgim, duke i llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim që nga viti 2014 e tutje.

Ndërkaq në qershor të këtij viti Gjykata Supreme e Kosovës ka kthyer në rigjykim rastin “Drenica 1”, pjesë  e të cilit rast ishin Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku.