Sulmohet me koktej molotovi shtëpia e Qamil Hajrizit në veri të Mitrovicës

Kronika October 19, 2018 - 15:39
Lajmet e fundit nga vendi
Image

Shtëpia e Qamil Hajrizi, banor i “Lagjes së Doktorëve” në veri të Mitrovicës është sulmuar me koktej molotovi, të enjten rreth ores 21:00. Policia në veri të Mitrovicës e ka konfirmuar rastin, ndërkaq pronari i shtëpisë, Qamil Hajrizi, dyshon se shtëpinë e tij e sulmuan serbët, raporton “Zëri.info”

Ai ka thënë se në momentin kur është sulmuar shtëpia e tij me koktej molotovi, në të ndodheshin gruaja dhe vajza e tij. Sipas tij, pas sulmit ka shpërthyer zjarri, i cili ka shkaktuar dëme materiale, ndërkaq viktima në njerëz, apo edhe të lënduar nuk ka pasur. Hajrizi ka thënë, se sulme të tilla me koktej molotovi në shtëpinë e tij ka pasur edhe përpara.

“Sulmi ka ardhur nga ana prej serbëve. Policia i ka verifikuar ato dhe ka konstatuar se sulmi ka ardhur nga ana e ku janë serbët. Sulmi ka qenë i qëllimshëm. Ndjehemi vazhdimisht të rrezikuar, por kemi vendosur të qëndrojmë. Nuk ka këtu kontrolle të policisë, as kurrgjë, do të thotë që as shteti nuk është i interesuar për ne”, ka thënë ai.

Zhelko Bojiq, shef i Operativës në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, ka konfirmuar rastin.

“Të gjitha ekipet relevante policore menjëherë k anë dale në vendin e ngjarjes, për ta shikuar vendin. Zjarri ka shkaktuar dëme material të vogla, por që është lokalizuar me një intervenim të shpejt”, ka thënë Bojiq, i cili ka shtuar se në interes të hetimeve nuk jepen detaje të tjera për këtë rast.

Ndryshe, rastet e dhunës dhe zjarrëvëniet janë kthyer në veri të vendit. Para dy ditëve, persona të panjohur ka djegur një veturë të një serbi në Zubin Potok, ndërkaq, gjithashtu para pak ditëve, një polic i Kosovës është plagosur me armë në lokalin që mban ai në një rrugë në Mitrovicën veriore. /ZERI