Për gjashtë muaj u sekuestruan mbi 23 milionë euro pasuri të jashtëligjshme

Kronika October 19, 2018 - 08:26
Lajmet e fundit nga vendi
Image

Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë sekuestruar pasuri me vlerë mbi 23 milionë euro. Kështu ka bërë të ditur koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik dhe njëherësh prokuror i Shtetit, Shqipdon Fazliu. Ndërsa zyrtarë nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar pohojnë se për periudhën janar - shtator të këtij viti kanë realizuar 6 ankande dhe vlera e shitjes së mjeteve të konfiskuara ka arritur mbi 40 mijë euro

Vetëm nga janari deri në qershor të këtij viti sipas koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik dhe njëherësh prokuror i Shtetit,  Shqipdon Fazliu, janë sekuestruar pasuri në vlerë mbi 23 milionë euro, të cilat dyshohet se janë përfituar në mënyrë të paligjshme.

LEXO EDHE: Serbia siguron edhe 6 milionë euro për ujësjellësin në veri

Sipas Fazliut, gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur pasuri të konfiskuar. “Sa i përket vitit 2018, pra nga janari e deri në qershor të vitit 2018, kemi në total 23 milionë e 738 mijë e 560.21 euro pasuri të ngrirë ose të sekuestruar,  ndërsa nuk ka pasuri të raportuar si të konfiskuar. Ndërsa jemi në proces të grumbullimit të shënimeve për periudhën janar – shtator 2018, mirëpo së pari ato bëhen publike për KPK-në e mandej edhe për mediet”, është shprehur Fazliu.

Ndërsa një vit më parë, në  vitin  2017, sipas tij vlera e automjeteve dhe e pajisjeve teknologjike ka qenë mbi 20 mijë euro, ndërsa e pronave të patundshme kishte arritur shumën mbi 1 milion euro.

“Konfiskime automjetesh dhe pajisje teknologjike në vlerë 20 mijë e 315.92 euro, si dhe patundshmëri ku përfshihen shtëpi, banesa e prona të tjera, vlera arrin në 1 milion e 200 mijë e 315 euro”, ka thënë ai.

Sipas Fazliut, profili i të dënuarve të cilëve u janë konfiskuar pasuritë e tundshme dhe të patundshme ndërlidhen me veprat penale “Shpëlarjeve e parave”, “Keqpërdorim i detyrës” dhe “Rekrutim për terrorizëm”.  “Profili i të pandehurit në rastin e 1 milion e 200 mijë eurove është ish-gjyqtar dhe ai është dënuar për veprat penale ‘Shpëlarja e parave’, nga Neni 56, paragrafi 1 i Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit’ dhe ‘Keqpërdorimi i pozitës ose i autoritetit zyrtar’ nga Neni 422 i KPRK-së. Ndërsa për veprat penale Të konfiskimit të automjeteve” bëhet fjalë për veprat penale “Rekrutimi për terrorizëm” nga Neni 139, lidhur me Nenin 31 të KPRK-së”, është shprehur Fazliu. Ndërkohë, zyrtarë nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar kanë bërë të ditur se gjatë nëntë muajve të këtij viti janë realizuar gjashtë ankande.

AAPSK: Për nëntë muaj u realizuan 6 ankande me vlerë të shitjes mbi 40 mijë euro

Liridona Zeqiri, nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar (AAPSK), ka thënë se nga janari deri në shtator të këtij viti janë sekuestruar dhe janë konfiskuar pasuri në vlerë mbi 667 mijë euro. 

“Vlera e përafërt e pasurive të vlerësuara (sekuestrim dhe konfiskim) për periudhën e kërkuar është rreth 667 mijë e 581.87 euro. Sa i përket llojit të pasurive që janë pranuar në administrim gjatë kësaj periudhe kemi:  mjete transporti 2, para të gatshme, pajisje elektronike dhe të ndryshme”, ka thënë Zeqiri.

Sipas saj, për nëntë muaj të këtij viti kanë realizuar 6 ankande dhe vlera e shitjes së mjeteve të konfiskuara kishte arritur mbi 40 mijë euro.

“Ndërsa sa i përket ankandeve gjatë periudhës  raportuese (janar - shtator 2018) janë realizuar gjithsej 6 ankande publike dhe shuma e realizuar nga shitja është 43 mijë e 365.40 euro”, është shprehur ajo.

KDI: Gjykatat nuk kanë gatishmëri për të konfiskuar pasurinë e fituar në mënyrë të jashtëligjshme

Njohës të çështjeve të drejtësisë nuk janë aspak të kënaqur me punën e gjykatave rreth sekuestrimit dhe të konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.  Këshilltari ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Florent Spahija, pohon se nuk ka shumë zyrtarë të lartë të dënuar për korrupsion.

“Sa i përket sekuestrimit të pasurive në rastet e korrupsionit nuk është parë ndonjë gatishmëri e lartë e gjykatave për të sekuestruar dhe për të konfiskuar pasurinë e fituar në mënyrë të kundërligjshme sidomos nga vepra penale e ‘Keqpërdorimit të pozitës’. Kjo për faktin se nuk ka shumë zyrtarë të lartë të dënuar për çështje të korrupsionit”, është shprehur Spahija.

 Ai pohon se humbjet e buxhetit të shtetit nga krimi i organizuar dhe nga korrupsioni janë shumë të mëdha dhe për këtë do të ishte mirë që të rritet numri i sekuestrimeve dhe i konfiskimeve të pasurive të fituara paligjshëm.

“Çka kishte mundur të ishte më e rëndësishme për Kosovën është që ky numër të rritet në atë kuptim që njëkohësisht të rritet me luftën kundër korrupsionit. D.m.th. të mos jetë një numër që rritet në mënyrë të pakoordinuar me luftën kundër korrupsionit, pra është një mekanizëm shumë i mirë, i cili kishte dobësuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ky do të ishte një mekanizëm që shteti do të mundë ta përdorte shumë lehtë dhe të ketë përfitime, pasi humbjet janë shumë të mëdha prej korrupsionit dhe prej krimit të organizuar”, ka thënë ai.