220 vjedhje të bankave vetëm në këtë vit

Kronika October 18, 2018 - 11:01

Grabitjet nëpër banka janë bërë të zakonshme viteve të fundit në Kosovë. Vetëm për një javë në vend janë regjistruar dy raste të tilla. Por, se sa është numri i saktë i rasteve të grabitjeve që kanë ndodhur nëpër banka e për shumën e parave që kanë vjedhur hajdutët, në Policinë e Kosovës thonë se nuk e kanë një statistikë të tillë. Derisa deklarojnë se vetëm gjatë këtij viti janë raportuar 221 raste të grabitjeve, shifër kjo që për dy vitet e fundit arrin në rreth 500 raste të tilla, shkruan Gazeta Express.

Terminali doganor në Merdarë, të premten pasdite ishte cak i hajdutëve.

Katër persona të maskuar dhe të armatosur morën rrugën për të plaçkitur një filial banke që gjendej në këtë terminal, për të marrë paratë që besonin se gjendeshin në arkën e kësaj banke.

Por, rruga e tyre u shkoi dëm, pasi që ata nuk arritën të marrin asgjë prej aty, përveç se frikësuan punëtorët dhe kalimtarët përreth. Ky nuk është rasti i vetëm që një bankë grabitet.

Dy ditë pas këtij rasti, dy persona të armatosur ia mësynë një banke tjetër në Çagllavicë. Shuma e parave që hajdutët kanë marrë nga kjo bankë, besohet të jetë diku rreth 6 mijë euro.

Për këto dy raste, deri tani Policia ka arrestuar gjashtë persona, ndërsa është në kërkim edhe të tre të tjerëve.

Por, se sa banka janë grabitur në vend viteve të fundit e sa para janë vjedhur, këtë nuk po e dinë as institucionet e hetuesisë. Së paku nuk po ofrojnë informata të tilla.

Në Policinë e Kosovës thonë se ata mund të ofrojnë informata vetëm për rastet e grabitjeve në tërë Kosovën, pavarësisht ku kanë ndodhur.

Deklarojnë se vetëm gjatë këtij viti janë raportuar 221 raste të grabitjeve në vend, shifër kjo,  që për dy vitet e fundit arrin në rreth 500 raste të tilla

Derisa thonë se ata vazhdimisht kanë punuar në luftimin e dukurive negative dhe krijimin e një sigurie të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e vendit, qoftë përmes planeve operacionale policore apo edhe përmes fushatave të ndryshme vetëdijesimi.

“Policia e Kosovës është e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe krijimit te një sigurie me te madhe për te gjithë.

Çdo incident që rrezikon sigurinë e përgjithshme apo pengimin e realizimit te detyrave zyrtare, Policia do ti përgjigjet me vendosmëri dhe nuk do te ketë tolerancë ndaj shkelësve te ligjit”, thuhet në përgjigjet e Policisë.

Ndërkohë, që edhe numri i vjedhjeve është rritur shumë. Vetëm në dy vitete e fundit, në vend kanë ndodhur mbi 10 mijë vjedhje. Madje, për të realizuar qëllimin e tyre, hajdutetë nuk po i kursejnë as jetët e njerëzve e objektet fetare.

Por, edhe pse ka kaq shumë vjedhje në Polici thonë se në krahasim me vitet e kaluara, numri i vjedhjeve të rënda ka shënuar rënie.

‘Numri i vjedhjeve ka shënuar rënie, nga 6105, në 5735, ose rënie për 6.06%, ndërsa numri i vjedhjeve të rënda ka shënuar rënie, nga 5601 në 5222, ose rënie për 6.76%’, theksohet në raportin vjetor të punës së policisë.

Ndryshe, vjedhja është e dënueshme edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Në bazë të këtij Kodi, kryesi i kësaj vepre mund të dënohet deri në tre vjet burg.

Sipas Nenit 325 të Kodit Penal, ‘Kushdo që personit tjetër ia merr pasurinë e cila vlerësohet në shumën prej pesëdhjetë (50) Euro apo më shumë, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre (3) vjet.’

Ndërsa, nëse vlera e pasurisë së vjedhur është më pak se pesëdhjetë euro kryesi dënohet ose me gjobë ose me burg deri në gjashtë muaj.