10 zyrtarë policorë u arrestuan, ndërsa mbi 30 u suspenduan për nëntë muaj

Kronika October 17, 2018 - 07:59
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Brenda nëntë muajve të parë të këtij viti për përfshirje në vepra të ndryshme penale janë arrestuar 10 zyrtarë policorë, si dhe janë suspenduar 30 të tjerë. Njohës të çështjeve të sigurisë pretendojnë se pagat e vogla janë shkaktarë të keqpërdorimit të zyrtarëve policorë. Në anën tjetër, zyrtarë të Sindikatës së Policisë së Kosovës arsyetojnë policët duke theksuar se përballen me qytetarë të cilët e ndiejnë veten të paprekshëm dhe nuk e kanë problem që për një tiketë të bëjnë ankesë në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Nuk është i vogël numri i zyrtarëve policorë, të cilët edhe pse janë të thirrur të mbrojnë ligjin dhe rendin janë vetë ata të cilët nuk e respektojnë ose e shkelin duke kryer vepra penale.

LEXO EDHE: Shpendi po lëviz kah Qeveria

Madje disa prej tyre janë arrestuar për përfshirje në vepra penale “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve”.

Inspektorati Policor i Kosovës  (IPK) nga janari deri në shtator ka hetuar mbi 140 zyrtarë policorë për vepra të ndryshme penale.

Sipas zyrtarëve të  Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), veprat më të shpeshta në të cilat përfshihen zyrtarët policorë janë: “E rrezikimit të trafikut”, “Keqpërdorim i pozitës zyrtare ose i autoritetit”, “Lëndim i lehtë trupor”, “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose i autorizimeve publike”.

Zëdhënësi i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Arbër Beka, i ka thënë gazetës “Zëri” se  gjatë këtij nëntëmujori janë arrestuar 10 zyrtarë policorë, ndërsa 33 të tjerë janë suspenduar me rekomandim të këtij Inspektorati.

“Duke iu referuar të dhënave zyrtare që posedon Inspektorati Policor i Kosovës për në periudhën nëntëmujore të këtij viti (janar – shtator 2018), nga IPK-ja janë hetuar 142 punonjës të Policisë së Kosovës. Si rezultat i hetimeve dhe i nevojave të procedurës hetimore në këtë periudhë kohore janë arrestuar 10 punonjës të Policisë së Kosovës dhe një qytetar, pesë punonjës të Policisë janë transferuar me rekomandim të IPK-së dhe 33 punonjës të Policisë janë suspenduar  po ashtu me rekomandim të IPK-së”, ka thënë Beka.

Sipas tij, veprat më të shpeshta për të cilat hetohen zyrtarët policorë janë rastet e “Rrezikimit të trafikut”, “Keqpërdorim i pozitës zyrtare ose i autoritetit”, “Lëndim i lehtë trupor”, si dhe “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose i autorizimeve publike”.

Islami: Paga e policëve të nivelizohet me pagat e profesorëve universitarë

Shumica e policëve, të cilët kryejnë detyra të jashtëligjshme, kategorizohen në dy kategori sipas profesorit të shkencave të sigurisë në Universitetin e Prishtinës, Avni Islami.

Sipas tij, në kategorinë e parë përfshihet një strukturë e policëve, të cilët janë të lidhur me kriminalitetin e dhe me njerëzit e politikës.

Këta zyrtarë policorë sipas Islamit kryejnë vepra penale dhe e keqpërdorin pozitën zyrtare pasi llogariten se janë disa huliganë.

Kjo kategori e policëve, sipas tij, shumë pak preken nga ligji ose nuk suspendohen, ose edhe kur suspendohen kalojnë në një pozitë tjetër të të njëjtit nivel, madje edhe më të lartë.

Kategoria tjetër e policëve, të cilët e keqpërdorin detyrën zyrtare,  sipas Islamit, i takon strukturës së policëve të cilëve nuk u mjafton paga, e cila është e vogël.

Sipas një statistike, rreth 70 për qind e policëve janë në kredi për shkak të pagave të ulëta.

Pavarësisht asaj që sipas disa raporteve Policia e Kosovës në krahasim me policët e vendeve të rajonit është thuajse në një nivel të pagave, Islami pohon se nuk duhet të bëhet ky krahasim pasi kryesisht familjet e policëve kosovarë janë të varur nga një pagë.

Kjo sipas tij është një ndër faktorët që i shtyn policët të marrin mitë. Megjithatë Islami thotë se kjo nuk i arsyeton veprimet e tyre të kundërligjshme.

Ai pohon se paga e policëve duhet të nivelizohet me pagën e profesorëve universitarë.

“Unë mendoj që paga e policit do të duhej të nivelizohej me pagat e profesorëve universitarë. Një polic i cili do ta kishte pagën e mirë do ta bënte një jetë të dinjiteteshme dhe kësisoj ai polic do të ishte në gjendje ta ruajë vetveten dhe të jetë në shërbim të ligjit, të popullit dhe asnjëherë nuk do t’i shkonte mendja që të bëhet korruptimi në raport me ta. Besoj se pagat që marrin policët nuk i plotësojnë kushtet që një polic ta bëjë një jetë të dinjitetshme dhe ta mbajë familjen dhe në të njëjtën kohë ta kryejë detyrën siç duhet”, ka thënë ai .  

Zyrtarë të Sindikatës së Policisë së Kosovës arsyetojnë policët, duke theksuar se përballen me qytetarë që e ndiejnë veten të paprekshëm dhe nuk e kanë problem që për një tiketë të bëjnë ankesë në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK).

Tasholli: Numri i policëve që po keqpërdorin detyrën është në rënie

Shaban Tasholli, nga Sindikata e Policisë së Kosovës, pohon se keqpërdorime të tilla ndodhin thuajse në çdo institucion. Ai pretendon se numri i policëve që po keqpërdorin detyrën është në rënie.

Tasholli nuk pajtohet me atë se paga e vogël është shkak i përfshirjes së zyrtarëve policorë në vepra penale.  

“S’mund të jetë paga e vogël arsyetim për keqpërdorim të detyrës nga ana e policit. Nuk mundemi të ankohemi se ka kushte të këqija, por një gjë mund ta them që në masat disiplinore kemi raste kur me letra anonime hetohet polici”, ka thënë ai për “Zërin”.

Tasholli pohon se ka njerëz që nuk e pranojnë urdhrin e policit ose një shqiptim të tiketës dhe mundohen ta bëjnë aq të madhe duke shkuar në Inspektorat, ankesë të cilën IPK-ja medoemos duhet të ndërmarrë masa për ta shikuar çfarë ka ndodhur.

“E kemi një mbikëqyrje edhe nga qytetarët, por ka shumë raste kur shumë qytetarë pasi kanë bërë kundërvajtje dhe pasi i është shqiptuar tiketa nga polici mundohet të alarmojë pasi ai e ndien veten të paprekshëm dhe mundohet ta bëjë atë punë të madhe duke shkuar në IPK. Prandaj më shumë kemi probleme me njerëz që po e ndiejnë veten të paprekshëm ndaj policit sesa ndaj një qytetari i cili është i rëndomtë,  i rregullt dhe e pranon tiketën,  e urdhrin e polici”, është shprehur Tasholli.

Përveç të dhënave nëntëmujore, më 7 tetor IPK-ja përmes një njoftimi ka bërë të ditur se ka arrestuar një zyrtar policor të dyshuar për veprën penale “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve” Arrestimi i tij ishte bërë në bashkëpunim me  Policinë e Kosovës, pas një hetimi disamujor dhe të aplikimit të masave të fshehta me autorizim të Prokurorisë Themelore të Ferizajt.

Arrestimi i zyrtarit policor B.J , i cili ishte punonjës i Stacionit Policor në Ferizaj, ishte bërë në pikëkalimin kufitar në Vërmicë me dyshimin se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, e paraparë me Nenin 273, të Kodit Penal të Kosovës.

Gjatë kontrollit të detajuar te i dyshuari ishin gjetur një sasi prej mbi 500 gramësh e substancës që dyshohet të jetë substancë narkotike e llojit kokainë.

Me vendim të prokurorit kompetent ndaj tij ishte caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Po ashtu me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës ishte  suspenduar edhe një zyrtar policor-  punonjës në Stacionin Policor Kufitar Vërmicë, lidhur me dyshimin e kryerjes së veprës penale “Keqpërdorim i detyrës ose i autoritetit zyrtar”, sepse nuk e kishte regjistruar në bazën e të dhënave të Policisë së Kosovës, tani të arrestuarin, gjatë hyrjes së tij në Republikën e Kosovës.