Mbyllen hetimet, sot vendimi për Saimir Tahirin

Kronika October 15, 2018 - 09:45
DETAJET

Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet që sot të vendosë mbi fatin e procedimit penal të nisur ndaj ish-ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Saimir Tahiri, i cili akuzohet për trafik narkotikësh në kuadër të grupit të Habilajve, që u godit në Itali.

Sot përfundon afati i hetimit pas dy shtyrjesh dhe prokuroria pritet të dalë me një vendim nëse do ta dërgojë për gjykim ish-ministrin Tahiri apo do të pushojë çështjen ndaj tij.

Linda Premium Residence me kushte bashkëkohore, për një jetë si në Evropë

Ndërkohë, burime të Top Channel pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë pohuar se grupi i hetimit i kësaj çështjeje pritet të kërkojë dërgimin për gjykim të Tahirit. Kjo kërkesë pritet t’i bëhet Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe do të jetë kjo e fundit që do të vendosë mbi fatin e dosjes.

Nga hetimet e kryera, ish-ministri Tahiri dyshohet se i ka krijuar lehtësira grupit të Habilajve për kultivimin dhe më pas trafikimin e kanabisit drejt Italisë. Këto dyshime, Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka ngritur pasi në më shumë se një rast eksponentë të grupit kriminal kanë përdorur mjete motorrike dhe detare në emër të ish-ministrit Tahiri.

Për këtë, prokuroria ka marrë edhe disa letërporosi nga Greqia, Mali i Zi dhe Italia.