Mbyllen hetimet për vdekjet e dyshimta të dy nxënëseve në Prizren, ky është konstatimi i prokurorisë

Kronika October 15, 2018 - 09:03
Lajmet e fundit nga vendi!

Prokuroria Themelore në Prizren ka mbyllur hetimet për vdekjes e dyshimtë të dy nxënësve të shkollës “Luciano Motroni”, në Prizren me c`rast ka konstatuar se vdekja e tyre nuk është shkaktuar nga ndikimet e njerëzve tjerë, raporton “zëri.info”.

Ky është njoftimi i plotë i prokurorisë:

Prizren, 15 tetor 2018 – Departamenti i Krimeve të Rënda pranë Prokurorisë Themelore në Prizren, më datë 12 tetor 2018, ka mbyllur hetimet për vdekjet e dyshimta të dy nxënëseve D.K dhe A.D., të shkollës së mesme të mjekësisë “Luciano Motroni” në Prizren.

Prokurori i Shtetit, i ngarkuar me rastin, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Sektori Rajonal i Hetimeve, ka zhvilluar veprime hetimore intensive, duke përfshirë por pa u kufizuar në: intervistim të numrit të madh të dëshmitarëve, aplikim të masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit, raporti i këqyrjes së vendit të ngjarjes, foto – albumi i vendit të ngjarjes, shikimi i incizimeve nga kamerat e vendit të ngjarjes, raporti psikiatrik i njësisë së shëndetit mendor për fëmijë dhe adoleshent, raporti i ekspertimit të forenzikës, raporti i autopsisë etj., dhe nga të gjitha këto informacione të siguruara Prokuroria Themelore në Prizren, ka ardhur në përfundimin se vdekja e dy nxënëseve nuk është shkaktuar nga veprimet inkriminuese të personave tjerë./ZËRI