Mbi 70 të vdekur në aksidente këtë vit

Kronika October 15, 2018 - 08:19
Numër i madh i të vdekurve në aksidente trafiku
Image

Më shumë se 70 persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku gjatë këtij viti, derisa mijëra të tjerë kanë pësuar lëndime. Vlerësohet se rritja e gjobave në komunikacion nuk ka ndikuar në uljen e numrit të aksidenteve, shkruan sot gazeta "Zëri".

Vetëm gjatë periudhës janar - tetor të këtij viti në Kosovë janë shkaktuar mbi 10 mijë aksidente, në të cilat mbi 70 persona kanë humbur jetën. Rritja e gjobave është konsideruar si masë e pasuksesshme në parandalimin e aksidenteve. Zyrtarët e Policisë së Kosovës thonë se kanë punuar për ofrimin e një sigurie më të madhe në trafikun rrugor.

LEXO EDHE: Numri i vogël i azilkërkuesve favorizon liberalizimin

“Qëllimi i këtyre angazhimeve policore ka qenë reduktimi i aksidenteve në trafik, në veçanti evitimi i aksidenteve me pasoja fatale në njerëz. Gjatë sezonit raportimet për raste të humbjes së jetëve njerëzore kanë qenë shqetësuese dhe përpjekjet e Policisë së Kosovës kanë qenë të fokusuar jo vetëm në aspektin ndëshkues për kundërvajtësit që shkelin rregullat, por edhe në nevojën e angazhimit dhe të bashkërendimit të aktiviteteve të të gjithë mekanizmave tjerë institucionalë që kanë rol dhe ndikim në vetëdijesimin e pjesëmarrësve në trafik, në veçanti drejtuesit e automjeteve”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim në Policinë e Kosovës.

Sipas tyre, Policia ka formuar edhe një task-forcë për parandalimin e aksidenteve në trafik. 

Ibishi: Rritja e gjobave nuk ka dhënë rezultatet e pritura

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, ka thënë për gazetën “Zëri” se rritja e gjobave në trafik nuk ka dhënë rezultatet e pritura. Ai e ka konsideruar të nevojshëm analizimin e shkaqeve të aksidenteve në trafik.

“Ajo që duket kohëve të fundit është një rritje e trendit të aksidenteve sidomos të atyre me fatalitet. Kështu që mendoj se edhe Policia e Trafikut Rrugor, edhe Qeveria, por edhe institucionet duhet të ulen e të bëjnë një analizë se cilat janë shkaqet e aksidenteve në trafik me qëllim të marrjes së masave gjegjëse sepse nuk mjafton vetëm gjobitja, por është edhe aspekti tjetër parandalues, sidomos pas një analize që kishte për të ardhur në lidhje me vlerësimin e shkaqeve të aksidenteve”, ka thënë ai.

Ibishi ka treguar disa nga masat, të cilat duhet të merren për parandalimin e aksidenteve.

“Duhet të vendosen mbishkrime për vënien e rripit të sigurisë, ndalimi i vozitjes në gjendje të dehur, përshtatja e shpejtësisë sipas shenjave. Zyrtarët policorë të jenë më shumë të pranishëm në akset rrugore, në pikat e zeza me qëllim të parandalimit të aksidenteve me fatalitet. Qarkorja që të dërgon në Fushë Kosovë disa viktima i ka marrë derisa u vetëdijesuan se aty duhet të vendosen shenjat e trafikut”, ka thënë ai.

Sipas tij, është më mirë që aksidentet të parandalohen duke u bërë sensibilizimi jo vetëm i drejtuesit të automjeteve, por edhe të këmbësorëve.

Shala: Kosova, dyfish më shumë aksidente se shtetet e BE-së

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka treguar se duke bërë krahasimin me vendet e Bashkimit Evropian në Kosovë ndodhin dyfish më shumë aksidente në trafik.

“Nëse do t’u referohemi raporteve policore, në mënyrë sistematike është thënë se shkaku kryesor i aksidenteve është shpejtësia tej normave të lejuara ose shkelja e rregullave nga drejtuesit e mjeteve. Çdo vit për çdo një milion banorë në Kosovë raportohen se humbasin jetën në aksidente automobilistike mbi 70 shtetas, ndërkohë që në vendet e Bashkimit Evropian humbasin jetën në aksidente automobilistike 40 deri në 60 shtetas”, ka thënë ai.

Shala ka treguar se vendosja e radarëve dhe e kamerave në rrugë mund të ndikojë në uljen e numrit të madh të aksidenteve.

“Faktori rrugë, cilësia dhe mungesa e sinjalizimit janë shkaktarët kryesorë të aksidenteve. Gjithashtu shpejtësia dhe përdorimi i alkoolit gjatë ngasjes janë shkaktarët kryesorë të aksidenteve. Masat që duhen të ndërmerren janë: radarët statikë nëpër rrugët ose nëpër akset kryesore, radarët lëvizës nëpër vetura civile të automjeteve policore, vendosja e kamerave përgjatë autostradës së mbyllur (Arllat - Vermicë ‘Ibrahim Rugova’ dhe ‘Veternik’ - Hani i Elezit ‘Arber Xhaferi’)”, ka theksuar ai.

Ndërsa eksperti i sigurisë, Nol Dedaj, e ka konsideruar si të rëndësishme edhe identifikimin e vendeve të cilat janë të rrezikshme dhe mund të ndikojnë në shkaktimin e aksidenteve rrugore.

“Masat preventive që duhen marrë janë varësisht prej elementeve të faktorëve, të cilat i kanë shkaktuar aksidentet. Duhet të kemi kujdes të veçantë të identifikimit të vendeve me rrezikshmëri të lartë dhe t’i informojmë pjesëmarrësit në rrugë përmes formave të ndryshme siç janë: përmes fletushkave, radiove, spoteve të ndryshme, pikave fikse dhe mobile të matjeve të shpejtësisë dhe identifikimin e automjeteve teknikisht jo në rregull”, ka thënë ai. Sipas tij, Kosova nuk ka institucione për identifikimin e shkaktarëve të aksidenteve./Zeri