Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku kërkojnë lirim me kusht

Kronika October 12, 2018 - 08:03
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Java e ardhshme mund të jetë vendimtare për lirimin e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) Sylejman Selimit dhe të Jahir Demakut. Dy ish-luftëtarët e UÇK-së kanë dorëzuar kërkesën e tyre për lirim me kusht në Panelin për Lirim me Kusht. Kërkesa e tyre pritet të shqyrtohet javën e ardhme, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe njëherësh ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku kërkojnë të lirohen me kusht.

LEXO EDHE: Tërheqja e BB-së rrezikon projektin për ndërtimin e 'Kosovës së Re'

Kërkesa e tyre për lirim me kusht tashmë është në duar të Panelit për Lirim me Kusht, i cili pritet që brenda javës së ardhshme të shqyrtojë dhe të vendosë rreth këtyre kërkesave.

Lajmin për gazetën “Zëri” e ka bërë të ditur koordinatori i Panelit për Lirim me Kusht, Bedri Duraku. Duraku i  ka thënë “Zërit” se kërkesa e ish-komandant Sylejman Selimit për lirim me kusht do të shqyrtohet javën e ardhshme nga ana e Panelit.

“Kërkesa e të dënuarit Sylejman Selimi është parashtruar në Panelin për Lirim me Kusht konform dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Paneli do ta trajtojë këtë çështje në seancën e caktuar për datën 17 tetor 2018”, ka thënë Duraku.

Ai ka bërë të ditur se po këtë ditë do të rishqyrtohet edhe kërkesa e Jahir Demakut, pasi kërkesa e tij e parë për lirim me kusht ishte refuzuar tre muaj më parë.

Gashi: Ne nuk jemi në dijeni për një kërkesë të tillë

Në anën tjetër mbrojtësi i Sylejman Selimit, avokati Tomë Gashi, pohon se nuk ka bërë asnjë kërkesë për lirim me kusht të Selimit.

“Ne nuk kemi paraqitur kërkesë për lirim me kusht, për shkak se Sylejman Selimi është duke u mbajtur në mënyrë të kundërligjshme në paraburgim dhe është çështje e tyre nëse ata zyrtarisht dërgojnë një kërkesë të tillë, por Selimi nga 11 qershori i këtij viti do të duhej të ishte i lirë”, ka thënë Gashi. Sipas tij, nuk ka asnjë vendim në bazë të të cilit Selimi po mbahet në paraburgim.

“Sylejman Selimi që nga qershori i këtij viti është duke u mbajtur në mënyrë të kundërligjshme në paraburgim, meqenëse të gjitha aktgjykimet që kanë qenë kundër tij, aktgjykimi ‘Drenica 1’ dhe ‘Drenica 2’ me vendim të Gjykatës Supreme janë anuluar dhe nuk ka kurrfarë arsye juridike që ai të mbahet në vuajte të dënimit me aktgjykime joekzistuese”, është shprehur avokati Gashi.

Ai pohon se  njoftimin e fundit që ka marrë mbrojtja javën e kaluar nga kryetari i Gjykatës Supreme, ai ka deklaruar se ekziston kinse një aktgjykim tjetër eqë në të vërtetë sipas Gashit është aktgjykimi me të cilin janë bashkuar dënimet në rastin “Drenica 1 dhe “Drenica 2”.

Sipas Gashit, ky aktgjykim është anuluar me aktvendim të Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila të dy rastet i ka kthyer në rishqyrtim dhe në rivendosje. 

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Mitrovicë nuk ka dhënë ndonjë sqarim rreth vazhdimit të mbajtjes së Selimit dhe të Demakut në paraburgim. Zyrtarë të kësaj Gjykate në një prononcim të mëhershëm për gazetën “Zëri” vetëm kanë treguar se është caktuar gjyqtari, i cili do të gjykojë rastin “Drenica1”.

Sylejman Selimi me dënim unik prej 8 vjetësh

Në fund të muajit shtator ish-bashkëluftëtarët e Sylejman Selimit dhe të Jahir Demakut kishin mbajtur një protestë para Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë, duke kërkuar lirimin sa më të shpejtë të tyre.

Organizatorët e protestës patën paralajmëruan se nëse nuk lirohen Selimi dhe Demaku protestat do të vazhdojnë me bllokimin e të gjitha institucioneve të Kosovës.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi, dikur edhe komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe njëherësh ambasador i Kosovës në Shqipëri, është i dënuar me dënim unik prej 8 vjetësh për dy rastet, “Drenica 1 dhe 2”, mbi bazën e akuzave për “Krime të luftës”.

Në qershor të këtij viti Gjykata Supreme e Kosovës pati kthyer në rigjykim rastin “Drenica 1”, pjesë  e të cilit rast ishin Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku.