Një i plagosur në Istog, policia arreston dorasin

Kronika October 11, 2018 - 11:11
Detajet

Në fshatin Muzhevinë të Istogut, dje pasdite është plagosur një person. Nga Policia Rajonale e Pejës kanë thënë për Gazetën Express se i plagosuri është jashtë rrezikut për jetë, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Pejës, Xhevat Ibra, ka treguar se dje rreth orës 17, Policia është njoftuar për një plagosje.

“Dje kemi pranuar një informatë se në fshatin Muzhevinë të Istogut, rreth orës 17:10 ka ndodhur një rast i plagosjes. Pasi ka dalë në vendin e ngjarjes, policia ka vërejtur njolla gjaku, kurse personi i plagosur nuk ka qenë në vendin e ngjarjes. Policia është informuar se një i dyshimtë k/shqiptar e ka goditur me një plumb viktimën në pjesën e epërme të këmbës së majtë”, ka thënë Ibra.

Ibra thotë se i plagosuri ka marrë trajtim mjekësor dhe gjendet jashtë rrezikut për jetë, ndërsa, policia ka arrestuar të dyshuarin.

Me urdhër të Prokurorit, Ibra thotë se i dyshuari për plagosjen është dërguar në mbajtje për 48 orë.