Bie numri i kërkesave për azil

Kronika October 11, 2018 - 08:33
Lexo tjera detaje
Image

Numri i kërkesave për azil në shtetet e Bashkimit Evropian (BE) dhe të Zonës Shengen nga ana e kosovarëve ka shënuar rënie që nga viti 2008. Kështu të paktën tregojnë të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), sipas të cilave edhe numri i kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare për herë të parë në shtete të BE-së dhe të Zonës Shengen është zvogëluar rreth 12 herë nga viti 2015 deri në vitin 2017. Ndërkaq, zyrtarë të organizatave joqeveritare dhe sociologë pohojnë se qytetarët e Kosovës vetëm e kanë ndryshuar mënyrën e ikjes, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kemi bërë punë të mirë në stopimin e fluksit potencial dhe shifrat e azilkërkuesve kanë rënë drastikisht. Nga viti 2015 deri më sot kemi rënie të azilkërkuesve mbi 95%, por ne duhet të punojmë më shumë. Kështu pati deklaruar ditë më parë i pari i Qeverisë, Ramush Haradinaj. Edhe të dhënat nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) flasin për ulje të numrit të kosovarëve që kërkojnë azil në vendet evropiane. Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), duke u bazuar në të dhënat e viteve të fundit, theksojnë se ka rënie të konsiderueshme të numrit të kërkesave të kosovarëve për mbrojtje ndërkombëtare në shtete të BE-së. “Gjatë vitit 2017 numri i kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare për herë të parë në shtete të BE-së dhe të Zonës Shengen ishte rreth 5400, ndërsa gjatë vitit 2018 sipas të dhënave të fundit nga EUROSTAT-i numri i tyre është 2865, që përbën një rënie të konsiderueshme e krahasuar me të njëjtën periudhë kohore të vitit 2017”, ka thënë zyrtarja për media në MPB, Rroksana Qarri. Sipas kësaj Ministrie, duke krahasuar me vitet e mëparshme numri i kërkesave për azil në shtetet e BE-së dhe të Zonës Shengen ka shënuar rënie që nga viti 2008. “Kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare për herë të parë në shtete të BE-së dhe të Zonës Shengen gjatë vitit 2015 ishin rreth 67545, ndërsa gjatë vitit 2016 ka pësuar një rënie të konsiderueshme, me rreth 9410. Numri i kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare për herë të parë në shtete të BE-së dhe të Zonës Shengen u zvogëlua rreth 12 herë duke krahasuar vitin 2017 me vitin 2015”, është shprehur ajo.

Por me këto të dhëna nuk pajtohen organizatat joqeveritare dhe sociologët, të cilët pohojnë se kosovarët vetëm kanë ndryshuar mënyrën e ikjes nga vendi, por jo edhe ikjen.

Kalaja: Kosovarët po ikin përmes punësimit në vendet e BE-së

Fidan Kalaja, nga Qendra Kosovare Kundër Korrupsion, pohon se një gjë e tillë s’ka të bëjë aspak me realitetin në vend. Sipas tij, nuk është e vërtetë që është ulur numri i kosovarëve të cilët kërkojnë azil, sikurse që nuk është e vërtetë se ka pasur zhvillim ekonomik e social gjatë kësaj qeverisje. Kalaja thotë është alarmante ikja e të rinjve nga Kosova. “Deklarata e kryeministrit nuk është e vërteta e kësaj situate, sepse nuk ka ndodhur ndonjë zhvillim ekonomik në Kosovë, sepse arsyeja kryesore e ikjes së qytetarëve nga Kosova edhe atëherë, por edhe tash është për shkak të kushteve të rënda ekonomike-sociale. Gjatë qeverisjes ‘Haradinaj’ nuk ka ndodhur ndonjë zhvillim ose reformë, e cila ka prekur pozitivisht jetën e qytetarëve, ka ende ikje të të rinjve nga Kosova”, ka thënë Kalaja. Sipas tij, periudha prej viteve 2014-2015 kur ka qenë fluksi i madh i ikjes së qytetarëve për në vendet e Bashkimit Evropian u ka mundësuar qytetarëve që të identifikojnë dhe të mësojnë taktika e mënyra më të lehta se si të ikin nga Kosova dhe njëra ndër to, siç shton ai është përmes punësimit në vendet e BE-së. “Qytetarët e Kosovës e kanë ndryshuar mënyrën e ikjes përmes kinse punësimit në vende të BE-së, mirëpo numri i atyre që ikin nga Kosova është alarmante dhe nuk është për t’u injoruar. Dhe kjo do t’i ketë dy pasoja, e para është procesi i liberalizimit të vizave dhe tjetra që Kosova do të mbetet pa fuqi punëtore dhe pa të rinj të cilët do të mundnin të kyçeshin në zhvillimin e proceseve të ndryshme në vend”, thotë ai.

Sociologu: Elita e të rinjve nuk është e interesuar të qëndrojë këtu

Në anën tjetër sociologu Shaip Hasani pohon se në Kosovë edhe disa vite do të mbeten vetëm klasa politike, e cila e ka sjellë këtë vend në këtë gjendje dhe klientela e kësaj klase politike.  Unë pajtohem vetëm me një gjë, pajtohem se kosovarët aq shumë janë të lodhur e të mërzitur më këto klasa politike, me këto manovrime të politikanëve saqë Kosovën kemi mundësi ta shpëtojmë vetëm kur ta heqim këtë klasë politike. Nga aspekti sociologjik po ju trajtoj, këtë popull e kanë marrë në qaf këta njerëz për pushtet”, është shprehur ai. Hasani shprehet se përveç atyre që janë punësuar përmes partive politike, pjesa tjetër e popullsisë nuk ka nga t’ia mbajë, pasi e ka sjellë para aktit të kryer. Sipas tij elita përmes së cilës Kosova mund ta ketë perspektivën, nuk është e interesuar të qëndrojë këtu. “Potenciali i elitës, ku Kosova mund ta ketë  perspektivën, absolutisht nuk është e interesuar të qëndrojë këtu dhe ata e dinë rrugën e do t’ia mbajnë sepse pikërisht civilizimi i thërret ata, ndërsa fundërrinat bashkë me këtë klasë politike janë këtu dhe nuk ka as perspektivë dhe as vullnet”, ka thënë sociologu Hasani.  

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) duke u bazuar në statistikat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë prezantimit të Indikatorit të Matjes së Klimës së Bizneseve për tremujorin e dytë të këtij viti, ditë më parë ka konstatuar se punësimi sezonal i qytetarëve të Kosovës në vendet perëndimore po i kushton Kosovës me humbje të fuqisë punëtore. Sipas këtyre të dhënave, që nga tremujori i tretë i vitit 2017 Kosova supozohet t'i ketë humbur plot 24 mijë e 100 vende pune./ZËRI