Syla: 100% më pak lëndë penale në veri

Kronika October 05, 2018 - 08:39
Lexo detajet
Image

Kryeprokurori i Mitrovicës, Shyqyri Syla, në një konferencë të mbajtur në veri të Mitrovicës të organizuar nga ACDC-ja, ka siguruar se pas integrimit të gjyqësorit sistemi gjyqësor është funksional në gjithë territorin e Kosovës. Bigoviq: Në sistemin kosovar të drejtësisë janë integruar 47 gjykatës dhe prokurorë serbë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Sistemi gjyqësor është funksional në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, ndërsa integrimi i gjyqtarëve dhe i prokurorëve serbë në sistemin kosovar të drejtësisë, edhe pas gati një viti nga fillimi i funksionimit të gjyqësorit të integruar edhe më tutje vazhdon, është konstatimi që ka dalë nga një konferencë për sistemin gjyqësor në veri të Kosovës, organizuar nga Qendra për Përfaqësimin e Kulturës Demokratike – ACDC në veri të Mitrovicës. 

LEXO EDHE: Raportet, të mangëta për dëbimin e gylenistëve

Kryeprokurori i Mitrovicës, Shyqyri Syla, dhe Millan Bigoviq që udhëheq me Njësinë e Gjykatës së Apelit në veri të Mitrovicës, kanë vlerësuar në Gjykatën Themelore të Mitrovicës dhe në Prokurori janë shënuar gjëra pozitive, të cilat kanë ndikuar në punën profesionale të gjykatësve dhe të prokurorëve.

Kryeprokurori i Mitrovicës, Shyqyri Syla, ka vlerësuar se sistemi gjyqësor, pas integrimit të gjyqësorit është funksional në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Ai ka shtuar efektet pozitive të Marrëveshjes së Brukselit për Gjyqësorin që tani janë të dukshme dhe se pas 11 muajve nga fillimi i funksionit të gjyqësorit të integruar në veri të Kosovës janë shënuar 20 për qind më pak lëndë penale. 

Mbyllen lëndët e vjetra

“Të gjitha lëndët e vjetra që kanë të bëjnë me katër komunat e veriut të Kosovës janë mbyllur dhe se prokurorët janë maksimalisht të angazhuar”, ka thënë Syla, duke shtuar se edhe raportet ndërnjerëzore në Prokurori janë shumë të mira.  

Ndërkaq Millan Bigoviq, ka ripërsëritur se Njësia e Gjykatës së Apelit në Mitrovicë, për dallim nga gjykatat tjera nuk ka lëndë të mjaftueshme për trajtim, për shkak “të komentimeve të Prishtinës se gjyqtarët e kësaj Gjykate duhet të merren vetëm me lëndët që kanë arritur në vitin 2018”.  

“Për 11 muaj në Njësinë e Gjykatës së Apelit në Mitrovicë janë zgjidhur rreth 100 lëndë, gjë që nuk është për lëvdatë. Në këtë gjykatë punojnë 7 gjykatës, ndërsa normale për një gjykatës është 20 lëndë”, ka sqaruar Bigoviq. Bigoviq ka konstatuar se gjyqësori në gjithë territorin e Kosovës në tërësi është jetësuar dhe se kjo është me rëndësi, për shkak të sigurisë juridike të të gjithë qytetarëve, të cilët tani kanë mundësi t’i zgjidhin problemet e caktuara para organeve të drejtësisë. Bigoviq ka përkujtuar se në sistemin gjyqësor janë inkuadruar 47 gjykatës serbë, të cilët, siç tha Bigoviq, “janë shumë profesionalistë dhe me përvojë” dhe të cilët do ta përmirësojnë sistemin gjyqësor në Kosovë. Duke folur në konferencën e organizuar Bigoviq ka tërhequr vërejtjen në komentimet në mënyra të ndryshme të kompetencave të Njësisë së Gjykatës së Apelit në Mitrovicë, duke shfaqur shpresën se problemi së shpejti do të zgjidhet.  

Dushan Radakakoviq, drejtor ekzekutiv i ACDC-së, vlerësoi se nëpërmes projektit është fokusuar te përcjellja e procesit të integrimit të gjyqësorit në veri të Kosovës. “Procesi i integrimit është duke vazhduar dhe është shumë i rëndësishëm edhe për demokratizimin e komplet shoqërisë kosovare”, tha Radakoviq, i cili ka folur me mirënjohje për punën dhe për bashkëpunimin e kryetarit të Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Nikolla Kabashiq, të gjyqtarëve dhe të prokurorëve, i cili siç tha ai, “ka qenë në nivelin më të lartë”.

Gjykatësit serbë ankohen për lëndët e vjetra

Në anën tjetër gjykatësit serbë në mesin e problemeve me të cilat përballen kanë theksuar numrin e madh të lëndëvetë vjetra. Lilana Stevanoviq, gjykatëse në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, ka thënë në një konferencë të organizuar kohë më parë gjithashtu nga ACDC-ja, se nuk është respektuar vendimi, sipas të cilit do të duhet të ketë vazhdimësi të njohjes së vendimeve që kanë marrë gjykatat serbe, si dhe zbatimi i tyre në kuadër të sistemit kosovar të drejtësisë. “Nëse ka qenë dëshirë e atyre që e kanë menduar projektin e gjyqësorit të integruar në Kosovë që qytetarëve t’u lehtësohet jeta, atëherë ka qenë dashur të llogarisin në atë që të sigurojnë vazhdimësinë e vendimeve që janë në gjykatat serbe ose në gjykatat kosovare. Se me çfarë problemesh po përballen qytetarët më së miri tregojnë rastet e shkurorëzimeve të lidhura para ofiqarëve serbë. Njerëzit janë kurorëzuar në institucionet serbe, ata edhe më tutje jetojnë këtu, por nuk mund të shkurorëzohen, për shkak se nuk u pranohet certifikata e kurorëzimit, gjegjësisht dokumenti të cilin nuk e ka lëshuar administrata kosovare”, ka sqaruar gjyqtarja Stevanoviq. Ajo mendon se njohja reciproke e vendimeve që janë të vlefshme është diçka që duhet të bëhet sa më shpejt, në mënyrë që njerëzve t’u mundësohet t’i realizojnë nevojat jetësore, për shkak se siç tha ajo, “ky sistem gjyqësor ekziston dhe për të jemi këtu”.

FAKTE:

Kryeprokurori i Mitrovicës, Shyqyri Syla, ka vlerësuar se sistemi gjyqësor pas integrimit të gjyqësorit është funksional në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Ai ka shtuar efektet pozitive të Marrëveshjes së Brukselit për Gjyqësorin që tani janë të dukshme dhe se pas 11 muajve nga fillimi i funksionit të gjyqësorit të integruar në veri të Kosovës janë shënuar 20 për qind më pak lëndë penale.

CITIM:

“Të gjitha lëndët e vjetra që kanë të bëjnë me katër komunat e veriut të Kosovës janë mbyllur dhe se prokurorët janë maksimalisht të angazhuar”, ka thënë Syla, duke shtuar se edhe raportet ndërnjerëzore në Prokurori janë shumë të mira.