Dështon seanca e parë në rastin ‘Pronto’

Kronika October 01, 2018 - 10:55
Lexo detajet

Seanca e parë e paraparë të mbahet në rastin e njohur si ‘Pronto’ u shtye për datën 15 nëntor.

Arsyeja e mos mbajtjes së seancës ishte për shkak se në sallë të gjykatës nuk u paraqitën pothuajse shumica e të akuzuarve.

Në sallë të gjyjatës prezent ishin vetëm të akuzuarit Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj, Rexhë Abazi e Fatmir Shurdhaj.

Ndërsa të akuzuarit Adem Grabovci, Besim Beqaj e Arbenita Pajazitaj përmes parashtresave e kishin njoftuar kryetarin e trupit gjykues që për shkak të disa obligimeve nuk do të mund të paraqitën në gjykatë me këtë datë, të njëjtit kishin kërkuar që seanca e shqyrtimit fillestar të shtyhet për një datë tjetër.

Sipas avokatit Florent Latifaj i mbrojturi i tij Adem Grabovci nuk është paraqitur në seancë për shkak të një udhëtimi zyrtar të cilin e ka pasur të caktuar më herët.

Latifaj me anë të një parashtresë e ka njoftuar Gjykatën se klienti i tij nuk do të mund të paraqitet në Gjyjatë në datën e caktuar.

Ndërsa për të akuzuarit e tjerë të cilët e kanë pranuar ftesën dhe mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar, Prokurorja Speciale Drita Hajdari kërkoi nga Kryetari i Trupit Gjykues Shashivar Hoti që për të njëjtit të lëshoj urdhëresë për sjellje me forcë nga ana e policisë.

“Ata që nuk kanë ardhur dhe e kanë pranuar ftesën duhet të sillen me polici”, tha prokurorja.

Në mungesë të kushteve për mbajtje të shqyrtimit fillestar, seanca e sotme u shty për datën 15 nëntor.

Adem Grabovci dhe të akuzuarit e tjerë të aferës së përgjimeve ‘Pronto’ sot pritej të dalin para gjyqit për t’u përgjigjur rreth akuzave që u vihen në barrë.

Në prill të këtij viti, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë në rastin e quajtur “Pronto”.

Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish-deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, deputeti aktual Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtori i bordit të ndërmarrjes publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale – shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive në mënyrë të kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për ndërmarrjet publike qendrore, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, kryeshef i Agjencisë për Produkte Medicinale dhe koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.