Nesër pritet të nis gjykimi ndaj Agron Mustafës dhe të tjerëve për rastin e Z-Mobile

Kronika September 26, 2018 - 22:00
Lexoni më shumë detaje

Të enjten pritet të mbahet shqyrtimi fillestar në rastin ku ish-kryeshefi ekzekutiv i Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Agron Mustafa së bashku me Ejup Qerimin dhe Rexhë Gjonbalajn po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar gjykatësi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Lutfi Shala.

Aktakuza ndaj tyre, e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka të bëjë me marrëveshjen PTK – Z-Mobile.

Në njoftimin e Prokurorisë Speciale, dërguar më 17 gusht të këtij viti, thuhet se Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj po akuzohen se duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim që t’i shkaktojnë dëme materiale dikujt tjetër.

Sipas njoftimit, Qerimi akuzohet për veprime të kryera gjatë periudhës kohore shkurt 2012-tetor 2014, kurse Agron Mustafa për veprime të kryera nga 19 shkurti 2015, kur ka marrë pozitën udhëheqëse e deri më 24 maj 2017, kur ki njëjti, edhe pse nuk ka qenë kompetent, kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final.

Ndryshe, Agron Mustafa dhe Ejup Qerimi në periudha të ndryshme kanë ushtruar detyrën e kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, kurse Rexhë Gjonbalaj ka qenë kryetar i bordit të Telekomit./Betimipërdrejtësi