Ky është vendimi i Gjykatës për 25-vjeçarin që shkaktoi aksidentin me fatalitet në Prishtinë

Kronika September 25, 2018 - 14:56
Lexoni më shumë detaje

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masë paraburgimi kundër E.B., pasi i njëjti kishte kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”.

I njëjti me datën 23 shtator, derisa ishte duke e drejtuar automjetin e tipit BMW X1, ka vepruar në kundërshtim me rregullat e trafikut rrugor, ku nga pakujdesia kishte goditur këmbësorin i cili kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për të shqiptuar masën e paraburgimit kundër të pandehurit E.B.

Masa e paraburgimit është caktuar për një muaj, saktësisht nga data 23.09.2018 deri me datën 23.10.2018.

“Ekziston dyshimi i bazuar se me dt.23.09.2018, rreth orës 15:50 në Bulevardin “Bill Klinton”, në Prishtinë, i pandehuri E.B derisa ishte duke drejtuar automjetin e tipit “BMË X1”, ka vepruar në kundërshtim me rregullat e Ligjit mbi Trafikun Rrugor, ashtu që nga pakujdesia kishte goditur këmbësorin, tani të ndjerin V.M, i cili në ato momente ka qenë duke kaluar rrugën së bashku me fëmiun tre vjeçar N.M, me ç’ rast i ndjeri V.M ishte goditur nga automjeti dhe kishte pësuar lëndime vdekjeprurëse, vdekja e të cilit është konstatuar në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor i ndihmës së shpejtë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Ndërsa fëmija N.M., nuk kishte pasur fare kontakt me automjetin, mirëpo si pasojë e frikës ishte transportuar në Qendrën Emergjente në Prishtinë.

Aksidenti në të cilin humbi jetën 65-vjeçari ndodhi të dielën, në rrugën “Bill Clinton” në Prishtinë.