Gjykata e Apelit në Mitrovicë zgjidh vetëm lëndët e vitit 2018

Kronika September 25, 2018 - 08:41
Lexoni më shumë detaje
Image

Udhëheqësi i Njësisë së Gjykatës së Apelit në Mitrovicë, Millan Bigoviq, është ankuar në numrin e vogël të lëndëve, ndërsa ka kërkuar që kësaj gjykate t’i dorëzohen edhe lëndët e vjetra për t’i zgjidhur. Ai është ankuar edhe pse lëndët e gjashtë komunave jugore me shumicë serbe dorëzohen në Gjykatën e Apelit në Prishtinë e jo në Mitrovicë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Gjykata e Apelit në Mitrovicë, e cila në fakt është njësi e Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës dhe është produkt i Marrëveshjes së Brukselit për Gjyqësorin e Integruar, nuk ka numër të mjaftueshme të lëndëve për t’i zgjidhur.

LEXO EDHE: Institucionet nuk lejojnë qasje rreth shpenzimit të parave publike

Derisa shumica e gjykatave në Kosovë përballen me numër të madh të lëndëve të pazgjidhura dhe të cilat me vite të tëra presin që të arrijnë në duart e gjykatësve, Gjykata e Apelit e Mitrovicës ka problem krejtësisht tjetër, numër të vogël të lëndëve, shkruan më tutje "Zëri".

Kjo Gjykatë, e cila sipas gjykatësit Millan Bigoviq, udhëheqës i Njësisë së Gjykatës së Apelit në Mitrovicë, është kompetente për katër komunat veriore të Kosovës dhe për 6 komunat në jug me shumicë serbe, është duke punuar vetëm në zgjidhjen e lëndëve që kanë arritur në vitin 2018 dhe për këtë arsye udhëheqësi i Gjykatës së Apelit, njësia në Mitrovicë, gjykatësi Millan Bigoviq është ankuar në numrin e vogël të lëndëve, pasi që, siç ka thënë ai, “Prishtina ka kërkuar që të punohet vetëm në lëndët që kanë arritur në vitin 2018”.

“Është qëndrim i Prishtinës që tani për tani të punohet vetëm në lëndët që kanë arritur në Gjykatën e Apelit në vitin 2018 dhe vetëm ato lëndë na janë dorëzuar që t’i kryejmë në kuadër të kompetencave që na janë caktuar, ky është një numër i vogël i lëndëve. Mendoj se është dashur të marrim të gjitha lëndët, edhe lëndët e vjetra, që të bëhet një prerje, t’i marrim lëndët dhe t’i zgjidhim. Mirëpo jo, qëndrimi i njerëzve në Prishtinë është që t’i kryejmë vetëm lëndët e vitit 2018, lëndë penale dhe civile dhe për këtë arsye nuk kemi lëndë të mjaftueshme për t’i zgjidhur”, ka thënë Bigoviq.

Ai është ankuar edhe se lëndët e gjashtë komunave jugore me shumicë serbe nuk dorëzohen në Njësinë e Gjykatës së Apelit në Mitrovicë për t’u zgjidhur, por i dorëzohen Gjykatës së Apelit në Prishtinë.  

Gjykata e Apelit, Njësia në Mitrovicë, përbëhet nga 5 gjyqtarë të nacionalitet serb dhe nga 2 gjyqtarë shqiptarë.

Për rreth 6 muaj të punës së kësaj gjykate janë kryer rreth 100 lëndë.

“Problemi është te mosfunksionalizimi i plotë i Njësisë së Gjykatës së Apelit në Mitrovicë, ndërsa përkrah numrit të vogël të lëndëve ka numër të vogël të lëndëve edhe nga gjashtë komunat jugore. Është çështje e njerëzve në Prishtinë, të cilët thonë se Gjykata e Mitrovicës së Veriut ka në kompetencë vetëm lëndët e katër komunave veriore të Kosovës, ndërsa për gjashtë komunat në jug kompetente është Gjykata e Apelit në Prishtinë”, ka sqaruar Bigoviq, i cili ka shtuar se kjo nuk është e drejtë dhe thirret në marrëveshjen e parë të arritur në Bruksel, në të cilën, sipas Bigoviq, në pikën 10 precizohet “se Njësia e Gjykatës së Apelit në Mitrovicë është kompetente për të gjitha komunat e Kosovës me shumicë serbe”.

“Këto janë ato 10 komuna dhe këtu nuk ka asnjë dilemë, problem është te jofunksionimi, kështu që lëndët nga gjashtë komunat në jug nuk i dorëzohen Njësisë së Gjykatës së Apelit në Mitrovicë”, ka shpjeguar Bigoviq.

Ai ka shtuar se ka edhe shumë probleme të tjera të funksionimit të kësaj gjykate në veri të Kosovës, por ka vlerësuar se situata është duke u përmirësuar dita-ditës.

Biseda me udhëheqësin e Njësisë së Gjykatës së Apelit në Mitrovicë, Millan Bigoviq, është realizuar nga “Radio Kontakt Plus”, në kuadër të projektit “Integrimi i gjyqësorit, gjashtë muaj pas, ku jemi”, në bashkëpunim me Qendrën për Përfaqësim të Kulturës Demokratike në veri të Mitrovicës dhe i cili mbështetet nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur – KFOS.