Policia: Nuk kemi pranuar kërkesë për mbrojtje nga familja Geci

Kronika September 24, 2018 - 22:55
Lexo detajet

Policia e Kosovës thotë se nuk ka pranuar kërkesë për mbrojtje nga familja Geci nga Llausha e Skenderajt.

Familja Geci nga Llausha e Skenderajt sot ka lëshuar një deklaratë, përmes të cilës ka kërkuar mbrojtje nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe bashkësia ndërkombëtare.

Ata thonë se janë të shqetësuar se dikush do ta vrasë familjarin e tyre Gani Gecin dhe nëse kjo do të realizohet atëherë ata do ta mbajnë përgjegjës presidentin e vendit, Hashim Thaçin.

Madje, sipas tyre nëse diçka i ndodh Gani Gecit, ata do të përgjigjen në mënyrën e njëjtë.

LEXO EDHE: Familja Geci lëshon alarmin: Hashim Thaçi po e përgatit vrasjen e Gani Gecit

E, zëdhënësi i Policisë Rajonale të Mitrovicës, Avni Zahiti, ka thënë se zyrtarisht nuk kanë pranuar kërkesë nga familja Geci për mbrojtje.

Sipas Zahitit, kjo duket më shumë rast për prokurori, sepse duket se është politike.

“Deri më tani nuk ka kurrgjë konkrete. Nuk është raportuar as në Skenderaj diçka e tillë. Ne zyrtarisht e pranojmë kur vjen dikush dhe ankohet edhe deponon diçka në Polici, e deklarata të tilla s’duam të komentojmë se kur ka deklarata të tilla më shumë është punë e prokurorisë sepse është politike dhe mediale”, ka thënë Zahiti për kallxo.com.