Bartja e drogës nga Peja në Austri përmes bureve me speca turshi

Kronika September 24, 2018 - 12:26
Lexoni më shumë detaje

Një i akuzuar e pranoi sot para gjykatës në Pejë atë që e thotë aktakuza ndaj tij: se deshi që ta bartte drogën drejt Austrisë përmes bureve me speca turshi.

Aktakuza e ngarkon Albion Dekaj për shpërndarje dhe shitje të pa autorizuar të narkotikut.

Sipas aktakuzës ai së bashku me tani të ndjerin Arben Dekaj, në nëntor të vitit të kaluar, në fshatin Dollc të Klinës, kanë dorëzuar për transport në bagazhin e autobusit “Loshi Reisen” dy bure në cilat kishin futur narkotikun dhe menjëherë pas dorëzimit të tyre kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pronari i kompanisë duke pasur dyshime e ka lajmëruar policinë, dhe kontrolli kishte rezultuar me gjetjen e narkotikut.

“Pas këtyre veprimeve, pronari i Kompanisë në fjalë e ka lajmëruar policinë për dyshimet gjersa në fshatin Komoran, policia e ka ndaluar autobusin dhe ka hapur buret ku është gjetur narkotiku brenda dy bureve me speca dhe lakra”, thuhet në aktakuzë.

Në fjalën përfundimtare, prokurorja kërkoi që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe “ta dënojë sipas ligjit”.

“Pasi që i pandehuri e pranoi fajësinë, deklaroj se mbes pranë përshkrimit faktik dhe juridik te akuzës pasi e njëjta është e bazuar në prova dhe i propozojmë gjykatës që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit”, deklaroi Prokurorja Valbona Haxhosaj.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Albion Dekaj, avokati Muharrem Hoti, i kërkoi gjykatës një dënim sa më të butë.

“Në cilësi të mbrojtësit kërkoje nga gjykata që me rastin e vendosje të ketë parasysh faktin se në aktakuzë nuk ka asnjë rrethanë renduese, faktin se i akuzuari e ka pranuar fajësinë, faktin se nuk ka qenë i dënuar me parë, moshën e tij relativisht të re, andaj kërkoj nga gjykata që të mbrojturit tim t’i shqiptojë një dënim sa më të butë”, tha avokati Shala.