Kërkohet lirimi nga paraburgimi i Sylejman Selimit

Kronika September 20, 2018 - 08:47
Lexoni më shumë detaje
Image

Gjykata Supreme e Kosovës përveç vendimit për kthim në rigjykim të rastit “Drenica1” nuk ka marrë asnjë vendim sa i përket masës së sigurisë ndaj të akuzuarve të këtij rasti, ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) Sylejman Selimit dhe bashkëluftëtarit të tij Jahir Demakut, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Zëdhënësja e Gjykatës Supreme Antigona Uka i kanë thënë gazetës Zëri se në këtë gjykatë po rishqyrtohet edhe një çështje që ndërlidhet me Selimin dhe me Demakun.

“Përveç vendimit për rigjykim nuk ka pasur vendim për ndërprerje të paraburgimit. Përndryshe, në gjykatën tonë, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është në rishqyrtim edhe një rast për të dënuarit në fjalë, i cili ende nuk ka përfunduar”, ka thënë Uka.

Në anën tjetër Gjykata Themelore në Mitrovicë nuk ka dhënë ndonjë sqarim rreth vazhdimit të mbajtjes së Selimit dhe të Demakut në paraburgim. Zyrtarë të kësaj gjykate vetëm kanë treguar se është caktuar gjyqtari, i cili do të gjykojë rastin “Drenica1”.

“Me autorizim të kryetarit të Gjykatës, ju njoftoj se lënda ‘Drenica 1’ i është ndarë gjyqtarit Beqir Halili”, ka bërë të ditur administratorja e kësaj gjykate Lumnije Surdulli.

Por Shërbimi Korrektues i Kosovës ka mohuar të ketë pranuar çfarëdo vendimi nga ndonjë gjykatë për lirimin e ish-komandantit të UÇK-së Sylejman Selimit dhe të Jahir Demakut.

Thaçi: Te ne s’ka ardhur asnjë vendim për lirimin e tyre

Drejtori i përgjithshëm i Burgjeve të  Kosovës,  Nehat Thaçi, në një prononcim të shkurtër për “Zërin” thotë se në këtë Drejtori nuk është dërguar asnjë vendim nga askush.

Për këtë çështje Thaçi tha se e ka kontaktuar edhe kryetarin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

“Krejt çka kemi ne e kemi dëgjuar prej gazetave. As s’ka vendim, as asgjë, ne kurrfarë informacioni zyrtar s’kemi nga askush. Shkurt, te ne nuk ka ardhur asnjë dokument që na thotë  për t’i liruar ose diçka tjetër dhe ne duhet të qëndrojmë mbi vendimin e fundit”, është shprehur Thaçi për “Zërin”.

Protestuesit paralajmërojnë bllokim të institucioneve nëse nuk lirohen Selimi dhe Demaku

Ndërkohë për lirimin e Sylejman Selimit dhe të Jahir Demakut të mërkurën ish-bashkëluftëtarët e tyre kanë mbajtur një protestë para Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë. Me moton 

“Duam drejtësi për çlirimtarët” Këshilli Organizativ për të Drejtat e Çlirimtarëve ka organizuar protestë, përmes së cilës kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të Selimit dhe të Demakut, duke shtuar se ata po mbahen të burgosur padrejtësisht.

Mbrojtësi i Sylejman Selimit, avokati Tomë Gashi, u shpreh se Selimi e Demaku po mbahen padrejtësisht në paraburgim. 

Sipas tij, askund në botën e civilizuar nuk ndodh që një person të mbahet në paraburgim ose në vuajtje të dënimit pa kurrfarë vendimi gjyqësor.

Madje Gashi pohoi se gjyqtari i rastit e ka dërguar një vendim në Burgun e Dubravës.

“Ne nuk kemi pasur asnjë prononcim prej nxjerrjes së vendimeve për lirimin e tyre nga asnjë institucion shtetëror, as nga gjykata, as nga Prokuroria se për çfarë arsye po vazhdojnë të mbahen në burg. Rasti i tyre është ndarë në dy pjesë dhe pjesa e rastit ‘Drenica 1’ është në Gjykatën Themelore në Mitrovicë dhe gjyqtari i cili e ka marrë lëndën e ka nxjerrë një vendim që e ka dërguar në Burgun e Dubravës, mirëpo nuk janë duke u liruar asnjëri prej tyre, për shkak se edhe Gjykata Supreme e ka vendimin e anuluar nga Gjykata Kushtetuese”, ka thënë Gashi. 

Ai pohoi se para shpalljes së aktgjykimit Selimi dhe Demaku janë mbrojtur në liri. Sipas tij, të dy po i mbajnë për qëllime të tyre në paraburgim.

Për ish-komandantin e Zonës së Drenicës, Sami Lushtaku, i cili ishte gjykuar bashkë me Selimin në rastin “Drenica 2”, Selimi është kidnapuar.

“Kjo që ka ndodhur me Sylejman Selimin dhe me Jahir Demakun është tepër e rëndë. Asnjë pjesëtar i UÇK-së nuk ka problem me drejtësinë, problemi më i madh në Kosovë dhe me pjesëtarët e UÇK-së është padrejtësia. Sylejman Selimi nuk është i burgosur, por i kidnapuar”, ka thënë Lushtaku.

Ndërkohë kryetari i Shoqatave të Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, pohoi se për të gjithë ata që janë në institucionet e Kosovës mbajtja e tyre në burg është turp i madh.

“Mos të na e marrin këtë protestë si protestë kundër drejtësisë. Ne po protestojmë pikërisht për drejtësi, sepse në emër të saj padrejtësisht po mbajnë në burg Selimin dhe Dëmakun. Mbajtja në burg e Sylejman Selimit dhe e Jashir Demakut për të gjithë që sot janë në institucionet e Kosovës është turp i madh”, është shprehur Jashari.  

Pas përfundimit të protestës paqësore organizatorët paralajmëruan se nëse nuk lirohen Selimi dhe Demaku protestat do të vazhdojnë me bllokimin e të gjitha institucioneve të Kosovës.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi, dikur edhe komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ambasador i Kosovës në Shqipëri, është i dënuar me dënim unik prej 8 vjetësh për dy rastet “Drenica 1 dhe 2”, mbi bazën e akuzave për “Krime të luftës”. 

Në qershor të këtij viti Gjykata Supreme e Kosovës pati kthyer në rigjykim rastin “Drenica 1”, pjesë e të cilit rast ishin Selimi dhe Demaku.