Aktakuza përshkruan vrasjen në ‘mënyrë mizore’ në Vushtrri

Kronika September 18, 2018 - 23:26
Lexo detajet


Në Gjykatën e Mitrovicës ka dështuar të mbahet seanca e gjykimit ndaj Qëndrim Xhakollit dhe Rejhan e Liburn Ajazit.

Arsyeja e shtyrjes së gjykimit ishte mospajisja e avokatit Berat Peci me shkresat e lëndës.

Gjyqtari i rastit, Tomislav Petroviq, ka njoftuar palët prezentë se me kërkesën e avokatit Berat Peci i cili në këtë rast që nga kjo seancë do ta përfaqësojë të akuzuarin Qendrim Xhakolli, do të shtyhet kjo seancë.

Përfaqësuese e të akuzuarit Xhakolli në seancën e shqyrtimit fillestar ka qenë avokatja Zehra Verbovci, por ajo gjysmë ore para se të fillonte seanca kishte paraqitur para Gjykatës kërkesën për tërheqjen e autorizimit për të përfaqësuar të akuzuarin Qendrim Xhakolli.

Ndërsa përmes Odës së Avokateve ishte caktuar si mbrojtës i këtij të akuzuari avokati Berat Peci.

Gjyqtari njoftoi palët që seanca e sotme nuk do të mbahet.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 8 tetor.

Ndryshe, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur në korrik të këtij viti të akuzuarit Rejhan dhe Liburn Ajazi e kishin pranuar fajësinë lidhur me veprën për të cilën akuzoheshin nga Prokuroria.

Por ky pranim nuk ishte aprovuar nga gjyqtari Petroviq, i cili lidhur me arsyetimin e refuzimit të pranimit të fajësisë ka thënë se ekzistojnë lidhja objektive dhe subjektive se tre të pandehurit e kanë kryer veprën penale.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës akuzon Liburn Ajazajn, Rejhan Ajazajn dhe Qëndrim Xhakollin se  në gusht të vitit 2017, në Vushtrri, në shëtitoren “ Enver Zymberi“ afër lumit Sitnica, duke vepruar së  bashku dhe me marrëveshje paraprake mes tyre, me dashje kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Kujtim Meholli.

Sipas akuzës, kjo vrasje ishte bërë në mënyrë mizore dhe për motive të ulëta.

Tutje në aktakuzë thuhet se fillimisht e pandehura Rejhan, sipas planit që  kishte bërë me të pandehurin, Liburn Ajazaj, e kishte ftuar tani të ndjerin, Kujtim Meholli me telefon duke e joshur kinse për një takim dashurie.

Më pas i ndjeri, Kujtim Meholli kishte shkuar me biçikletën e tij për ta takuar të pandehurën Rejhan Ajazaj, derisa të  pandehurit Qëndrim Xhakolli dhe Liburn Ajazaj kishin qenë duke e përcjellë të ndjerin.

Derisa i ndjeri, Kujtim Meholli dhe e pandehura Rejhan Ajazaj kishin qenë duke ecur, dy të pandehurit e tjerë Qëndrim Xhakolli dhe Liburn Ajazaj kishin dalë herë përpara dhe herë prapa Kujtimit dhe derisa i pandehuri Liburn Ajazaj kishte qenë prapa tyre ka filluar ta fyente tani të ndjerin.

Më pas i ndjeri iu kishte drejtuar të pandehurit Liburn Ajazaj që të merreshin vesh me fjalë por i njëjti kishte filluar që me pajser (shufër metalike) ta godasë në ballë, goditje nga të cilat ai ka humbur vetëdijen dhe kishte rënë përtokë, ndërsa i pandehuri Liburn Ajazaj prapë kishte vazhduar ta godas prapa në kokë të ndjerin, gjithashtu edhe Qëndrim Xhakolli e kishte goditur disa herë të ndjerin, thuhet në aktakuzë.

Tutje në aktakuzë thuhet se pas goditjes me pajser, Liburn Ajazaj i kishte kërkuar të pandehurit Qëndrim Xhakolli që t’i heqë lidhëset e atleteve që i kishte pasur i ndjeri, ku me të njëjtat ia kishte lidhur duart nga prapa të ndjerit, ndërsa me lidhësen tjetër e kishte shtrënguar tre herë rreth fytit, duke i shkaktuar ngufatje – asfiksi, duke e lënë ashtu të lidhur në një vend.

Gjithnjë sipas aktakuzës, tre të akuzuarit më pas kishin shkuar në shtëpinë familjare të të pandehurit Qëndrim Xhakolli, kurse rreth orës 3 të mëngjesit dy të pandehurit Liburn Ajazaj dhe Qëndrim Xhakolli kishin shkuar përsëri te lumi Sitnica dhe të ndjerin Kujtim Meholli ashtu të lidhur e kanë hedhur në lumë, bashkë me pajserin (shufrën metalike).

Me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” .

Liburn Ajazaj po ashtu akuzohet edhe për kryerjen e veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll dhe posedim i paautorizuar i armëve”.