Sulmohet fizikisht një zyrtar komunal i Mitrovicës

Kronika September 18, 2018 - 12:39
Lexoni më shumë detaje
Image

Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se sulmi ndaj koordinatorit për Kthim dhe Riintegrim, Bedri Sadiku, është kryer nga një qytetar që është kthyer nga Danimarka dhe të cilit komuna ia ka paguar qiranë për banim për 5 vjet. Rastin e ka konfirmuar Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në jug të Mitrovicës, raporton "Zëri"

Një zyrtar komunal i Mitrovicës është sulmuar fizikisht nga një qytetar, ka njoftuar komuna e Mitrovicës nëpërmes të një komunikate, ndërsa është konfirmuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në jug të Mitrovicës. Sipas komunikatës së komunës së Mitrovicës, koordinatori për Kthim dhe Riintegrim, Bedri Sadiku është sulmuar fizikisht në vendin e tij të punës.

“Bedri Sadiku, koordinator për Kthim dhe Riintegrim në komunën e Mitrovicës, është kërcënuar dhe është sulmuar fizikisht pa ndonjë arsye apo shkas në vendin e tij të punës në ndërtesën komunale, nga qytetari N.I. nga Mitrovica. Qytetari N.I. ishte kthyer më parë nga Danimarka, pasi që autoritetet e këtij shteti e kishin refuzuar kërkesën e tij për qëndrim atje (azil). Për këtë arsye ai ishte përfshirë në skemën e përfituesve për personat e riatdhesuar sipas Rregullores së Qeverisë së Republikës së Kosovës, Departamenti për persona të riatdhesuar, në kuadër të MPB-së. Madje, N.I. (Nazmi Ismajli) është i riatdhesuari që ka përfituar më së shumti nga skema e lartpërmendur, pasi që përveç ndihmave të parapara për ushqim, veshmbathje e të tjera, i është paguar qiraja për pesë vjet me radhë, anipse rregullorja e lartpërmendur nuk lejon që kjo mbështetje për të riatdhesuarit të jetë më e gjatë se një vit”, thuhet në komunikatën e komunës së Mitrovicës dërguar medieve për rastin.

Sipas komunikatës, kur N.I. është ftuar për të marrë vendimin mbi ndërprerjen e pagesës së qirasë, që e kishte marrë Komisioni Komunal për riintegrim, për shkak se në rastin e tij ishte shkelur rregullorja e lartpërmendur, ai fillimisht e ka ofenduar dhe kërcënuar rëndë verbalisht koordinatorin Sadiku dhe më pastaj edhe e ka sulmuar fizikisht në zyrën e tij.

“Sadiku rastin e ka paraqitur në stacionin jugor të policisë së Kosovës në Mitrovicë, e cila është duke i ndërmarrë procedurat e nevojshme ndaj qytetarit N. I. Ky person tri javë më parë e kishte kërcënuar rëndë edhe zyrtarin e zyrtarin e MPB-së të këtij sektori, Fisnik Leku, i cili punon në të njëjtën zyrë me Sadikun”, thuhet në komunikatë.

Rastin e sulmit të zyrtarit komunal për Kthim dhe Riintegrim të qytetarëve, Bedri Sadiku e ka dënuar ashpër kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Ai i ka kërkuar Policisë së Kosovës dhe organeve të hetuesisë që të ndërmarrin masa të menjëhershme ligjore ndaj sulmuesit, në mënyrë që rastet e këtilla të mos përsëriten më.

I pari i Mitrovicës, ka kërkuar nga zyrtarët komunalë që të mos dekurajohen nga veprime të këtilla të papranueshme e të dënueshme të personave të papërgjegjshëm.

Përkundrazi, ai nga shërbyesit civilë kërkon të punojnë edhe më me përkushtim për ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, gjithnjë duke e zbatuar ligjin dhe rregulloret përkatëse.

Në anën tjetër, Zyra për Informim Publik e Drejtorisë Rajnale të Policisë së Kosovës në jug të Mitrovicës e ka konfirmuar rastin.

Zyrtari për Informim Publik në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në jug të Mitrovicës, Avni Zahiti, duke konfirmuar rastin i tha “Zërit” se ai është cilësuar si sulm ndaj personit zyrtar.

“I dyshuari është shoqëruar në Polici, ka dhënë deklaratën dhe pastaj me rekomandim të prokurorit është liruar dhe rasti ka shkuar në procedurë të rregullt”, ka thënë Zahiti. /ZËRI/